1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Pala kosovare dëshiron hapa përpara në bisedimet e sotme me Beogradin

Në Bruksel filloi raundi i dytë i bisedimeve mes delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit. Në këtë takim do të bisedohet për telekomunikacionin, energjinë elektrike, regjistrat civilë dhe çështje të tjera.

Rinisin negociatat mes Kosovës e Serbisë. Në foto Edita Tahiri

Rinisin negociatat mes Kosovës e Serbisë. Në foto Edita Tahiri

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë edhe kësaj radhe udhëhiqen nga zëvendëskryeministrja kosovare Edita Tahiri dhe shefi i delegacionit serb, Borislav Stefanoviç. Në prag të takimit Edita Tahiri bëri të ditur se gjatë ditës së sotme do të bisedohet për temat që janë hapur në raundin e parë të bisedimeve.

"Do të vazhdojmë të bisedojmë për telekomunikacionin dhe energjinë. Ne po përpiqemi të normalizojmë raportet mes dy shteteve të pavarura, Kosovës dhe Serbisë, sepse Serbia është e përzier në çështjet tona të brendshme si telekomunikacioni dhe energjia", theksoi Tahiri.

Udhëheqësja e delegacionit kosovar u shpreh se përzierja e Serbisë në këto çëshjte jo vetëm që e dëmton furnizimin e kosovarëve me energii elektrike, por dëmton edhe buxhetin e Kosovës.

Synim për të shkuar një hap përpara

Takimi i parë ishte një shans i mirë që të ulemi së bashku dhe të hapim temat që preokupojnë Kosovën dhe Serbinë, si dy shtete të pavarura, ndërsa tani do të përpiqemi të shkojmë një hap më përpara, tha ajo.

Pala kosovare pret përparime konkrete në këtë takim, me synim jo vetëm zgjidhjen e çështjeve që preokupojnë qytetarët, por edhe normalizimin e raporteve me shtetet fqinje, pra edhe me Beogradin, si njëri prej kushteve për afrim me Bashkimin Evropian. Ajo që pala kosovare ka refuzuar kategorikisht deri tani është hapja e çëshjtes së statusit të Kosovës dhe bisedimeve eventuale për status special të veriut të Kosovës.

Në një deklaratë para dy ditësh këtu në Bruksel, presidenti i Serbisë Boris Tadiç theksoi se në Kosovë duhet respektuar realiteti. Ky realitet do të thotë, sipas tij, që shqiptarët e Kosovës nuk duan të jetojnë nën pushtetin e Serbisë, por as serbët e veriut të Kosovës nuk duan të jetojnë nën pushtetin e Prishtinës. Kjo deklaratë ka hapur edhe një herë debatet për mundësinë që Serbia në një fazë të mëvonshme të kërkojë status special për veriun e Kosovës, e madje ndoshta edhe ndarjen e saj.

Temë e sotme sipas serbëve energjia

Pala kosovare pohon se me Beogradin në këto takime do të bisedojë vetëm për çështjet teknike, ndërsa statusi është një temë e përfunduar.

Sidoqoftë takimi i sotëm u fillua me optimizëm, sepse të dyja palët ishin të mendimit se do të ketë përparime. Shefi i delegacionit Serb, Borisllav Stefanoviç nuk deshi të flasë për temat që do të trajtohen sot. Para ardhjes në Bruksel ai ka pohuar se nuk do të nënshkruhet me Kosovën asnjë marrëveshje që do të nënkuptonte njohjen e Kosovës si shtet. Ndërsa sot u shpreh vetëm shkurt:

"Do të vazhdojmë të trajtojmë temat që kemi hapur në takimin e parë me shpresë se ato do t'i përfundojmë me sukses, ose të paktën të përfundojmë shumicën prej tyre. Sot do të trajtojmë çështjen e furnizimit me energii elektrike, dhe të pranisë së Korporatës Energjetike të Serbisë atje, për furnizimin e qytetarëve në provincën tonë Kosovën”, u shpreh Stefanoviç.

Takimi me dyer të mbyllura po mbahet me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të përfaqësueses evropiane për politikë të Jashtme, Robert Cooper.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi