1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Panariti: Dialogu Prishtinë - Beograd, kthesë historike dhe ndarje nga e kaluara

Ministri i jashtëm i Shqipërisë Edmond Panariti mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor në Berlin , "Quo Vadis, Western Balkans?", ku ishte i pranishëm edhe Guido Westerwelle.

Ministri Edmond Panariti në bisedë me Mimoza Kelmendin në Berlin (23.11.12)

Ministri Edmond Panariti në bisedë me Mimoza Kelmendin në Berlin (23.11.12)

DW: Zoti ministër, si e vlerësoni iniciativën e ambasadës hungareze dhe Institutit Aspen për këtë takim që u zhvillua në kryeqytetin gjerman ku ishin të pranishëm edhe homologët e tu fqinjë, si ai i Kosovës, Maqedonisë, Kroacisë etjer. Cilat ishin disa nga problemet që u trajtuan në këtë takim?

E. Panariti: Takimi ishte mjaft e rëndësishëm për faktin se është thuajse edhe vazhdimi i takimit që ne patëm me këtë institut (Aspen) në Tiranë, ku qysh atëherë u vendos që të bëhej një takim më i gjërë në Berlin si nevojë për tu ballafaquar më mirë më pikat më të diskutueshme për secilin vend por dhe për ato të përbashkëtat që ndajnë vendet e Ballkanit sidomos në sfidat që ne kemi përpara në procesin e integrimit europian dhe në procesin e bashkëpunimit rajonal. Këto ishin edhe dy shtyllat kryesore që përbënin sfondin e takimit në Berlin (23.1.2012). Pra se si vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të lehtësuar pastaj edhe atë që është edhe qëllimi i përbashkët i tyre përfundimtar anëtarësimi në Bashkimin Europian. Ne e filluam këtë takim të sotëm, (23.11.12) me një darkë një natë më parë (22.11.12) të cilën e organizoi ministri i jashtëm Guido ëesterëelle dhe me të cilin ne patëm mundësinë të shkëmbenim në mënyrë informale mendimet tona, pikëpamjet tona në kuadër të bashkëpunimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për sfidat që këto vende duhet të përballen për të përshpejtuar ecurinë e tyre në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Zoti Westerwelle u shpreh qartë se Gjermania është e vendosur për të çuar përpara procesin e integrimit të këtyre vendeve pavarësisht nga problemet që BE-ja ka aktualisht me përballjen me krizën financiare. Kjo sigurisht që ka tronditur edhe procesin e zgjerimit, e cila tashmë nuk ndodhet në top axhendën e politikës europiane, por gjithsesi Westerwelle u shpreh se procesi i zgjerimit të Europës me vendet e Ballkanit Perëndimor është një proces që nuk mund të ndalet dhe është një proces që do të vazhdojë deri sa të përmbyllet me sukses. „Europa nuk mund të jetë kurrë e plotë pa Ballkanin Perëndimor, pa përfshirë në kufijtë e saj politik dhe ekonomik Ballkanin Perëndimor. Westereelle iu referua në takim paraardhësit të tij , Genscher-it që ka thënë se Europa është si një biçikletë që për të qëndruar në këmbë duhet të ecë. Prandaj nga ky takim doli që procesi i integrimit duhet të ruajë dinamikën e tij në mënyrë që edhe Europa të garantojë atë dinamizëm, atë zhvillim që ajo ka përjetuar në këto 20 vitet e fundit.

Pamje nga takimi i ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor

Pamje nga takimi i ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor

DW: Por ju si ministra çfarë ofruat në takimin me ministrin gjerman?

E.Panariti: Secili vend dha vështrimin e tij lidhur me procesin e integrimit, bëri një informim për gjendjen e reformave në vend, për situatën brenda vendit, për ritmin e reformave që po ndërmerr secili vend për të ndërtuar shtetin e së drejtës, së konsolidimit të institucioneve demokratike. Ne njëkohësisht patëm rastin të shkëmbejmë edhe këndvështrimet tona për bashkëpunimin rajonal ku spikati veçanërisht dialogu që ka filluar mes Prishtinës dhe Beogradit që është një nga zhvillimet më të rëndësishme që po ndodh në Ballkanin Perëndimor. Ky është një moment kthese historike ku dy vendet Kosova dhe Serbia ulen, vendosën dialogun në nivelet më të larta, në nivel kryeministrash për të zgjidhur problemet që qëndrojnë mes dy vendeve, por njëkohësisht bashkëpunimi dhe dialogu po zhvillohet edhe me vendet e tjera të rajonit.

