1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

190911 UNO Palästina

19 Shtator 2011

Udhëheqja palestineze ende nuk flet për atë se çfarë do të kërkojë saktësisht në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Anëtarësimin e plotë apo një status të zgjeruar të vëzhguesit. Palestinezët duan një shtet të vetin.

https://p.dw.com/p/12c7L
Tullumbace me ngjyrat e flamurit palestinez
Tullumbace me ngjyrat e flamurit palestinezFotografi: AP

„Ka ende shumë punë, për të arritur në një zgjidhje me dy shtete në Lindjen e Mesme- me një Izrael që është i sigurtë dhe me njohjen e vendit të tij fqinj dhe të një populli palestinez, që ka shtetin e vet, vetëvendosjen dhe aftësitë për të krijuar të ardhmen e tij. "

Kështu u shpreh Presidenti i SHBA-së Barack Obama vitin e kaluar pas një takimi me presidentin palestinez Mahmud Abbas. Pak më vonë Obama shtoi se do të mjaftonte një vit për t'u arritur ky qëllim. Një parashikim që doli i gabuar.

Abbasi dëshiron ndërkohë t'i marrë gjërat vetë në dorë: Ai do t'u kërkojë Kombeve të Bashkuara pranimin e Palestinës si vend anëtar dhe me këtë të forcojë sidomos ndërkombëtarisht pozicionin e tij në negociatat e ardhshme.

Për planin e Abassit ndërkaq është ndezur një debat, që mund të çojë në trazira të reja. Qeveria nacionaliste izraelite nën drejtimin e Benjamin Netanjahut e hodhi poshtë propozimin në mënyrë të prerë dhe ajo mbështetet për këtë nga Uashingtoni dhe kancelarja gjermane.

„Ne duam një zgjidhje me dy shtete, në këtë drejtim duhet të punohet. Ne nuk mendojmë se hapat e njëanshëm janë një ndihmë për këtë"

Mahmoud Abbasi megjithatë këmbëngul që rrugat e planifikuar prej tij është tërësisht legjitime dhe se nuk është fjala për një veprim të pakoordinuar, që do të paragjykonte përfundimin e  negociatave:  

„Veprimi ynë nuk është një hap i njëanshëm, siç thuhet dhe nuk është në kundërshtim me parimin e negociatave, përkundrazi ai bazohet në të drejtën ndërkombëtare."

Flamuri palestinez gjatë një proteste në Bilin
Flamuri palestinez gjatë një proteste në BilinFotografi: picture alliance / dpa

Se çfarë shpresohet nga kjo, këtë e shpjegon ish ndërmjetësuesi për bisedime i OÇP-së, Saeb Erakat:

„Statusi ligjor i vendit do të ndryshojë: do të jetë një shtet, që është nën pushtimin e një shteti anëtar të OKB-së. Nëse shikoni Kartën e Kombeve të Bashkuara, atëherë bëhet e qartë se ekziston një dallim i madh kur një shtet anëtar i OKB ka pushtuar një shtet tjetër anëtar të OKB-së brenda kufijve të njohur".

Një logjikë e thjeshtë, por bindëse. Sigurisht që edhe negociatat me Izraelin do të ngriheshin në një nivel të ri - që nuk do të ishte më midis një shteti dhe një autoriteti autonom, por midis një shteti me një shtet. Sa herë që të vijë puna për negociata të tilla, të cilat - sipas deklaratave në Jeruzalem, Uashington dhe Berlin - mund të sjellin vetëm një zgjidhje me dy shtete. As SHBA , as europianët dhe as Kuarteti i Lindjes së Mesme nuk ofrojnë propozime të realizueshme për rifillimin dhe suksesin e negociatave.

Por a është rruga përmes OKB-së një alternativë?  Kombet e Bashkuara nuk themelojnë zakonisht asnjë shtet, por vendosin për pranimin e shteteve ekzistuese.  Por një "Shtet Palestinë" nuk ka ekzistuar kurrë dhe nuk ekziston as tani.  Në vitin 1947 OKB-ja vërtet vendosi për ndarjen e Palestinës në një shtet hebre dhe një arab, ndërsa Izraeli u shpall shtet në vitin 1948, por shteti arab nuk u krijua.

Në vitin 1988, ish kreu i Organizatës Për Çlirimin e Palestinës, OÇP, Jaser Arafat njoftoi në Algjeri atëherë për "themelimin e shtetit Palestinë", por territori (Izrael, territoret e pushtuar ose të dyja)  nuk u përcaktua saktë dhe OÇP-ja ndodhej në mërgim. Kur ajo u kthye në atdhe si rrjedhojë e Marrëveshjes së Oslos, ajo nuk shpalli asnjë shtet, por që atëherë deri më sot quhet "Autoritetetet Kombëtare Palestineze".

Faktor rëndues veç kësaj është që territori për shtetin palestinez nuk është i ndarë vetëm gjeografikisht, por ndërkohë edhe politkisht dhe ideologjikisht: Në Bregun Perëndimor sundon OÇP-ja, ndërsa në Rripin e Gazës Hamasi Islamik. Dhe ky kundërshton çdo njohje të Izraelit dhe çdo marrëveshje paqësore.

Vërtet që ministri i Jashtëm i qeverisë së Hamasit, Mahamoud a-Zhlar kishte treguar mirëkuptim që të krijohej një shtet palestinez  "në çdo pjesë të Palestinës", por ky do të ishte vetëm hapi i parë, sepse...

„…Ne e duam të tërë Palestinën. Që të mos ketë keqkuptime. Në qoftë se nuk arrin brezi ynë këtë, atëherë kjo duhet të arrihet nga brezi i ardhshëm. Ne i edukojmë fëmijët tanë me këtë objektiv. Palestina quhet E Gjithë Palestina, dhe për Izraelin nuk ka asnjë vend në mesin tonë...“

Mahmoud Abbass-i nuk lodhet duke dhënë siguri që ai mendon për dy shtete brenda kufijve të 1967-ës - pra para shpërthimit të luftës gjashtëditëshe. Qeveria e Netanjahut nuk reagoi për këtë dhe në vend të kësaj po përgatitet për trazira të mundshme në Bregun Perëndimor. Kjo do t'ju shërbente si dëshmi tjetër për atë që një marrëveshje paqësore me palestinezët është e pamundur.

Dhe po ashtu jo me Mahmud Abass-in. Ky do të dobësohej më tej nga një shkallëzim i ri i dhunës dhe elementët e papajtueshëm, si Hamasi do të forcoheshin nga një konflikt i ri.

Dhe pastaj një zgjidhje do të bëhej e vështirë. I dërguari i posaçëm për Lindjen e Mesme, Robert Serry prej kohësh ishte shprehur pesimist:

„Kur të vijë shtatori dhe të dyja palët nuk do të kenë gjetur ende formulën për të diskutuar mbi zgjidhjen me dy shtete, atëherë  unë do të jem i shqetësuar. Unë jam i shqetësuar për shkak të zhgënjimit që e ndjej në Ramallah, në Hebron dhe në vende të tjera".

Autor: Peter Philipp/ Mimoza Cika-Kelmendi

Redaktoi: Auron Dodi