1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Papa Françesku bën thirrje për paqe dhe jep bekimin tradicional "Urbi et Orbi"

Në mesazhin e tij të parë të Krishtlindjeve Papa Françesku bëri thirrje për paqe në rajonet e krizës si dhe për ndihmë ndaj viktimave të kontrabandës me njerëz, viktimave të katastrofave natyrore dhe refugjatëve.

Papa Françesku në mesazhin tradicional me rastin e Krishtlindjeve bëri thirrje për paqe në rajonet e krizës e kryesisht për Lindjen e Mesme, Sudanin e Jugut dhe Afrikën Qendrore. Konflikti në Siri ka shkatërruar shumë jetë dhe ka ngjallur urrejtje e hakmarrje, tha Papa Françesku të mërkurën (25.12.2013) duke folur para besimtarëve dhe pelegrinëve të mbledhur në sheshin e "Shën Pjetrit". Veçanërisht Papa Françesku i kushtoi vëmendje fëmijëve, të cilët shpesh janë viktimat më të dobëta të luftrave, por edhe të moshuarve e grave e të keqtrajtuara si dhe të sëmurëve. «Ti princ i paqes zbuti zemrat e atyre që ushtrojnë dhunë kudo që ata janë, në mënyrë që të ulin armët dhe të hapet rruga e dialogut", tha Papa parpara njerëzve të mledhur në sheshin qendror të Vatikanit me rastin e Krishtlindjeve.

Në mesazhin e parë të Krishtlindjeve në pontifikatin e tij Papa Françesku bëri thirrje për ndihmë për viktimat e kontrabandës me njerëz dhe për viktimat e katastrofës natyrore në Filipine. Ai apeloi për një jetë në dinjitet për refugjatët duke tërhequr vëmendjen për dramën e refugjatëve në ishullin mesdhetar të Italisë, Lampeduza. "Tragjedi të tilla nuk duhet të ndodhin sërish", apeloi kreu i Kishës Katolike. Papa Françesku në përfundim të mesazhit të tij shprehu urimet tradicionale "Urbi et Orbi" për njerëzit në mbarë ruzullin.

Të martë (24.12.2013) meshën e Krishtlindjeve në katerdralen e Shën Pjetrit Papa Françesku e mbajti para mesnatës. Gjatë meshës ai theksoi, se Jezusi erdhi në këtë botë me "mëshirë, butësi dhe zemërgjerësi". Në liturgjinë e ndryshuar pak të shërbesës fetare në katedralen e mbushur plot me besimtarë Papa Françesku mbante në dorë figurën e Krishtit fëmijë që e vendosi vet në grazhdë.

Pak para Krishtlindjeve Papa Françseku vizitoi pararadhësin e tij Papa Benediktin e XVI. Dy burrat e kishës u takuan për të biseduar dhe për t'u falur së bashku në rezidencën në Vatikan të Papës së dorëhequr. Pas dorëheqjes në shkurt 2013 Benedikti dëshironte ta kremtonte pa publicitet festën e Krishtlindjeve.