1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

040410 Papst Ostermesse

4 Prill 2010

Papa Benedikti i XVI celebroi meshën e Pashkëve përpara disa dhjetëra mijëra besimtarëve dhe turistëve, të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit. Mesha tradicionale shënoi pikën kulmore me bekimin "urbi et orbi".

https://p.dw.com/p/Mn84
Papa duke shqiptuar bekimin "urbi et orbi"
Papa duke shqiptuar bekimin "urbi et orbi"Fotografi: AP

Benedikti XVI kërkon shndërrim shpirtëror e moral

Nga lozha qendrore e fasadës së Katedrales së Shën Pjetrit, Benedikti i XVI u drejtoi katolikëve në mbarë botën mesazhin e tij të Pashkëve. Pashkët janë shërimi i vërtetë i njerëzimit, tha Papa:

„Nëse Krishti – Qingji i Zotit – nuk do ta kishte derdhur gjakun për ne, ne nuk do të kishim shpresë, fati ynë dhe i të gjithë botës do të ishte në mënyrë të pashmangshme vdekja. Por Pashkët me ringjalljen e Krishtit në një krijesë të re e kanë sprapsur këtë tendencë."

Për të kapërcyer krizën e thellë të ditëve tona, njerëzimi ka nevojë për një shndërrim rrënjësor shpirtëror dhe moral.

Lidhur me vatrat aktuale të krizës në botë, Papa përmendi në radhë të parë Vendin e Shenjtë. Ai bëri thirrje për paqe mes popujve në Lindjen e Mesme, që është një vend i shenjtë si epiqendra e jetës së shpëtimtarit, e vdekjes dhe e ringjalljes së tij. Benedikti i XVI u ndal në mesazhin e tij edhe tek Iraku, tek dhuna dhe kontrabanda me drogë në shumë vende të Amerikës Latine. Lidhur me kontinentin afrikan të krizës ai tha:

„Në forcën e Jezusit të ringjallur uroj që në Afrikë t'u vijë fundi konflikteve, të cilat vazhdojnë të shkatërrojnë dhe të shkaktojnë vuajtje, uroj që të arrihet paqja dhe pajtimi, të cilat ofrojnë garanci për zhvillimin. Veçanërisht unë i besoj Zotit të ardhmen e Republikës Demokratike të Kongos, të Guineas dhe Nigerisë."

Besimtarë në Sheshin e Shën Pjetrit
Besimtarë në Sheshin e Shën PjetritFotografi: AP

Popujve në Haiti dhe në Kili Papa u uroi një ripërtëritje të shpejtë nga trauma e tërmetit si dhe rindërtimin e shpejtë të vendit.

Kardinali Sodano shprehu solidaritetin e kishës me Papën

Mesha nisi më parë me një mesazh solidariteti të Kardinalit Angelo Sodano – një përjashtim i pazakontë, që u bë për herë të parë nga rrjedha tradicionale e meshës së Pashkëve. Sodano tha se kisha është me Papën, populli i Zotit nuk mund të largohet prej kishës për shkak të fjalëve, që po qarkullojnë së fundi. Kardinali Sodano lavdëroi Papën gjithashtu, që ka reaguar me durim ndaj sulmeve për shkak të rasteve të abuzimeve seksuale me të rinjtë në kishën katolike. Sodano:

„I ofenduari nuk është përgjigjur me të njëjtën monedhë, i dëmtuari nuk është përbetuar për hakmarrje, por ai i beson atij që gjykon në drejtësi.“

Benedikti i XVI nuk iu referua asnjëherë debatit për abuzimet në kishën katolike as gjatë ditëve të Pashkëve dhe as gjatë meshës tradicionale. Në përfundim të meshës ai dha urimet e Pashkëve në 65 gjuhë të botës.

Autor: Gregor Hoppe/ Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi