1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Pakti fiskal: Gauck do të presë

Qeveria federale arriti të bindë opozitën për ESM. Tani Presidenti gjerman Gauck do t'i japë kohë Gjykatës Kushtetuese. Gauck i përgjigjet kështu dëshirës së Gjykatës Kushtetuese në Karlsruhe.

Presidenti Joachim Gauck tërheq frenin. Për shkak të padive, që priten të dorëzohen në Gjykatën Kushtetuese, ai dëshiron të mos nënshkruajë fillimisht ligjin për paktin e stabilitetit ESM dhe paktin fiskal. Kjo u njoftua nga Presidenti të enjten në mbrëmje. Gauck i përgjigjet kështu dëshirës së Gjykatës Kushtetuese në Karlsruhe. Gjykata kishte deklaruar më parë, se do të kërkojë nga kreu i shtetit, që të mos i nënshkruajë ligjet menjëherë pas miratimit të tyre nga Bundestagu (Parlamenti) dhe Bundesrati (Këshilli Federal) të premten e ardhshme. Ata kanë nevojë për kohë për të shqyrtuar ankesat. Kështu ESM nuk do të hyjë në fuqi, siç është planifikuar nga 1 korriku.

Pengesë e madhe për qeverinë gjermane

Për qeverinë gjermane kjo është një pengesë. Sepse vetëm pak orë para njoftimit nga Pallati Bellevue, selia e presidentit, ajo kishte arritur të bindte dy partitë më të mëdha opozitare, PSD dhe Të Gjelbrit. Tre orë rresht negociuan politikanët kryesorë të qeverisë dhe partive opozitare në zyrën e kancelares. Pastaj u bë e qartë se ishte arritur shumica për ESM dhe paktin fiskal. Vetëm e Majta nuk do të pajtohet me ligjin. Ajo ka frikë se "shkurtimet sociale do të gdhenden në mermer", u shpreh kryetarja e partisë, Katja Kipping. Pakti përmban shkurtime aq të mëdha dhe programe, që shtojnë varfërinë, saqë e Majta do ta refuzojë atë në parlament dhe do të ankohet në Gjykatën Kushtetuese.

Kryetari i PSD Gabriel dhe shefi i grupit parlamentar Steinmeier të kënaqur me rezultatin e negociatave

Kryetari i PSD Gabriel dhe shefi i grupit parlamentar Steinmeier të kënaqur me rezultatin e negociatave

PSD dhe të Gjelbrit megjithatë ishin të kënaqur me rezultatin e negociatave. Ata arritën të realizonin kërkesën e tyre për një taksë të transaksioneve financiare. Kryetari i partisë të Gjelbër, Cem Ozdemir, tha se qeveria në çështjet kryesore kishte lëvizur në drejtim të opozitës. Politika e pastër e kursimeve ka marrë fund. Kryetari i partisë socialdemokrate, Sigmar Gabriel, tha se është rënë dakord me kancelaren për një pako masash për zhvillimin dhe punësimin në Evropë. Për këtë duhet një burim i qëndrueshëm të ardhurash dhe ky është tatimi i tregjeve financiare. Në qoftë se në Eurozonë nuk do të ketë shumicë për këtë, atëherë Gjermania do të synojë ta arrijë futjen e taksës me nëntë vende anëtare në një "koalicion të të gatshmëve", tha Gabriel.

Kryetari i grupit parlamentar të PSD, Frank-Walter Steinmeier, shtoi se negociatat e tetë javëve të fundit kanë qenë të vështira. Në përgjithësi megjithatë, është arritur një rezultat, për të cilën ai do të dalë me një farë besimi para fraksionit të tij dhe mund të sinjalizojë aprovimin e paktit.

Pa fond për shlyerjen e borxhit

Gjykata Kushtetuese ka kërkuar t'i jepet kohë

Gjykata Kushtetuese ka kërkuar t'i jepet kohë

Të Gjelbrit duket se janë pajtuar me faktin se fondi për shlyerjen e borxhit, që ata e kishin kërkuar me forcë, nuk do të ketë fillimisht shans për t'u zbatuar. Kryetari i Partisë Ozdemir tha, megjithatë, se për shkak të shkallëzimit të krizës në Evropë, ka ende arsye për të qenë të shqetësuar për të ardhmen e euros. Nuk mund të thuhet se rreziku nuk ka kaluar. "Mbetet problemi që ne kemi borxhe të rënda, nga të cilat shtetet realisht nuk mund të dalin lehtë."

Normat e interesit prej gjashtë deri në shtatë përqind për obligacionet spanjolle dhe italiane tregojnë se vendet nuk mund të zgjidhin problemet e tyre vetëm me shkurtime e kursime. Qeveria gjermane nuk ka përgjigje, se si vendet e eurozonës mund të çliroheshin nga kthetrat e tregjeve financiare. Qeveria gjermane e sheh zgjidhjen te konsolidimi. Kjo nuk është e mjaftueshme për ne", tha Özdemir.

Qeveria është e kënaqur

Koalicioni qeveritar është padyshim i kënaqur me rezultatin e bisedimeve. Kanë qenë negociata të vështira, tha shefi i grupit parlamentar të Unionit, Volker Kauder, duke shtuar: "Unë nuk dua të merrem me thirrjet triumfuese, se kush ka arritur çfarë kundër kujt". Bisedimet janë bërë me bindjen se Gjermania, si vendi me ekonominë më të fortë në Evropë, duhet të japë kontributin e vet, për të stabilizuar euron dhe për të kapërcyer krizën. "Ky është një mesazh i rëndësishëm për Evropën, një sinjal për tregjet, se ne jemi në gjendje të veprojnë në Evropë", tha Kauder.

Edhe Özdemir dhe Trittin nga partia e të Gjelbërve do ta votojnë paktin fiskal

Edhe Özdemir dhe Trittin nga partia e të Gjelbërve do ta votojnë paktin fiskal

Kryetari i grupit parlamentar të liberalëve, FDP, Rainer Bruederle tha se ishte i kënaqur, që me refuzimin e fondit për shlyerjen e borxhit, është penguar kolektivizimi i borxhit. "Ne me këtë dërgojmë një mesazh të qartë kundër orekseve të partnerëve tanë në Evropë dhe eurozonë: Buxheti i shtetit gjerman nuk mund të zgjidhë problemet e të gjitha vendeve, që janë partnerët tanë."

Secili land federal duhet ta miratojë

Shumica në Bundestag është pra e garantuar. Tani duhet të bien dakord edhe landet federale. Landet kanë frikë se pakti fiskal do t'u sjellë një barrë më të rëndë financiare dhe kërkojnë një kompensim.Të dielën e ardhshme kancelarja do të takohet me kryeministrat e landeve për bisedimet përfundimtare.

Të premten e ardhshme për paktin fiskal dhe ESM do të votojë fillimisht Bundestag-u dhe pastaj Bundesrat-i. Menjëherë pas kësaj, kështu të paktën kanë deklaruar, partia e Majta dhe ish-ministrja e Drejtësisë, Herta Daeubler-Gmelin (SPD), do të paraqesin ankesat kundër ligjeve në Gjykatën Kushtetuese.