1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa ka pritur ipeshkvin e Limburgut Tebartz van Elst

epd,kna/Angjelina Verbica21 Tetor 2013

Pas pesë ditë pritjeje Franz-Peter Tebartz-van Elst u prit të hënën nga Papa. Me sa duket ipeshkvi i Limburgut kishte hyrë në Vatikan një ditë më parë për t'iu shmangur gazetarëve.

https://p.dw.com/p/1A3FT
Fotografi: picture-alliance/dpa

Piaca Navona në Romë ishte akoma në errësirë, kur fotografi i parë doli për të pritur ipeshkvin e Limburgut Franz-Peter Tebartz- van Elst. Dy orë më vonë aty u mblodh një grumbull i madh gazetarësh, por më kot. Për t'iu shmangur gazetarëve dhe fotografëve ai ishte strehuar që një ditë përpara në Vatikan, me sa duket në campo santo Teutonico, një enklave gjermane në Vatikan, pranë katedrales së shën Pjerit.

Papa predikon kundër etjes për para

Në meshën e mëngjesit në orën shtatë Papa Francesku tha fjalë të qarta, përsa i përket kishës dhe parave. Pa përmendur ipeshkvin e Limburgur dhe rezidencën e tij të re, që ka kushtuar më shumë se 31 milionë euro, ai dënoi etjen për para: «Nëse një person është i dhënë shumë pas parasë, ai shkatërron veten dhe familjen e tij!"

Paraja nuk është e keqe në vetvete, tha Papa në predikimin e tij. «Paraja mund të bëjë shumë gjëra të mira, mund të bëjë shumë punë për të mirën e përbashkët, por kur ajo të zë zemrën, shkatërrohesh." Problemi i vërtetë nuk është paraja, por qëndrimi i njerëzve. Edhe varfëria nuk është qëllim në vetvete, por vetëm një mjet, tha Papa. Pasuria është një dhuratë e Zotit, «me qëllim që të mund të bëjmë vepra të mira».

Katedralja e Limburgut
Katedralja e LimburgutFotografi: picture-alliance/dpa

Se çfarë kanë biseduar Papa dhe ipeshkvi i Limburgut në audiencë private, Vatikani nuk e bëri të ditur. Po e paqartë mbeti, nëse në bisedë ishte përfshirë arqipeshkvi i Këlnit, Kardinali Joachim Meisner, i cili kishte qenë në audiencë te Papa menjëherë para ipeshkvit të Limburgut.

Një njeri i besuar i Papës tha në një intervistë me gazetën italiane "La Repubblica" se Françesku është kundër priftërinjve me prirje për t'u dhënë pas luksit. "Bergoglio nuk i do klerikët, që sillen si princa dhe punonjësit e kishës, që bëjnë udhëtime të shtrenjta dhe pëlqejnë darkat në restorantet e shtrenjta", tha Victor Manuel Fernandez, rektor i Universitetit Katolik në Buenos Aires, që ka qenë këshilltar i Papësn në kohën, kur ai ishte kryepeshkop i Buenos Airesit.