1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Panairi i Vjeshtës në Lajpcig dhe prezenca e Shqipërisë në të

Siç shihet nga dokumentat që ndodhen në Arkivat e Shtazit, RPS e Shqipërisë ka dashur të shfrytëzojë pjesëmarrjen në Panair për përhapjen e ideve politike të PPSH dhe udhëheqjes së saj.

Fotografi e bërë nga një agjent i Shtazit - Takim midis një punonjësi të Ambasadës Shqiptare dhe një agjenti të Shtazit. Shqiptari i dorëzon tjetrit librat e PPSH-së që ka në çantë.

Fotografi e bërë nga një agjent i Shtazit - Takim midis një punonjësi të Ambasadës Shqiptare dhe një agjenti të Shtazit. Shqiptari i dorëzon tjetrit librat e PPSH-së që ka në çantë.

Për pyetjen si e ka ndjekur Ministria gjermane e Sigurimit (MfS) përfaqësimin shqiptar në Panairin e Vjeshtës së Lajpcigut, kthejnë përgjigje 780 faqe dokumenta që ndodhen në Arkivat e Shtazit. Pjesa më e madhe e tyre janë raporte të bashkëpunëtorëve jozyrtarë ose analiza të bëra nga punonjës profesionistë, të Ministrisë gjermane të Sigurimit, sektoret kundër terrorizmit dhe mbrojtjes nga spiunazhi.

Pjesa më e madhe e raporteve të bashkëpunëtorëve jozyrtarë bëjnë fjalë për përdorimin e tendës shqiptare të Panairit, për shpërndarjen e materialeve propagandistike nga Shqipëria. Bashkëpunëtorët jozyrtarë të Shtazit kanë vendosur kontakte me punonjësit e Ambasadës Shqiptare në Berlin, ose kanë vizituar tendën shqiptare të panairit. Mbi këto vizita ata kanë shkruar raporte me shkrim dore, ose me makinë. Nënshkrimet në raporte janë bërë nga "Ulli", Roland Horn , Peter Luchs, Anna, Fräser, Kirchner, Stefan. Topf ka qenë drejtuesi i grupit që ka bërë analizën e punës. Majori Graun ka bërë vlerësimin e tyre.

Makina e Ambasadës Shqiptare e fotografuar në Lajpcig. Njëri nga personat ka pseudonimin Aktivisti 1 dhe është punonjës i Shtazit.

Makina e Ambasadës Shqiptare e fotografuar në Lajpcig. Njëri nga personat ka pseudonimin "Aktivisti 1" dhe është punonjës i Shtazit.

Në një dokument që mban datën 8 shtator të vitit 1987, Grupit i Punës së sektorit XXII (mbrojtja nga terrori) në Ministrinë e Sigurimit, bëhet fjalë për kontaktin e vendosur me përfaqësuesit shqiptarë të panairit në Sallën 16/ Tenda 46, 7 shtator 1987, në orën e saktë 10:

"Ditën e sotme vendosa rreth orës 10:00 kontakt me përfaqësuesit shqiptarë të panairit. Pasi ju afrova stendës fola së pari me një shqiptare (rreth 25-30 vjeç, bluzë të kuqe, fund të zi, flokë të zinj), e cila më pyeti çfarë dëshiroja. Pasi shpjegova interesin tim (për marrjen e materialeve informuese) ajo shkoi dhe thirri një shqiptar që qëndronte në pjesën e pasme, foli pak me të dhe u largua. Tre shqiptarë të tjerë që ndodheshin në sfond, u larguan nga paradhoma e gjatë dhe u futën në sallën e bisedimeve. Në një paralelpiped që ndodhej në të djathtën tonë ndodheshin bimë të gjelbërta, krah prospekteve të tregtisë në gjuhën angleze, që bënin reklamë për mallrat shqiptare. Përballë meje ndodhej një mur ndarës, si dhe dy fotografi (Enver Hoxha bardhë e zi dhe Ramiz Alia, me ngjyra, fotografia e Hoxhës është pak më e madhe). Gjatë kohës së bisedës kërkush nuk ju afroa tendës nga dera që ndodhej dy metra larg nesh."

Nga i njëjti takim - Fotografi e bërë në rrugën Ernst Telman në Lajpcig

Nga i njëjti takim - Fotografi e bërë në rrugën Ernst Telman në Lajpcig

Një nga bashkëpunëtorët jozyrtarë me emrin "Brunhilde", ka shkruar: "Duke shfrytëzuar LHM 79, unë morra kontakt të ri me diplomatët shqiptarë. I ngarkuari me punë i Ambasadës, më ftoi për një vizitë në Berlin. Megjithëse që të gjithë partnerët kontaktues kanë marrë në stendën shqiptare të panairit materiale që nxisin urrejtjen, mua nuk më dhanë."

Në një nga raportet : ""Ulli" morri kontakt me ... (emri i fshirë) në (vendndodhja e fshirë). Ky tregoi interes të madh për bashkëpunim jozyrtar dhe dorëzoi materiale që nxisin urrejtjen. Pas përfundimit të LHM 79, u bë një vizitë në banesën e tij, kur ai nuk ndodhej atje dhe tek banorët e shtëpisë u gjendën materiale që nxisin urrejtjen."

Hajnci (Heinz) ka raportuar se: " I gjithë delegacioni ka shkuar në dhomën 204 ku ka kryer këshillime deri në orën 22:00. Rreth orës 22:00 i gjithë delegacioni u largua nga Forsthaus. Ai erdhi sërish në orën 23:00. Kryetari i delegacionit u largua po ashtu në orën 22:00 por nuk u kthye sërish në orën 23:00. Kur erdhën sërish në orën 23:00 të gjithë përvec (emri i fshirë… ) shkuan në dhomat e tyre. Ky piu në recepsion edhe dy vodka, gjatë pirjes së të cilave tregoi se kishin qenë për të ngrënë në Tyringer Hof në Markkleeberg."

Stasi Albanien Einfluss des MfS auf die albanische Vertretung während der Leipziger Messe Foto: Aida Cama

Stasi Albanien Einfluss des MfS auf die albanische Vertretung während der Leipziger Messe Foto: Aida Cama

Për herë të parë Shqipëria ka marrë pjesë në Panairin e Lajpcigut në vitin 1974. Me një ndërprerje kohore, ka marrë pjesë sërish në vitin 1979. Një vit më vonë shkruhet: "Mendohet se Shqipëria do të marrë pjesë në Panairin LHM 1980 sërish më një stendë informuese. Në këto kushte, pasi jemi marrë vesh edhe me Sektorin kundër spiunazhit, kemi rënë dakord që të vazhdojnë masat e marra për zbulimin e aktiviteteve subversive dhe pengimin e tyre. Bashkëpunëtorët jozyrtarë kanë ngritur lidhje stabile me diplomatët. Në të ardhmen duhen koordinuar masat me njësitë përkatëse të shërbimit."

Në një nga analizat e bëra në sektorin e mbrojtjes nga spiunazhi, sektori II, për survejimin e përfaqësuesve të vendeve jo socialiste dhe aktiviteteve surbvesive të personelit të tyre si dhe synimeve dhe aktiviteteteve të tjera të rëndësishme, kundër interesave të RDGJ (DDR) thuhet :

"Nëpërmjet një pike shërbimi në Lajpcig është bërë e njohur se një diplomat shqiptar emri i të cilit dihet, me qëndrim prokinez dhe antisovjetik, vazhdon të kërkojë kontakte me qytetarët tanë dhe të kontrollojë partnerët kontaktues ekzistues. Në përgatitje të kongresit të IX. të Partisë së Bashkuar Socialiste (SED), një burim i një qendrës u pyet, a mund të gjenden informacione dhe diskutime për këtë temë. Interes i veçantë u shfaq për programin e ri të partisë dhe statutit të saj, si dhe aleatëve të SED/KpdSU. Atij i interesojnë edhe vlerësimet tona për proceset e ndodhura në Partinë Komuniste franceze. Nëpërmjet punonjësve të ambasadës shqiptare në DDR është vendosur kontakt me rrugë postare me 18 persona nga RDGj (DDR). Ata kanë lidhje relativisht stabile me Panairin e Lajpcigut dhe me tregtinë e jashtme në RDGJ (DDR). Si dhe më parë nga ana e ambasadës shqiptare vazhdohet të dërgohen me postë tek njerëzit tanë, por edhe tek të huajt që jetojnë tek ne, si dhe qytetarëve të DDR materiale shtypi me përmbajtje maosite dhe të tilla që nxisin urrejtjen."

