1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Papa e largon ipeshkvin nga shënjestra

Papa vendosi që ipeshkvi i shumëkritikuar Tebartz van Elst të qëndrojë në detyrë, por ai do të tërhiqet nga ipeshkiva e Limburgut, derisa një komision i posaçëm të zbardhë përfundimisht aferën e shpenzimeve.

Në dioqezën e Limburgut është krijuar një situatë që e bën të pamundur "ushtrimin e detyrës së ipeshkvit në këtë kohë", thuhet në një deklaratë të Vatikanit. Më tej: Kreu i kishës katolike "u informua në çdo moment dhe në mënyrë të zgjeruar" mbi gjendjen në Limburg. Aktualisht ka filluar nga puna një komision i Konferencës së Ipeshkvisë Gjermane për të hetuar shpenzimet e bëra për ngritjen e rezidencës së ipeshkvit. Tebartz van Elst u vendos në qendër të kritikave për shkak të rritjes së pakontrolluar të shpenzimeve për këtë rezidencë, nga 2,5 milionë eurot e propozuara në 31 milionë. Papa do të presë fillimisht rezultatet e punës së komisionit. Deri atëherë ipeshkvi do të kalojë "një kohë jashtë dioqezës".

Katedralja e Limburgut

Katedralja e Limburgut

Prej javësh Tebartz van Elst ndodhet në një rrebesh kritikash. Më shumë se kaq: Ipeshkvi ka rrezik të ndiqet penalisht për shkak të një betimi me shkrim për një fluturim të klasit të parë në Indi. Po ashtu prokuroria, pas disa denoncimeve, po heton mundësinë e një procesi hetimor për shkak të mashtrimit.

Konferenca shpreson për fillimin e dialogut

Konferenca e Ipeshkvisë gjermane (DBK) sheh me këtë vendim të selisë së shenjtë "hapjen e një mundësie për të qetësuar gjakrat në këtë situatë, si edhe për të krijuar mundësinë e një baze të dialogu." Kreu i konferencës, kryeipeshkvi i Robert Zollitsch falënderon në faqen zyrtare online "të gjithë pjesëmarrësit, që në javët e muajt e fundit u përpoqën për gjetjen e një perspektive për të ardhmen dhe kërkuan dialogun."

Edhe katolikët e thjeshtë e përshëndetën këtë vendim të papës. Alois Glück nga Komiteti Qendror Katolik Gjerman vlerëson se me këtë vendim Vatikani krijon "hapësirën e nevojshme për një zbardhje të plotë dhe konsekuente të çështjes". Mënyra si veproi Papa Françesku bazohet në dëshirën "e sundimit të drejtësisë kundrejt të gjitha palëve, ipeshkvit, instancave dhe të gjithë katolikëve në dioqezë", tha Alois Glück për Deutsche Welle-n.

Alois Glueck

Alois Glueck

Shenja të tolerancës e mirësisë

Christian Weisner nga lëvizja katolike "Ne jemi kisha" e konsideron këtë vendim të Vatikanit si "shenjë mirësie". Të shpresojmë që ky vendim të sjellë paqe edhe në dioqezën e Limburgut, tha ai. Megjithatë në intervistë me Deutsche Welle ai theksoi: "Nuk mund ta përfytyroj që ipeshkvi Tebartz van Elst, pas humbjes masive të besimit si në dioqezën e Limburgut, ashtu edhe në kishën katolike, të vazhdojë të ushtrojë detyrën në Limburg."

Prof. Dr. Ulrich Lüke

Prof. Dr. Ulrich Lüke

Ndërsa profesori i teologjisë në Universitetin e Aachenit, Ulrich Lüke është i mendimit se Vatikani do të fitojë kohë. "Me gjasë kërkohet vërtetimi me themel këtyre i akuzave, në mënyrë që më pas të jepet përgjigjja e duhur," është shprehur Lück per Deutschen Welle. "Do të ishte më keq sikur të ndodhte që ipeshkvi të përjashtohej, ndërsa raporti përfundimtar të mos përmbante asgjë substanciale." Por në rast se akuzat vërtetohen, atëherë kjo do të ketë pasoja për Tebartz van Elst. Ai do të zbresë një shkallë më poshtë, një ipeshkv në pritje, "një bari pa grigjën e vet."