1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Palestinë: Të thuash me vetëdije fjalën tënde

Konflikti në Lindjen e Mesme zhvillohet edhe në media – me njëanshmëri dhe paragjykime. Këtu e kanë pikënisjen projektet, në të cilat nxënësit palestinezë mësojnë të krijojnë dhe të shprehin publikisht mendimin e tyre.

Israel Palästinenser Jahrzehnt Bild Galerie 2003

Muri ndarës mes territoreve palestineze dhe Izraelit

Me zë të lartë dhe mikrofon në dorë Ahmad Al-Khatib u jep nxënësve të shkollës udhëzimet për ushtrimet fizike të mëngjesit: „Djathtas, majtas, para, prapa!“ Përpara nxënësit e klasës së nëntë, në oborrin e madh të shkollës, janë vënë në rresht rreth 250 nxënës. Ora shënon tetë pa një çerek në Hizma, një fshat pak kilometra në lindje të Jeruzalemit. Është koha për të ashtuquajturën radio e mëngjesit: një program i drejtpërdrejtë 10-minutësh, i cili zhvillohet në të gjitha shkollat palestineze para fillimit të mësimit. Pas ushtrimeve të mëngjesit, Ahmad vazhdon me vetëbesim drejtimin e programit: një sure e shkurtër nga Kurani, himni kombëtar dhe një tekst mbi dashurinë për atdheun, të cilin e ka shkruar një nxënës i shoqërisë së sapo krijuar mediatike.

Radioja e mëngjesit ka ekzistuar gjithmonë, thotë 14-vjeçari Ahmad. Por më parë nuk ishte e zakonshme që vetë nxënësit të mund të hartonin tekste. Edhe shoqëria mediatike është e re: „Ne mendojmë bashkarisht për temat dhe më pas i përpunojmë ato.“ Tema më e rëndësishme për të: oborri i shkollës. „Shtresa e asfaltit duhet të zëvendësohet sa më shpejt me bar, sepse ndodh që fëmijët shpesh të vriten kur luajnë futboll“, thotë Ahmad. Ai dhe shokët e tij kanë folur për këtë problem edhe në radion e mëngjesit, tregon ai me krenari.


Të thuash fjalën tënde dhe të bëhesh pjesë

Ndryshimet redaksionale në radion e mëngjesit dhe shoqëritë mediatike janë rezultatet e para të projektit „Rinia thotë fjalën e saj! Kompetenca mediatike për të rinjtë palestinezë“. Këtu organizata rinore palestineze Pyalara dhe Akademia e Deutsche Welle-s u mësojnë nxënësve se si t'i kuptojnë më mirë mediat, si t'i kategorizojnë, por edhe se si t'i krijojnë vetë ato.

Das Dorf Hizma nahe Jerusalem

Fshati Hizma në afërsi të Jeruzalemit

" Këtu të rinjtë nuk kanë asnjë mundësi që të shprehen publikisht dhe të hyjnë në dialog me shoqërinë“, thotë Verena Wendisch, menaxhere lokale e Akademisë së DW-s për zonat palestineze. Drejtimi i njëanshëm i opinionit në media ua bën të rinjve edhe më të vështirë që të zhvillojnë gjykimin kritik. Këtu nis edhe projekti për kompetencat mediatike: Ai synon t'i nxisë të rinjtë palestinezë që t'i shprehin publikisht mendimet e tyre dhe që të bëhen pjesë e debateve shoqërore.


Temat që shqetësojnë nxënësit

Qasja ndaj mediave të ndryshon – këtë e ka vënë re edhe nxënësja Alaa Ahmad. Ajo vjen nga Kalandia, 15 kilometra në veri të Hizmas. Një vend domethënës për gjendjen: Këtu ndodhet një pikë kontrolli e ushtrisë izraelite si edhe një kamp refugjatësh. Këtu jetojnë pasardhësit e palestinezëve, të cilët u dëbuan nga vendi i tyre në vitin 1948, kur u krijua shteti i Izraelit. Në Kalandia, Alaa ndjek shkollën e vajzave, të ngritur nga OKB-ja.

Në pushimet mes orëve dhe në orët e lira, 14-vjeçarja takohet në bibliotekën e shkollës me redaksinë e sapo krijuar – 10 vajza të moshës 12- deri 14-vjeçare. Alaa tregon me krenari gazetën e parë të murit, të cilën ajo së bashku me nxënëset e tjera e kanë nxjerrë këtë vit shkollor: Në faqet e një kutie të madhe kartoni me ngjyrë portokalli, krijueset e reja të medias kanë ngjitur një sërë tekstesh dhe fotosh.

Gazeta e murit mbi ngacmimet


Në tekstet e gazetës sëmurit flitet për ngacmimet në shkollë. Nganjëherë nxëneset më të rritura u marrin paratë e xhepit atyreve më të vogla në moshë, ose i detyrojnë ato që t'ua mbajnë çantën e shkollës, sqaron Alaa. „Për ne ishte e rëndësishme që t'iu tërhiqnim vëmendjen për pasojat këtyre vajzave. Nëse një nxënëse e vë veten në situatën e një viktime të ngacmimeve, atëherë ajo mbase ndërgjegjesohet për atë që po bën.“

Alaa ka shumë ide për temat për të cilat ajo ka dëshirë të shkruajë: „Ne kemi nevojë urgjente për sipërfaqe të gjelbërta në Kalandia. Unë nganjëherë ulem mbi çatinë e shtëpisë sonë dhe mendoj me vete se çfarë mund të ndryshoj unë këtu dhe se ku mund të ndërtoj unë për shembull një kopësht.“ Duke punuar për gazetën e murit, Alaa dhe shoqet e saj kanë gjetur një mënyrë për të shprehur atë që i shqetëson ato në jetën e përditshme.

Të mos thuash gjithmonë Po

Shkollat e Alaa-së dhe të Ahmad-it bëjnë pjesë në 8 shkollat e Bregut Perëndimor, të cilat janë përfshirë në projektin „Rinia thotë fjalën e saj!“ për mësimin e kompetencës mediatike. Të gjitha gjenden në të ashtuquajturën zona C, një territor me vështirësi sociale dhe ekonomike, pothuajse plotësisht nën administrimin izraelit përsa i përket çështjeve civile dhe atyre të sigurisë.

„Fëmijët tanë janë edukuar për një kohë tepër të gjatë, që të thonë Po për gjithçka“, sqaron Hania Bitar, drejtuese e organizatës rinore Pyalara. „T'i vësh gjërat në diskutim, ende edhe sot nuk shihet me sy të mirë. Me këtë projekt ne japim kontributin tonë në rritjen e një brezi të ri, i cili mëson të mendojë në mënyrë kritike, të bëjë hulumtime dhe të shtrojë pyetje.“ Projekti, i cili financohet nga Ministria gjermane e Zhvillimit, ka nisur në pranverën e vitit 2014 dhe do të vazhdojë deri në vitin 2016.

Të ngresh pyetje është prej kohësh një realitet për Ahmad-in. Shoqëria e re mediatike i jep atij besim: „Unë jam optimist se, deri në fund të vitit, asfalti i oborrit të shkollës do të zëvendesohet me bar“, thotë ai i bindur. Edhe Alaa nuk e imagjinon dot më ditën pa mediat. „Qëkur kam filluar të merrem me gazetën e murit, jam bërë më e vetëdijshme. Nëse të gjithë në shkollë e lexojnë dhe dëgjojnë atë që shkruaj unë, atëherë kjo më inkurajon.“