1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Pakti fiskal përballë votuesit irlandez

Referendumi në Irlandë nuk ka efekt vetoje për pjesën tjetër të Bashkimit Europian. Pakti fiskal europian pavarësisht rezultatit të referendumit irlandez, mund të hyjë në fuqi, pas ratifikimit nga 12 vende të eurozonës.

Kryeministri i Irlandës, Enda Kenny

Kryeministri i Irlandës, Enda Kenny

Katër ditë para referendumit për paktin fiskal në Irlandë, kryeministri i Irlandës, Enda Kenny ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve irlandezë për paktin europian. Miratimi i marrëveshjes për më shumë disiplinë buxhetore dhe frenimin e borxheve është garancia më e mirë për investime të vazhdueshme dhe vende pune, tha kryeministri irlandez në televizionin irlandez. Vetëm në këtë mënyre Irlanda ka mundësi të sigurta për të marrë fonde nga mekanizmi europian i stabilizimit në rast nevoje, tha Kenny. Kjo do të na ndihmojë për shërimin e mëtejshëm të ekonomisë, tha Kenny. Ai nuk do të mund zgjidhë të gjitha problemet, por është pjesë e zgjidhjes, tha Kenny në fjalimin e tij mbështetës për referendumin. Ndërkohë kryetari i Shin Feinit katolik, Gerry Adams kërkoi të mos votohej pro paktit fiskal në referendum. Njerëzit duhet të pyesin nëse pakti i BE-së për kursimet u ka sjellë atyre më shumë rritje ekonomike dhe vende pune, tha Adams. „Përgjigja është Jo“, është shprehur ai.

Referendumi pa efekt për BE

Referendumi në Irlandë nuk ka efekt vetoje për pjesën tjetër të Bashkimit Europian. Pakti fiskal europian pavarësisht rezultatit të referendumit irlandez, mund të hyjë në fuqi në momentin që ai ratifikohet nga 12 vende në eurozonë. Gjermania ka qenë promotorja kryesore e paktit fiskal. Britania e Madhe dhe Çekia e kanë kundërshtuar atë. Nga të 17 vendet e eurozonës, vetëm 12 prej tyre duhet të ratifikojnë paktin. Sondazhet e fundit flasin për një PO të sigurtë të irlandezëve për paktin fiskal. 57-60% e irlandezëve pritet ta votojnë atë.

Irlanda për shkak të krizës së borxheve mori në fund të vitit 2010 85 miliardë euro fonde shpëtimi nga Bashkimi Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Europiane. Ndihma e atëhershme ishte urgjente për të shpëtuar Irlandën nga falimentimi shtetëror.

Autor: AG/Arapi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora