1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pakicat malazeze në Shkodër kërkojnë rikthimin e mbiemrave dhe arsimimin në gjuhën amtare

7 Nëntor 2011

Shoqatat, që përfaqësojnë interesat e këtij kontigjenti njerëzish, edhe herë të tjera e kane ngritur zërin për respektimin e të drejtave themelore të kësaj pjesë të Shqipërisë, por deri tani nuk kanë gjetur zgjidhje.

https://p.dw.com/p/136RE
Ura mbi lumin e Bunës
Ura mbi lumin e BunësFotografi: DW

Të drejtat e minoriteteve dhe pakicave kombëtare edhe pse herë pas here kanë qënë në qëndër të vëmëndjes së shtetit shqiptar në rajonin verior të vendit, ato nuk shihen si për pjesën tjetër të popullatës. Minoriteti malazez me rreth 30 mijë banorë të vendosur në Shkodër dhe në disa fshatra të Malësisë së Madhe deri në afërsi të kufirit, megjithëse integruar natyrshëm në shoqërinë shqiptare, ka pretendimet e veta modeste, si arsimimin në gjuhën amtare dhe rikthimin e mbiemrave tradicionalë familjeve minoritare. Banorët e këtij minoriteti kërkojnë nga qeveria shqiptare, por edhe nga ajo malazeze, që të angazhohen seriozisht dhe t'i marrin në konsideratë kërkesat e bëra nga këto pakicat kombëtare, si një e drejtë legjitime, që ka të bëjë me trashëgiminë e të parëve të tyre.

Dy kërkesa kryesore

Pamje nga Shkodra
Pamje nga ShkodraFotografi: Mimoza Dhima

"Kërkesat tona janë shumë, por më kryesorja mendojmë se është ajo që ne të fitojmë atë, që kemi humbur vite më parë, pra të na njihet prejardhja, ajo e mbiemrave, ashtu siç i kemi patur dikur. Tjetër gjë që kërkojmë ne është edhe mësimi i gjuhës amtare. Problem ky, që ne e kemi ngritur edhe tek qeveria malazeze, duke patur edhe mirëkuptimin e qeverisë shqiptare. Ne kërkojmë që të hapet edhe një fakultet në gjuhën malazeze, i cili ka për t'i shërbyer këtyre njerëzve, që janë një numër jo i vogël në rrethin e Shkodrës. Kjo do të thotë që edhe fëmijët të mësojnë gjuhën mëmë, atë që kanë patur prindërit dhe gjyshërit e tyre. Shpresojmë se do ta realizojmë edhe këtë objektiv", thotë Pavel Mihajli.

"Kemi kërkuar gjithmonë që të na njihet origjina jonë si malazezë dhe për këtë ne kemi bërë kërkesë vazhdimisht. Njëkohësisht kërkojmë edhe që të krijohen kushtet dhe mundësitë që komuniteti ynë të mësojë gjuhën amtare, si një e drejtë themelore, që ka çdo komb", shprehet Najada Podgorica.

"Për momentin kërkesat tona nuk kanë gjetur zbatim, por shpresojmë. Unë them se çdo njeri ka të drejten e vet për me u shkollu në gjuhën e nënës, ashtu siç janë të gjithë gjuhet e huaja. Prandaj mundet që të hapet një shkollë e veçantë, që të jetë edhe me klasa si gjithë të tjerat. Ndërsa për mbiemrat çdokush, gjithmonë sipas dëshirës, ka të drejtë që të mbajë mbiemrin e vjetër siç e ka patur, pra të kthehet në origjinë, pasi përpara nuk është lejuar nga sistemi", Hajrullah Shoshi.

Kritere të BE

Sipas presidentit të shoqatës së pakicave malazeze Alba-Montenegro, Burhan Çuliq, këto kërkesa kanë të bëjnë me identitetin e këtij minoriteti, si një ndër kushtet kryesore të hyrjes në Bashkimin Evropian:

"Njëra prej kërkesave tona është risjellja e mbiemrit, pasi në një familje janë personat me mbiemra të ndryshëm, kjo është edhe në nderin e dy qeverive, asaj shqiptare dhe asaj malazeze. Ndërsa për shkollën jemi në bisedime dypalëshe. Për mendimin tim duhet të krijohet një komision i posaçëm për të vendosur për arsimimin në gjuhën tradicionale."

Rrugë në Shkodër
Rrugë në ShkodërFotografi: Mimoza Dhima

Të njëjtin mendim ndajnë edhe anëtarët e shoqatës homologe Moraça-Rozafa, të cilët kërkojnë që të ruhen karakteristikat, zakonet dhe traditat e tyre amtare, si një e drejtë themelore, që u takon, gjithmonë sipas ligjeve në fuqi:

"Ne kërkojmë kthimin e emrave dhe mbiemrave tradicionalë, të cilët i kemi pasur më parë", shprehet Zoan Ajkoja.

"Hapjen e shkollës në gjuhën amtare", Loreta Vaso.

"Financim të projekteve integruese", thotë Gani Muçiç.

Për presidentin e shoqatës Moraça-Rozafa, Pavllo Jako, shteti shqiptar ka premtuar se kërkesat e shoqatës do të bëhen pjesë e agjendës së takimeve mes dy qeverive dhe se çdo gjë do të gjejë zgjidhjen e kërkuar, pasi marëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira:

"Pika kryesore e funksionimit të shoqatës sonë është në shërbim të ruajtjes së identitetit nëpërmjet mësimit të gjuhës amtare. Ne kemi patur edhe një proçes tjetër diskriminues, siç ka qënë heqja e emrave dhe mbiemrave. Prandaj grupimi jonë kërkon që të ketë të drejtën ligjore për të ndërruar emrin dhe mbiemrin njëkohësisht. Në këtë kuadër ne po hartojmë projekte bilaterale, në mënyrë që pakica jonë të ketë një pozicion të caktuar në jetën social-politike të shtetit shqiptar."

Bashkia e Shkodrës shqyrton mundësinë e përmbushjes së kërkesave

Sipas përgjegjëses së zyrës së shërbimeve sociale pranë Bashkisë së Shkodrës, Juli Cepi, institucioni po harton strategji dhe programe të reja në drejtim të plotësimit të kërkesave të këtyre komuniteteve të vogla etnike:

"Në politikat e bashkisë Shkodër janë të përfshira edhe komunitetet e vogla, për të cilat ne po ndërhyjmë në drejtim të kërkesave të tyre, siç është arsimimi, integrimi në jetën sociale dhe ekonomike, përfshirja në të gjitha akseset, që ato kanë ndaj shërbimeve publike, si dhe rritja e kapaciteteve të tyre për përmirësimin e statusit, gjithmonë në kordinim me të gjithë aktorët e tjerë lokalë."

Minoriteti serbo- malazez, është i vendosur prej kohësh në rajonin e Shkodrës. Anëtarët e këtij komuniteti, njihen si serbo-malazezë me bindje fetare ortodokse dhe si podgoriçanë me bindje fetare myslimane. Numri aktual i familjeve minoritare serbo-malazeze, është i vogël, por ato ruajnë karakteristikat dhe identitetin etnik, celebrojne festat tradicionale, ruajnë zakonet, traditat e kulturën e tyre amtare, si dhe bashkekzistencën me pjesën tjetër të popullatës në rajonin verior të Shqipërisë.

Autor: Lekë Plani

Redaktoi: Angjelina Verbica