1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pakistanit i mungon distanca ndaj ekstremistëve

4 Maj 2013

Me vrasjen e Osama bin Ladenit nga forcat speciale të SHBA para dy vjetësh, ushtria e Pakistanit u fye. Por nga qëndrimi i dyfishtë përballë ekstremistëve ajo nuk hoqi dorë, thonë vëzhguesit

https://p.dw.com/p/18S6A
Fotografi: AP

Perëndimi ka pasur gjithmonë dyshime në seriozitetin e Pakistanit në luftë kundër talibanëve dhe rrjetit terrorist të Al Kaidas. Shërbimin e fshehtë të vendit ISI e akuzonin vazhdimisht se i mbron militantët. Mosbesimi u përforcua, pasi u vra Osama bin Ladeni nga një njësi speciale komandë e SHBA, në qytetin garnizon në veri të Pakistanit, Abbottabad. 

Sepse pas aksionit të forcave speciale politikanët perëndimorë dhe ekspertët shtruan pyetjen se si arriti terroristi më i kërkuar që të jetojë për pesë vjet me radhë pa u zbuluar në Pakistan, megjithë praninë kudo të ushtrisë dhe të shërbimit të fshehtë.

Baza për talibanët e Afganistanit

Matt Waldman, i cili e studion në universitetin e Harvardit konfliktin në Afganistan i tha DW se shumëçka flet që ISI nuk e ka ndryshuar rrënjësisht politikën e tij edhe pas vdekjes së Bin Ladenit. "Talibanët afganas në njëfarë kuptimi janë forcuar edhe më tepër, se ç'kanë qenë para mbërritjes së trupave të SHBA në vitin 2009. Numri i atentateve kundër trupave afganase dhe atyre të NATO-s në vitin 2012 ishte dyfishi i vitit 2008." Ekstremistët kanë qenë në gjendje më të mirë për sulme sepse kanë përdorur një numër të madh bazash në Pakistan. "Këto baza u shërbejnë atyre për përgatitjen e atentateve, për shkollimin dhe rekrutimin e luftëtarëve të rinj si dhe për qëllime logjistike", tha Waldman.

Ushtria pakistaneze - me qendrim të dyzuar ndaj ekstremistëve
Ushtria pakistaneze - me qendrim të dyzuar ndaj ekstremistëveFotografi: dapd

Eksperti i Azisë Jugore, Emrys Schoemaker nga London School of Economics ka një vlerësim të ngjashëm. "Të gjitha shenjat flasin që pjesë të ushtarakëve pakistanezë i mbështesin edhe më tej talibanët. Në këtë kuptim, Perëndimi ka me të drejtë arsye të tregohet skeptik." Schoemaker megjithatë tërheq vëmendjen në faktin se udhëheqja pakistaneze nuk ka pozicion të njësuar përballë talibanëve, por se kemi të bëjmë me interesa të ndryshme konkuruese.

Izolim fatal i Pakistanit

Ekspertët janë të të njëjtit mendim edhe se përpjekja e SHBA dhe e Afganistanit, për t'u futur në negociata me talibanët pa pjesëmarrjen e Pakistanit, e ka hidhëruar Islamabadin. "Uashingtoni dhe Kabuli duan t'i përfshijnë talibanët në planet për periudhën pas tërheqjes së trupave të NATO-s. Sipas medieve, ata kanë zhvilluar me disa pjesë të talibanëve bisedime të fshehta, por duan ta përjashtojnë Pakistanin nga bisedimet", thotë Naeem Ahmed, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Karaçit.

Por në Pakistan mbizotëron tek njohësit e rajonit vlerësimi se asnjë qeveri nuk mund të funksionojë në Kabul pa mbështetjen e Islamabadit. Sepse, kur nuk plotësohen interesat e tij, Pakistani mund të mbështesë kryengritës në Afganistan.

Autor: Shams Shamil/ Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica