1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Paketa e tretë e ndihmës për Greqinë: Asnjë arsye për brohoritje

Athina merr sërish miliarda dhe kohë për reformat. Por nëse qeveria e Tsiprasit do t'i përmbushë vërtet detyrimet, kjo mbetet me pikëpyetje. Ajo e ka fajin për gjendjen e tanishme, mendon Bernd Riegert.

Lajmi se u arrit një marrëveshje në nivel ekspertësh me kreditorët dhe qeverinë për një paketë të tretë ndihme tingëllon fillimisht si lajm i mirë. Por nuk ka asnjë arsye për brohorima gëzimi. Sepse marrëveshja e re e kredive - "Memorandumi i mirëkuptimit" - është në thelb një dokument i dështimit.

Fakti që nevojitet një paketë e tretë ndihme me së paku 86 miliardë euro për tre vitet e ardhshme, tregon se dy paketat e para dhe një falje e pjesshme e borxheve në totalin e 330 miliardë eurove në pesë vitet e fundit nuk kanë pasur asnjë efekt. Pra recetat e deritanishme të eurogrupit dhe FMN-së për Greqinë nuk kanë dhënë fryte. E tani jepet e njëjta recetë. Do të funksionojë këtë herë?

Masat e kursimit dhe kushtet për shtetin grek dhe taksapaguesit të hedhura në letër janë shumë të forta. Ato janë shuma e reformave që nuk u bënë ose u bënë me gjysmë zemre këto pesë vite. Nga duhet të vijë besimi që në tre vitet e ardhshme do të kemi vërtet reforma dhe një model të ri grek?

Qëllimi është që Greqia pas tre vitesh t'i financojë vetë borxhet në tregjet e kapitalit. Qëllimi nuk është ulja nominale e borxheve, por një rritje ekonomike e tillë që të lejojë ndryshimin e relacionit të borxheve me prodhimin e përgjitshëm bruto.

Kreditorët i hedhin parimet në kosh

Paketa e tretë është një dokument dështimi, sepse aty mungon një element i rëndësishëm, është hequr kontrolli i aftësisë për të përballuar borxhet që kryhet përmes fondit europian të ndihmës, ESM. Vetëm në vjeshtë eurogrupi duhet të verifikojë nëse Greqia do mund të arrijë ndonjëherë një proporcion të pranueshëm mes borxheve dhe kapacitetit ekonomik. Prandaj FMN-ja nuk merr pjesë për momentin në paketën e re të shpëtimit. Aleanca mes kreditorëve nuk është më aq e fortë sa dukej.

Duket qartë se kreditë për Greqinë mund të zgjaten në pafundësi. Parimisht kjo është një lloj falje borxhi, vetëm se i vihet një emër tjetër. Plani fillestar, që me paketën e parë dhe të dytë Greqia do duhej t'i ulte borxhet me fuqinë e vet ekonomike ka dështuar.

Tsipras po ashtu ka dështuar

Dështimi më i zhurmshëm është ai i koalicionit të majtë me radikalët e djathtë të kryeministrit, Aleksis Tsipras. Ai erdhi me premtimin që të mos pranojë kurrë një paketë ndihme, të mos lejojë më trojkën në vend dhe t'u kursejë qytetarëve sakrifica të tjera. E kundërta e këtyre premtimeve është realitet. Vetëm para pesë javësh grekët i thanë "jo" me referendum kursit që po vuloset tani. Partia qeverisëse Syriza po përçahet. Para grekëve qëndrojnë zgjedhjet e reja. Si mund të jetësohen në këto kushte reformat mbetet enigmë.

Vetë Aleksis Tsipras ka kërkuar me urgjencë paketën e tretë të ndihmës, për shkak të kërcënimit nga falimentimi. Ai e kuptoi shumë vonë se Greqia pa monedhën e përbashkët do kishte një rrokullisje të paditur. Në pikën më emergjente ai ra dakord për kalimin e pasurive shtetërore tek kreditorët. Praktikisht ai ka pranuar gjithçka që të marrë sa më shpejt para. Pra, mund të dyshosh se ai jep premtime, për të marrë kredi. Nëse premtimi mbahet, kjo nuk dihet.

Kryeministri do të mbesë në pushtet, për këtë ai nuk kursen asnjë lloj ndryshimi kursi. Por atij nuk mund t'i besosh. Prandaj në paketën e tretë janë integruar garanci dhe verifikime të tjera. Mbetet të shihet nëse ato kanë efekt. Mund të kujtojmë që deri në vjeshtën e vitit të kalaur në Greqi të gjitha shenjat të flisnin sikur më e keqja kishte kaluar. Pas ndryshimit të qeverisë dhe taktikës tejet të papërgjegjshme të trupës së Tsiprasit, Greqia ra në recesion në pranverën e 2015-s, bankat falimentuan dhe buxheti shënon deficite të reja.

Një bilanc tronditës. Prandaj mbetet me pikëpyetje nëse mund të kthehet tani timoni me një paketë të tretë ndihme, kushtet e të cilës as popullsia dhe aq partia qeverisëse nuk i pranojnë në thelb. Po blihet kohë. Por a do të përdoret ajo? Pas ujdisë është para zbatimit. Nëse edhe paketa e tretë dështon, atëherë dalja e Greqisë nga eurozona nuk mund të ndalet më.

Deutsche Welle gëzohet nëse do të jepni opinionin Tuaj poshtë këtij komenti!