DW: A mendoni se dialogu i këtij niveli mes Prishtinës dhe Beogradit hap dyert për një paqe mes këtyre dy vendeve?

E.Panariti: Pyetja është e drejtë, ky është një moment shumë i rëndësishëm që do të shënojë edhe një kthesë historike, një ndarje nga e kaluara madje jo e favorshme që ka mbartur konflikte, drama, për popullin e Kosovës veçanërisht, por ka qenë e rëndë edhe për popullin e Serbisë dhe natyrisht vendosja e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit sipas këndvështrimit tim duhet të ketë si finale njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë që do të ishte edhe momenti i një kthese në histori dhe momenti i shkëputjes nga e kaluara, e gjenocidit, e dhunës, e deportimeve masive. Njohja e Kosovës nga Serbia do ti projektonte qartë dy vendet drejt integrimit të plotë në Bashkimin Europian. Por para së gjithash do të ndihmonte edhe në ruajtjen e qetësisë dhe stabilitetit dhe të paqes në rajon pasi ky nuk është një problem që i intereson vetëm Serbisë apo Kosovës por i intereson gjithë vendeve të Ballkanit. Ai njëkohësisht kontribuon për ruajtjen e stabilitetit dhe të paqes dhe të sigurisë në Europë. Dhe pikërisht i parë në këtë kontekts, ky dialog ka tërhequr vemendjen e aktorëv më të rëndësishëm të politikës botërore. Siç dihet ky dialog filloi nën patronatin e shefes së diplomacisë europiane Ashton dhe të prezencës së shefes së diplomacisë amerikane zonjës Klinton. Kjo tregon rëndësinë që politika botërore, ajo europiane i kushton vendosjes dhe përparimit të këtij dialogu i cili për mua por jo vetëm për mua duhet të ketë si finale njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Ministri Westerwelle, i pranishëm në takimin e Berlinit

Ministri Westerwelle, i pranishëm në takimin e Berlinit

DW: Ndërkohë që nuk mund të anashkalojmë edhe dialogun mes Tiranës dhe Beogradit, vizita e fundit e ministrit të jashtëm serb në Tiranë. Konretisht zoti ministër, si janë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë- a ka bashkëpunim mesdy vendeve?

E. Panariti:Përpos dialogut mes dy vendeve sovrane që do të adresojë problemet që kanë këtro vende, një rol të rëndësishëm ka dialogu Tiranë - Beorgrad. Ju e dini që zoti Merkiç zhvilloi një vizitë në Tiranë me kërkesën e tij dhe ku të dyja palët ranë dakord për të rimarrë edhe një herë fuqishëm ritmin e bashkëpunimit. Unë i kërkova zotit Mërkiç që ne duhet të dalim përtej vullnetit të shprehur për vendosjen e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe kjo kërkon që të formalizohet, të materializohet në marrëevshje të nëshkruara. Unë i kërkova në mënyrë specifike zotit Merkiç që të firmosim marrëveshjen për njohjen e diplomave reciroke universitare midis dy vendeve. Kjo gjë nuk u arrit që të ndodhë në Beograd, por unë sot mora konfirmimin nga zoti zevëndësministër serb që ishte i pranishmë në takimin e këtushëm në Berlin që po punohet që në takimin e rradhës, në vizitën time të ardhëshme në Beograd në fund të muajit mars, ne do të jemi në gjendje për të nënshkruar tre marrëveshje nga 14 marrëveshje që qëndrojnë të draftuara dhe që presin siglim. Kështu që kjo do të jetë shenja e vullnetit më të mirë që të dyja këto vende të bashkëpunojnë dhe ta konkrektizojnë këtë bashkëpunim, me nënshkrim të marrëveshjes, me zbatim të marrëveshjes dhe ajo që është më e rëndësishmja respketim të marrëveshjes, sepse kjo kërkohet madje edhe midis Prishtinës dhe Beogradit, respektimi në radhë të parë i marrëveshjeve të arritura në kuadrin e Bashkimit Evropian si garanci e vazhdimësisë së dialogut në nivel teknik dhe politik midis dy vendeve.

Pjesëmarrësit e Konferencës në Berlin -organizuar nga Instituti Aspen

Pjesëmarrësit e Konferencës në Berlin -organizuar nga Instituti Aspen

DW: Ndalemi në Shqipëri. Dhjetori po afron dhe situata vazhdon të jetë e brishtë. Ligjet që duhen miratuar duket se nuk e kanë zbutur kryeneçësinë e krerëve partiakë. Moskompromisi, përveç ndëshkimit nga BE-ja, dëmton edhe imazhin e Shqipërisë. Cilat janë arsyet që kemi një situatë të tillë zoti ministër?

E. Panariti: Situata është e tillë, jo e mirë, por kjo vjen nga probleme të mbartura sepse ne vijmë nga një situatë stanjacioni i plotë politik që mori fund në vitin 2009 kur të dyja palët - opozita dhe mazhoranca - ranë dakord për konsensusin për të bashkëpunuar për miratimin e ligjeve dhe reformave që kërkojnë tre të pestat e votave. Dhe që nga ai moment nuk është se ka kaluar shumë kohë dhe po ta shikojmë në këtë kontest, brënda kësaj periudhë janë arritur shumë gjëra të rëndësishme. Në qershor të këtij viti ne kaluam ligjin për reforma zgjedhore me tre të pestat e votave pra me konsensusin e madh, kjo u pasua me arritjen e një ligji tjetër po aq të rëndësishëm, madje do të thoja jo vetëm në Ballkan por edhe më gjerë. Shqipëria është nga vendet e para që hoqi imunitetin për zyrtarët e lartë dhe për gjykatësit duke i hapur rrugën drejtësisë për të gjykuar pa pengesë të gjithë qytetarët duke filluar që nga zyrtari më i lartë e deri tek qytetari më i thjeshtë kur ata shkelin ligjin. Njëkohësisht pritej të realizoheshin reformat e tjera. Kjo përvojë dhe për atë që ju tashmë e dini Komisioni Evropian i rekomandoi Këshillit të Ministrave dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, që pritet të shqyrtohet në fillim të muajit të ardhshëm, pra në dhjetor. Shpresoj që ne do të gjykohemi në mënyrë objektive për progresin e arritur. Pritej që të votoheshin edhe dy ligjet dhe një rregullore, por që për fat të keq nuk ndodhi si rezultat i faktit që palët e patën të vështirë të bënin kompromis siç ndodhi me ligjet e tjera, dhe për fat të keq kjo u bë edhe pjesë e retorikës së zakonshme të luftës politike. Të shpresojmë që politikanët të kenë vullnetin për ta bërë në të ardhmen.

DW: Çfarë kontributi po jep Gjermania për Shqipërinë në drejtim të integrimit në BE aktualisht?

E.Panariti: Ministri Westerwelle në takimin e fundit mu shpreh direkt duke thënë se ju nuk do të gjeni asnjë aleat më të fortë se sa Gjermania dhe se unë personalisht në procesin e integrimit tuaj si Shqipëri por edhe në integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor. Ky për mendimin tim është një qëndrim i drejtpërdrejtë dhe inkurajues për rolin që Gjermania ka dhe do të vazhdojë të luajë në intergimin e Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Ministri i Jashtëm gjerman do të bëjë së shpejti një vizitë në Shqipëri. Ai ma kofirmoi këtë sot (23.11.12) në takimin që pata me të dhe madje u interesova më konkretisht se kur do ta bëjë këtë vizitë dhe ai më tha se do të jetë shumë shpejt, pra sipas tij kjo do të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm. Mendoj se ardhja e tij në Tiranë do të jetë një rast i mirë për të intensifikuar më shumë marrëdhëniet tona të shkëlqyeshme që egzistojnë mes dy vendeve, por edhe për ti dhënë një mesazh klasës politike dhe popullit shqiptar që Gjermania është pranë ambicjeve dhe dëshirave që qeveria dhe populli shqiptar ka për t'u bërë pjesë e Evropës.