Një nga kërkesat e bëra për vëzhgimin e një punonjësi të Ambasadës Shqiptare në Berlin. Në kërkesë thuhet se dyshohej se ky ishte punonjës i Sigurimit Shqiptar.

Një nga kërkesat e bëra për vëzhgimin e një punonjësi të Ambasadës Shqiptare në Berlin. Në kërkesë thuhet se dyshohej se ky ishte punonjës i Sigurimit Shqiptar.

Këto analiza kanë dalë pas raportimeve të tilla: "Pasi përmenda disa herë arsyen pse ndodhesha atje, një shqiptar (emri i të cilit është fshirë) rreth 40-50 vjeç, 1.60 metra i gjatë, flokë të zinj, sy kafë, kostum të errët të lënë hapur me kravatë kafe me ornamente të vogla, dhe këmishë me viza të bardha, rozë dhe bojëqielli, këpucë kafe lëkure, orë floriri ose të larë me flori) mori nga paradhoma një broshurë "Albanien": Me lutjen time për materiale informuese politike, shqiptari shkoi sërish brenda dhe solli një raport të Alisë të mbajtur në Kongresin e IX të PPSH (PdA Albaniens). Meqenëse unë nuk mbeta ende i kënaqur ai mori edhe dy revista: "Shqipëria e re" 6/ 1986 me informacione të hollësishme për kongresin si dhe "Shqipëria sot- revistë me informacione politike 3/1987. Të gjitha në gjuhën gjermane. Pyetjes për libra të Enverit ai ju shmang. Në vazhdim të bisedës unë ju luta për informacione si mund të merrja "Shqipëria sot". Përgjigja e tij ishte se Berlini merr vetëm një numër të kufizuar, por unë mund të lija adresën time. Meqenëse nuk gjetëm menjëherë një copë letër, shqiptari nxorri nga xhepi një recetë dhe ma dha mua për të shkruar adresën.

Përveç kësaj ne folëm për motin, periudhën e ushtrisë (shqiptari ka bërë vetëm tre muaj shërbim ushtarak), mundësitë për të dëgjuar radion shqiotare, historinë e Shqipërisë, studimet, përkatësisht profesionin e dëshiruar, si dhe lidhjet e Shqipërisë me panairin e Lajpcigut. Gjatë bisedës u kuptua se përfaqësuesit shqiptarë janë të pakënaqur me gjendjen e porosive. Përveç kësaj ai më tregoi se nuk është ekonomist, por sipas fjalëve të tij merret aktualisht në Berlin me .......(kjo është fshirë). Lidhur me politikën e Shqipërisë, ai tha se vazhdon linja e vjetër, por me dëshirën për të forcuar marrëdhëniet në tregtinë e jashtme. Rreth orës 10.30 unë u ndava dhe u largova nga tenda."

Të gjitha dokumentat e Shtazit për Përfaqësimin Shqiptar në Panairin e Lajpcigut përmbajnë raporte të kësaj natyre. Vetëm në një fjali flitet për qëllimin zyrtar të Panairit dhe përfaqësimin e Shqipërisë në të: "32 biseda biznesi dhe kontrata me ndërmarrje të tregtisë së jashtme të RDGJ."

  • Data 28.02.2009
  • Autor Aida Cama
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/H3Ao
  • Data 28.02.2009
  • Autor Aida Cama
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/H3Ao