1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Panairi në Tiranë: "Politika dhe biznesi"

Deutsche Welle për 45 minuta, përmes një lidhjeje të drejtëpërdrejtë me Bon-in, më 24 prill, organizoi forum të hapuar për problemet që shqetësojnë aktualisht biznesin vendas dhe atë të huaj, që operon në Shqipëri.

default

Deutsche Welle në Tiranë

Anëtarë të kabinetit qeveritar të kryeministrit Sali Berisha, drejtues të Financave, Doganave, Tatimeve dhe Bashkimit të Dhomave të Tregëtisë u dhanë përgjigje pyetjeve të auditorit të përfaqësuar nga drejtues kompanish, ekonomistë, gazetarë... Forumi u hap me një çështje sa aktuale aq edhe thelbësore për politikën dhe biznesin: A ka mbërritur kriza globale edhe në Shqipëri?

Zëvendësministri i Financave, Florian Mima, thotë se Shqipëria nuk është prekur nga kriza.

"Shqipëria ka një ekonomi të re, ajo përbën atë që njihet tani si"emerging market". Njerëzit në Shqipëri kërkojnë të rinovojnë shtëpitë, pajisjet elektrike shtëpiake, të blejnë automjete të reja. Pra konsumi është në rritje. Është e vërtetë që dërgesat e emigrantëve që jetojnë dhe punojnë në vendet e BE-së, janë në rënie për shkak të pasojave të krizës, por kjo pritet të jetë diçka kalimtare, pasi ata vazhdojnë të jenë të lidhur me familjet e tyre në vendlindje", tha Mima.

Legjislacioni në fushën e tatimeve lidhur me detyrimet që duhet të përballojnë investitorët e huaj që investojnë në Shqipëri ishte një tjetër fokus i diskutimeve në forumin e hapur, të organizuar nga Deutsch Welle, në kuadër të Panairit gjerman në Tiranë, i pari i këtij lloji deri tani.

Hans Georg Feldmeier, një investitor gjerman, i pranishëm në këtë forum, ngriti pyetjen nëse do të ndryshojë legjislacioni që detyron investitoret e huaj të paguajnë taksa për makineritë që sjellin në Shqipëri, taksa që nuk u zbriten nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, TVSH.

"Jam përfaqësues i industrisë farmaceutike në Gjermani, i kompanisë aksionere Dermafarm, që ka marrë përsipër organizimin në Shqipëri të Profarmës, ndërrmarjes më të madhe që ka Shqipëria në këtë fushë. Investimi ynë ka një veçori, sepse po investojme në një ndërmarrje që egziston, po sjellim makineri që medikamentet mjekësore të prodhohen këtu me cilësi të lartë dhe kosto të arësyeshme. Duke shfrytëzuar njohuritë dhe dijet e specialistëve vendas në fushën farmaceutike synojme të krijojmë një treg me prodhime cilësore, të prodhuara në Shqipëri. A mund të ndryshojë legjislacioni, që të mos paguajmë taksa për makineritë që do të sjellim? Pasi duke paguar dalim me humbje", tha Hans Georg Feldmeier.


Premtimet për lehtësime

Përgjigja e kësaj pyetjeje u intereson të gjithë investitorëve të huaj që synojnë ta kthejnë Shqipërinë në një vend prodhues të produkteve që ata tregëtojnë. Ndonëse jo vetëm atyre por edhe politikës dhe shqiptarëve. Politika premtom vazhdimisht për hapje vendesh të reja pune dhe uljen e papunësisë. Punëtorët që do të drejtojnë makineritë e ardhura nga Gjermnia apo nga vende të tjera të BE-së, do të jenë në mënyrë të konsiderueshme edhe nga kontigjenti i të papunëve.

"Kompania juaj Dermaform po penalizohet pa të drejtë pasi ajo duhet të përjashtohej nga taksat. Por legjislacioni do të ndryshojë shumë shpejt. Per makineritë dhe furnizimin me medikamente mjekësore që vijnë nga kjashtë do të ketë një shkallë tatimore me 0%" premtoi, Florian Mima.

Problem tjetër shqetësues, i ngritur në Forumin "Politika dhe biznesi", ishte edhe përqindja e lartë e aksizave në ato që njihen si produkte luksi: kremëra, bojra flokësh, deodorantë etj. Zv Ministri i Financave Mima tha se në programin e qeverisë së djathtë të kryemnistrit Berisha ka qenë eliminimi krejt i aksizave, por ajo dështoi ta realizojë atë deri tani dhe se do të jetë një prioritet nëse e djathta fiton zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009.

Bashkëpunimi rajonal në fushën e doganave, rritja e përgjegjësisë së shtetit për të luftuar piraterinë e produkteve, importet ilegale, shkelja e ligjit të importeve, i atij të shënimit të markës qenë çështje të tjera që u diskutuan në forumin e hapur "Politika dhe biznesi."

Pyetjet drejtuar zv ministrit të Financave, drejtuesve të doganave dhe tatimeve qartësuan domosdoshmërinë e ndryshimit të legjislacionit për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe për të bërë Shqipërinë një vend tërheqës për investime.

Autor: Ani Ruci

Redaktor: Bahri Cani

  • Data 25.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/He4K
  • Data 25.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/He4K