1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pakistani ushtron trysni ndaj Perëndimit

Ishte një goditje e fortë pak para konferencës për Afganistanin në Bon: Pakistani anuloi pjesëmarrjen. Marrëdhëniet mes Pakistanit dhe SHBA-së janë në nivelin më të ulët. Grahame Lucas komenton.

default

Tensionet e fundit mes Pakistanit dhe SHBA-së kanë çuar një javë para konferencës për Afganistanin në Bon në një tjetër incident diplomatik. Sipas njoftimeve të medieve, Islamabadi do të bojktojë konferencën ndërkombëtare për të ardhmen e Afganistanit, e cila mbahet në fillim të dhjetorit në Bon. Kështu një nga aktorët më të rëndësishëm, nuk do të marrë pjesë në konsultime. E qartë është se pa Pakistanin në tryezën e negociatave, konferenca kërcënon të bëhet e pakuptimtë.

Pakistani e argumenton hapin e ndërmarrë me cënimin e sovranitetit të tij nga sulmi i fundit i NATO-s në territorin pakistanez, si pasojë e të cilit u vranë 24 ushtarë pakistanezë. Rrethanat e sulmit janë ende të paqarta. Në shumë qytete të mëdha të Pakistanit pati protesta masive nga ekstremistë fetarë. Qeveria reagoi menjëherë. Ajo bllokoi rrugë të rëndësishme nga Karaçi për në Afganistan, në të cilat kalojnë konvojet dhe furnizimet e NATO-s për trupat në Afganistan. Veç kësaj SHBA nuk mund të përdorë bazën e saj ajrore në rajonin Belushistan. Prej atje nisen avionët amerikanë pa pilotë, që kryejnë sulme në rajonin kufitar afgano-pakistanez.

Masa të tilla janë vendosur edhe në të kaluarën kur ka pasur zënka bilateriale, por pas një kohe të shkurtër janë hequr me qetësi për të mos rrezikuar marrëdhëniet me Uashingtonin. Tani situata po lejohet të shkallëzojë. Në fund të fundit në konferencën në Bon janë në lojë interesa jetike për Pakistanin.

Ai kërkon të sigurojë influencën e tij në Afganistan edhe pas tërheqjes së trupave perëndimore, para së gjithash për të kontrolluar rajonin kufitar, i cili në rast të një lufte të re me Indinë mund të përdorej si zonë tërheqjeje. Veç kësaj Pakistani kërkon të shmangë zgjerimin e marrëdhënieve të mira mes Indisë dhe Kabulit, çka do të thoshte rrethim diplomatik për Pakistanin, një skenar i tmerrshëm për politikanët në Islamabad. Për të vënë në jetë këto interesa ata shfrytëzojnë talibanët. Përsa kohë Pakistani beson se pozicioni i tij mund të lihet pas dore në konferencën për paqe, Islamabadi përdor talibanët si xhoker.

Redaktori i Deutsche Welle-s, Grahame Lucas.

Redaktori i Deutsche Welle-s, Grahame Lucas.

Në këtë situatë të ngatërruar tejet shpërthyese, konferenca për Afganistanin i ofron Islamabadit një mundësi unike, për të përmirësuar pozicionin e tij në lojën e pokerit të diplomacisë ndërkombëtare. Perëndimit mund t'i thuhet në rast mungese të Pakistanit, se paqja afatgjatë në Afganistan nuk është e mundur pa Pakistanin, aq më pak kundër tij. Duhet të bëhet e qartë: shërbimi sekret pakistanez mund t'i sjellë talibanët në tryezën e negociatave ose jo.

Tani është radhë e diplomacisë amerikane për të vepruar, por edhe e asaj evropiane. Pakistani duhet të bindet se interesat e tij legjitime do të merren parasysh. Por jo më shumë. Pakistani, si fuqi bërthamore, do të negociojë fort, por nuk do e këpusë plotësisht litarin. Vendi ka nevojë për ndihmat ushtarake dhe financiare nga SHBA dhe për ndihmën e BE-së në ndërtimin e vendit, madje në periudhë afatgjatë.

Autor: Grahame Lucas

Redaktoi: Eliana Xhani

DW.COM