1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Pakti i rrezikshëm i Europës me Turqinë

Bashkimi Europian arriti atë që gati nuk e besonte më kush: Zgjidhjen për krizën e refugjatëve. Paktin me Turqinë, Angela Merkel e shihte si rrugëdaljen e fundit, por çmimi për këtë është i lartë, mendon Barbara Wesel.

Ujdia me Ankaranë është sukses politik për Angela Merkelin. Ajo i mundëson kancelares hapësirë në politikën e brendshme dhe brenda BE-së. Vlerat e saj në sondazhe po ngjiten sërish lart, dhe sulmet nga e djathta ajo mund t'i argumentojë shumë mirë me faktin se fluksi i refugjatëve drejt Gjermanisë është ndalur në mënyrë efektive. Krahas kësaj ajo do të fitojë më shumë prestigj në BE, sepse arriti të ruajë unitetin brenda unionit.

Çmim i lartë

Por çfarë çmimi paguan Europa për këtë tregti me jetët e njerëzve? Përgjegjësia për mbrojtjen e shumicës së refugjatëve nga Lindja e Afërt dhe e Mesme i transferohet Turqisë. Ky quhet ndryshe edhe „outsourcing“- „nxjerrje jashtë“ e përgjegjësisë në formën më të keqe. Presidenti Erdogan do të angazhohet në letër që të përmbushë detyrimet ndërkombëtare dhe të njohë të drejtat e refugjatëve sipas konventës së Gjenevës. Por qëkur i mban premtimet autokrati nga Ankaraja?

Barbara Wesel Kommentarbild App *PROVISORISCH*

Barbara Wesel

BE nuk ka më ndonjë instrument politik kundër tij, nëse ai fillon t'i kthejë njerëzit në Siri e Irak, edhe nëse kjo është e ndaluar në letër. E njëjta gjë vlen edhe nëse ai i le të ata vdesin urie në rrugët e Stambollit apo Izmirit. Sapo të plotësohet dëshira e madhe e turqve për liberalizimin e vizave, europianët do të kthehen thjesht në spektatorë të kësaj drame.

Formë e re e politikës reale?

Ndoshta ata do ta kritikojnë qeverinë turke, do të kujtojnë ujditë e arritura, por sulltani Erdogan do të ngërdheshet e do vazhdojë punën e tij. Ashtu si ai nuk i ka pranuar paralajmërimet për respektimin e lirisë së shtypit dhe të drejtat e opozitës, apo ato për fillimin e bisedimeve të paqes me kurdët.

Europa e dorëzon përgjegjësinë e saj për të drejtat bazë të refugjatëve tek Turqia. Kjo do t‘i kushtojë besueshmëri e prestigj në botë. Si mundet BE t'u kujtojë autokratëve e diktatorëve të kësaj botë të drejtat e njeriut, kur ajo vetë ofron një lojë të mjerueshme dhe bëhet kaq e sulmueshme?

Bashkimi Europian do të humbasë dy të mira politike të paçmueshme: Pushtetin e butë dhe besueshmërinë. Arsyeja për këtë spektakël të keq është paaftësia për të tejkaluar egoizmat kombëtarë dhe frika nga populistët e djathtë. Nëse kjo është një formë e re e asaj që një njihet si “politika reale”, pra ajo politikë që në rast nevoje bën pakt edhe me djallin, atëherë kjo politikë është një forcë që shkatërron atë që duhet ruajtur.

U krye detyra? 

Presidenti Erdogan arrin me këtë pakt afirmimin për kursin e tij antidemokratik. Ai po e largon vendin gjithnjë e më shumë nga Europa, dhe mund të gëzohet sërish për rifillimin e bisedimeve të pranimit. E tatëpjeta e tij drejt formësimit të një diktature nuk ka për t'u ndalur dot- së paku jo nga BE.

Europa nga ana e saj kthehet në një fortesë të paarritshme për shumë refugjatë. Me këtë, do të thonë disa, përmbushet detyra e krerëve të qeverive e shteteve të BE-së. Të tjerë do të bëjnë fjalë për humbjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtat bazë. Pavarësisht nga problemet praktike në zbatimin e kësaj ujdie dhe ligjshmërisë së saj – edhe në të ardhmen ne do të përballemi me imazhet e refugjatëve sirianë që izolohen në zonën kufitare të Turqisë, apo me imazhet e afganëve e irakianëve që kërkojnë më kot aty mbrojtje. Kritika e organizatave humanitare mbetet: Ky pakt me Turqinë është i rrezikshëm, illegal dhe çnjerëzor.

Në fund të këtij artikulli ju mund të ofroni opinionin Tuaj! Ne gëzohemi dhe ju mirëpresim!