1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Pala serbe dhe ajo shqiptare e fajësojnë njëra-tjetrën

Raundi i nëntë i bisedimeve mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, i mbajtur me ndërmjetësimin e të ngarkuarës së BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Chaterine Ashton përfundoi pa sukses.

Shefja e diplomacisë evropiane Chaterine Ashton nuk është tepër e zhgënjyer me raundin e nëntë të bisedimeve, ndonëse nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete. Ajo shpreson se marrëveshja mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq megjithatë është e mundur të arrihet deri në prazantimin e raportit të saj për ecurinë e dialogut.

“Herën e kaluar e kam thënë se dallimet janë të ngushta por të thella. Ndërsa sot mund ta them me besim të plotë se dallimet janë të ngushta por shumë të cekëta. Deri në përgatitjen e raportit tim na kanë mbetur edhe disa orë dhe shpresoj se deri atëherë të dyja delegacionet do të reflektojnë dhe dë mund t'i ndërmarrin hapat e nevojshëm final, për t'i dhënë fund kësaj marrëveshjeje dhe për të lëvizur popujt e tyre drejt së ardhmes”, kumtoi Ashton, pas takimeve 14 orëshe në Bruksel.

Ndonëse për shumicën e pikave janë arritur kompromise, dokument në tërësi nuk është pranuar nga Beogradi. „Pala kosovare e pranon në tërësi marrëveshjen e propozuar nga baronesha Chaterine Ashton, sikur që i kemi pranuar edhe propozimet e saj të paraqitura me 4 mars dhe me 2 prill të këtij viti“, theksoi kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi duke shtuar se „pala serbe e ka refuzuar këtë marrëveshje“.

Pas shumë takimeve bilaterale dhe trilaterale, pas dy ndërprerjeve dhe informacioneve të shumta kontradiktore për ecurinë e raundit të nëntë, kryeministri Thaçi tha se „propozimi i baroneshës Ashton ka qenë i qartë dhe preciz, ndaj pala kosovare e ka pranuar në tërësi dhe pa ndryshime“.

Kosova e pranon dokumentin në tërësi

„Sikur që ka ndodhur në tri herat e kaluara, edhe sot Serbia e ka refuzuar marrëveshjen“, theksoi Thaçi. Sipas tij, pranimi i kësaj marrëveshnje është në interesin e të dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, në interesin e rajonit dhe fqinjësisë së mirë mes vendeve të rajonit, por edhe në interesin e Bashkimit Evropian.

Në foto, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi

Në foto, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi

Kryeministri Thaçi bëri të ditur se ai në emër të qeverisë dhe institucioneve të Kosovës to t'i shkruaj këtë të enjte një letër baroneshës Ashton dhe përfaqësuesve të 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do t'i informojë se Kosova e pranon këtë marrëveshje në tërësi. Kryeministri Thaçi i bëri thirrje Serbisë që edhe ajo ta pranojë marrëveshjen. Ndërsa homologu i tij serb Ivica Daçiq u shpreh se „nuk janë fare korrekte pohimet e kryeministrit Thaçi, se Serbia e ka refuzuar marrëveshjen“.

„Thaçi ka dashur që çështjet që kanë të bëjnë me policinë t'i lidhë me një pikë të re, e cila është futur në dokument: që palët të mos e bllokojnë njëra tjetrën në organizatat ndërkombëtare. Kur e përkthen këtë kërkesë në gjuhën serbe, do të thotë se Serbia duhet të pranojë që Kosova të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare, pasi që Kosova nuk mund të bllokojë Serbinë“, theksoi Daçiq. Nëse e pranojmë këtë kusht, vazhdoi ai: „atëherë më mirë është që menjëherë të shënojmë se e njohim pavarësinë e Kosovës“.

Serbia nuk do ta njoh kurrë Kosovën

„Ne këtë kusht nuk mund ta pranojmë dhe nuk do ta pranojmë kurrë, sepse kjo s'ka të bëjë fare me temën për të cilën kemi biseduar sot. Kjo temë s'ka të bëjë me institucionet në veri dhe me Asociacionin e komunave me shumicë serbe“, theksoi Daçiq duke shtuar se „Prishtina ka kërcënuar madje se çështjen e veriut mund ta zgjidhë duke përdorur edhe disa metoda të tjera“.

Kryeministri serb tha se për Beogradin janë të pranueshme të gjitha pikat e propozuara nga Ashton, por kryeministri i Kosovë "po përpiqet të bëj opstruksion të bisedimeve, me paraqitjen e kërkesave që nuk janë në rend dite"

Sipas tij, zonja Ashton i ka marrë në konsideratë propozimet e palës serbe, në veçanti ato që kanë të bëjnë me organizimin, strukturën dhe kompetencat e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas propozimeve serbe, komandantët e policisë rajonale dhe komunale do të propozoheshin nga Asociacioni dhe komunat, ndërsa përbërja e policisë do të ishte në përputhje me përbërjen etnike të komunave. Pala serbe poashtu ka kërkuar që në këtë Asociacion të jenë vetëm katër komunat e veriut dhe jo edhe Vushtria, Skenderaj dhe pjesa jugore e Mitrovicës. Poashtu ka kërkuar edhe Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës.

Pamje nga dialogu në Bruksel

Pamje nga dialogu në Bruksel

Kryeministri Thaçi tha se e gjithë marrëveshja së shpejti do të bëhet publike, por pala serbe e bëri shumë të qartë se nuk do ta pranojë pikën 14 të marrëveshjes për „mospengimin e anëtarësimit të këtyre dy vendeve në organizatat ndërkombëtare“.

Kryeministri i Kosovës tha se dialogu ka qenë dhe mbetet alternativa e vetme dhe mundësia më e mirë për të lënë mbrapa të kaluarën dhe luftërat. „Synimi i Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, në NATO dhe natyrisht në Organizatën e Kombeve të Bashkuara“, nënvizoi Thaçi.

Bisedime të rënda

Të dy kryeministrat pranuan se edhe këto bisedime, sikur edhe ato në tetë raundet e kaluara kanë qenë shumë të rënda, të vështirë dhe kohë pas kohe të tendosura. Por Thaçi nënvizoi se ky proces ka qenë i nevojshëm dhe domosdoshëm për normalizimin e raporteve mes dy vendeve të pavarura. Edhe kryeministri Daçiq u shpreh se pala serbe mbetet e përkushtuar ndaj dialogut dhe është e gatshme të vazhdojë bisedimet. Por edhe një herë përsëriti se nuk është e gatshme që të pranojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe nuk do ta njoh Kosovën si shtet.

Palës serbe i mbeten edhe shumë pak ditë të pranojë këtë marrëveshje, sepse e ngarkuara e BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Chaterine Ashton do të bëjë gati raportin e saj për dialogun deri me 22 prill. Nga ky raport varet nëse Serbia do të marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.