1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Papa Françesku: Bota ka nevojë për më shumë dhembshuri

Natën e krishtlindjeve mijëra katolikë kremtuan lindjen e Krishtit në katedralen e Shën Pjetrit në Romë. Kreu i 1,2 miliardë katolikëve në botë kritikoi mungesën e humanitetit në botën e sotme.

Jashtë dhe brenda në katedralen e Shën Pjetrit ishin grumbulluar mijëra vetë për të dëgjuar fjalët e Papës.

Guxim dhe dhembshuri

Mesha e kremtimit të lindjes së Krishtit është krahas fjalimit të njohur të Papës dhe bekimit në ditën e krishtlindjeve "për botën e qytetërimin" pika më kulmore e festimit të krishtlindjeve. Në predikimin e tij Papa Françesku theksoi: "A e kemi guximin që të përballemi me dhembshuri me situata të vështira dhe të ndjejmë përgjegjësi për problemet e njerëzve krah nesh, apo preferojmë të kërkojmë zgjidhje praktike, që ndoshta janë eficiente, por i heqin thelbin evangjelizmit?"

Papa 78 vjeçar argjentinas bëri fjalë për dritën që ndriçoi botën me ardhjen e Krishtit në botë: "Edhe ne në këtë Natë Krishtlindjesh përmes errësirës që mbulon botën, kemi shkuar në shtëpinë e zotit." Zoti "nuk njeh as shpërthimi zemërimi dhe as padurim. Ai është i pranishëm si babai në parabolën e djalit të humbur."

Fëmijë nga vende të ndryshme të botës

Fëmijë nga Italia, Koreja dhe Flipinet, vende që Papa i ka vizituar apo do t'i vizitojë së shpjeti shoqëruan kreun e kishës katolike gjatë hyrjes në katedrale dhe vendosën lule para një figure të Krishtit fëmijë. Para meshës Papa kishte telefonuar me disa refugjatë katolikë në një kamp në Irakun e Veriut. Në kampin pranë qytetit Erbil kërkojnë strehë mijëra vetë që kanë marrë arratinë nga dhuna e "Shtetit Islamik". "Të dashur vëllezër unë jam me gjithë zemër, shumë shumë pranë jush", ka thënë Papa.

Para pak ditësh Papa shkaktoi reagime pas kritikave të forta kundër burokracisë dhe etjes për pushtet brenda Kurisë katolike. Papa Françesku renditi 15 sëmundje të kishës katolike, duke përmendur sidomos "sklerozën shpirtërore" dhe "etjen për pushtet" të shumë shërbestarëve të lartë të kishës katolike.