1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Paketë ndihme për bankat italiane

Parlamenti italian miraton një paketë shpëtimi prej 20 miliardë eurosh për bankat.

Parlamenti italian dha dritë të gjelbër për një paketë të mundshme shpëtimi për bankat në vlerë prej deri në 20 miliardë euro. Senati dhe Dhoma e Deputetëve miratuan kërkesën përkatëse të qeverisë për të ndihmuar sistemin bankar "që të konsolidohet dhe të zhvillohet", tha ministri i Financave, Pier Carlo Padoan.

Nisur prej krizës bankare në Itali, kryeministri i ri Paolo Gentiloni deklari të hënën në mbrëmje se do të përgatiste si masë paraprake parandaluese një paketë ndihme prej 20 miliardë eurosh. Miratimi i parlamentit ishte i nevojshme për shkak të ndikimit të paketës së shpëtimit ndaj deficitit shtetëror.

Bankat italiane kanë kredi të këqija që arrijnë në 360 miliardë euro. Në rrezik akute është aktualisht banka Monte dei Paschi di Siena, institucioni i tretë më i madh bankar në vend. Ajo po lufton që deri në fund të vitit të arrijë një rritje kapitali prej pesë miliardë eurosh. Nëse kjo nuk arrihet banka do të falimentojë. Sipas burimeve të brendshme planet për të fituar me Katarin një "investitor spirancë" për rritjen e planifikuar të kapitalit kanë dështuar, por shteti italian mund t'i vijë në ndihmë nëse është e nevojshme bankës më të vjetër në botë.

Koha vrapon

Banka Monte dei Paschi di Siena shpresonte se investitorë nga Katari do të investonin në të përmes një fondi shtetëror një miliardë euro. Tani kjo bankë i ka varur shpresat tek investitorët institucionalë që kanë kohë deri sot (22.12.) në orën 14:00 për të blerë aksione të reja. Investitorët e vegjël dhe ata që janë klientë të bankës, nuk kanë më të drejtë të blejnë aksione.

Investitorët dhe ata që kanë kursime në këtë bankë janë të shqetësuar, sepse gjendja e bankës Monte dei Paschi di Siena është më kritike nga sa mendohej. Paratë e bankës mjaftojnë vetëm për katër muaj, njoftoi ky institucion bankar. Gjatë të mërkurës aksionet e kësaj banke ranë në një nivel rekord prej 15 eurosh.

Të prekur dhjetra-mijëra klientë

Tani të gjithë sytë janë drejtuar nga shteti. Por edhe nëse shteti italian e ndihmon bankën ka ende një numër pengesash. Sepse sipas rregulloreve të BE-së, investitorët privatë duhet të pranojnë humbjen e një pjesë të parave të tyre, nëse shteti i ndihmon një banke. Në rastin e  bankës Monte dei Paschi di Siena do të preken dhjetëra investitorëve të vegjël. Në qoftë se ata do të duhet të paguajnë për shpëtimin e bankës, kjo do të jetë një manovër e ndjeshme politike për kryeministrin e ri Paolo Gentiloni - sidomos sepse ai do që të rizgjidhet vitin e ardhshëm. Për këtë ministri i Ekonomisë Pier Carlo Padoan po përpiqet t'i qetësojë investitorët e vegjël duke thënë se ndikimi ndaj tyre do të jetë minimal.

Por në rast se borxhi shtetëror i Italisë rritet, vendin e kërcënojnë pasoja të tjera, sepse është në rrezilk nota e bonitetit "A" që nevojitet për të marrë kredi rifinancimi pranë Bankës Qendrore Evropiane.