1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Pak shpresa për afrim midis Shkupit dhe Athinës

Në Nju Jork fillon sot raundi i bisedimeve midis Greqisë dhe Maqedonisë për zgjidhje konsensusi në konfliktin për emrin, që do do të hapte rrugën e pranimit të Shkupit në NATO. Shpresat për kompromis duken të vakta

Kufiri greko - maqedonas

Kufiri greko - maqedonas

Me qëndrime diametralisht të kundërta dhe sfond klimën e acaruar në të dyja vendet dy negociatorët Vasillaqis dhe Dimitrov, nën kryesinë e ndërmjetësit ndërkombëtar Mathew Nimetz, fillojnë sot në Nju Jork pa shpresa të mëdha raundin e ri të bisedimeve për zgjidhje konsensusi në çështjen e emrit që do t’i hapte rrugën Shkupit për të marrë ftesën së bashku me Tiranën dhe Zagrebin për zgjerimin e NATO-s në Bukuresht, muajin prill, dhe do të forconte stabilitetin në rajon. Me gjithë presingun e ushtruar, veçanërisht nga Uashingtoni, të dyja palët flasin akoma për "vija të kuqe", siç tha kryeministri Gruevski, për të cilin është i padiskutueshëm emri aktual kushtetues dhe i vetmi lëshim i mundshëm pranimi i një emërtimi të veçantë për marrëdhëniet me Greqinë.

Për Athinën nga pesë emërtimet e dekonspiruara të Nimetz i pranueshëm është vetëm "Maqedonia e Sipërme", pra një emërtim me termin "Maqedoni" vetëm si përcaktim gjeografik për të gjitha përdorimet ndërkombëtare dhe pashaportat e qytetarëve të vendit fqinj, që në planin e brendshëm mund të përdorë çdo emërtim të pëlqimit të tij. Çdo zgjidhje tjetër, konsiderohet humbje apo grackë, siç parapelqen të shkruajë media, anketimet dalin të gjitha pro vetos (mbi 60%) dhe partia nacionaliste Alarmi Ortodoks Popullor përgatit miting të Merkurën para shtatores se Aleksandrit të Madh në Selanik. "Ne grekët, ne maqedonasit, nuk do ta falim kurrë Maqedoninë dhe këtë mesazh ta marrë e para qeveria greke" thothë një nga eksponentët kryesorë të partisë Adhonis Gjeorgjadhis duke rikujtuar situatën e viteve 90-të që çoi në embargo dhe acarim disavjeçar. Thirrja për embargo u dëgjua bile dhe nga figura historike e së majtës greke dhe kompozitori i njohur Miqis Teodoraqis që e sheh Greqinë "pa aleatë" dhe situatën në Ballkan "më tepër se tragjike", por që ngjalli dhe reagime kritike.

Por ajo që e çtensionon disi klimën dhe fanatizmin nacionalist është kësaj radhe zëri i urtë i kishës. "Në çdo rast do të veprojmë me seriozitet dhe urtësi" thotë kryepeshkopi i ri i moderuar Ieronimos, pas qëndrimit unik të Sinodit të Shenjtë që detyroi mitropolitin e Selanikut Anthimos të deklarojë se nuk do të marrë pjesë në mitingun e së Mërkurës.

  • Data 29.02.2008
  • Autor Niko Anagnosti / Athinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DFkN
  • Data 29.02.2008
  • Autor Niko Anagnosti / Athinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DFkN