1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pak shanse për ujdi - Dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel

2 Shtator 2011

Në Bruksel vazhdon sot dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit. Bisedimet zhvillohen pas trazirave të rënda në veri të Kosovës, ku u vra edhe një polic. Delegacionet udhëhiqen nga Edita Tahiri e Borisllav Stefanoviq.

https://p.dw.com/p/12RvW
The Cathedral named after Mother Teresa at centre, in the capital Pristina on Sunday, Sept. 5, 2010, Several thousand people gathered in Kosovo's capital to mark the opening of a Roman Catholic cathedral named after Mother Teresa. The Sunday event also marked the 13th anniversary of the death of Mother Teresa, the Roman Catholic nun of ethnic Albanian origin, who worked for a half-century with the sick and destitute of India and other areas. In 1979 she won the Nobel Peace Prize for her work. Clerics in Kosovo say it will take another two years before the work on the cathedral is finished. (AP Photo/Visar Kryeziu) Montage: Florian Görner
Montage Serbien und Kosovo SymbolbildFotografi: AP/Montage DW

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Robert Cooper do të përqëndrohen më së shumti tek përdorimi i vulave kosovare në doganat me Serbinë. Mosnjohja e vulave të Kosovës ka bërë që Serbia të bllokojë prej shpalljes së pavarësisë importin e mallrave kosovare. Si kundërmasë, qeveria e Kosovës ka bllokuar mallrat e Serbisë në fund të muajit të kaluar dhe ka dërguar në kufi një njësi speciale për të zbatuar këtë vendim. Kjo shënoi edhe fillimin e trazirave në veri, vrasjen e një polici dhe dëme të konsiderueshme materiale.

Vulat problemi më i madh

Përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit si dhe ndërmjetësuesit evropianë nënvizojnë si shumë të rëndësishëm arritjen e një marrëveshjeje për përdorimin e vulave. Shefja e delegacinit kosovar në prag të takimit tha se përveç temave të parashikuara për bisedime, është e mundur që të hapet edhe çështja e bashkëpunimit rajonal. Ndërsa sa i përket vulave në dogana, ajo u shpreh se mund të pranohen vetëm vulat që simbolizojnë shtetet. Shefi i delegacionit serb Borisllav Stefanoviq poashtu konfirmoi që ndër temat kryesore do të jetë çështja e vulave. Ai tha se marrëveshja sot është e mundur për vulat dhe kadastrat. Por të dy ata sinjalizuan se do të vazhdojnë me mbrojtjen e qëndrimeve të mëparshme.

Auf dem Foto ist die Chefin des kosovarischen Verhandlungteams und die Vizeministerpräsidentin Edita Tahiri Fotos von unserer Korrespondentin aus Brüssel - Marina Maksimovic 08. März 2011
Verhandlungen zwischen Serbien und dem KosovoFotografi: DW

Beogradi ka deklaruar në prag të këtij takimi se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që do të nënkuptonte njohjen direkte apo indirekte të pavarësisë së Kosovës. Kjo do të thotë se për palën serbe nuk janë të pranueshme vulat e Republikës së Kosovës.

Beogradi deri tani ka sinjalizuar se është i gatshëm të pranojë vetëm vulat "UNMIK-Kosovo", që sipas tyre do të thoshte respektim i Rezolutës 1244 të KS të OKB-së. Ndërsa Tahiri theksoi edhe sot se marrëveshja mund të arrihet vetëm me njohjen e simboleve të shtetit. Shefi i Zyrës serbe për Marrëdhënie me Publikun, Milivoje Mihajlloviq tha se Beogradi shpreson sot arritjen e disa marrëveshjeve konkrete. "Është e pakuptimtë që Prishtina të kërkojë që përmes vulave të arrijë pavarësinë. Të gjitha palët duhet të jenë të arsyeshme", tha ai.

Diplomatët thonë se përfaqësuesi i BE-së Cooper ka përgatitur një propozim kompromisi i cili palëve u mundëson qe zgjidhjen ta interpretojnë si të duan. Sipas tyre, do të paraqitet propozimi që vulat të kenë titullin "doganat e Kosovës", pa shenja të tjera.

Tema të tjera kyçe për bisedimet

Ndër temat e parashikuara për këto bisedime janë edhe telekomunikacioni, kadastrat, furnizimi me energji elektrike dhe njohja e diplomave. Shefi i delegacionit serb Borisllav Stefanoviq ka deklaruar se megjithë kërkesat e disa qarqeve ndërkombëtare - ndër tjerash edhe të kancelares gjermane Angela Merkel - në këtë raund nuk do të bëhet fjalë për shpërbërjen e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës.

Bisedimet do të zgjasin deri në orët e mbrëmjes, kur ndërmjetësuesi Robert Cooper do të lëshojë një kumtesë për ecurinë e tyre. Pritet që edhe Edita Tahiri dhe Borisllav Stefanoviq të paraqesin pikëpamjet e tyre për bisedimet dhe (mos)marrëveshjet eventuale. Në prag të takimit në Bruksel, Prishtinë dhe Beograd mbretëronte një atmosferë më e tendosur se në katër takimet e mëparshme, për shkak të trazirave të fundit në veri të Kosovës.

Auf dem Foto ist der Chef des serbischen Verhandlungteams Borko Stefanovic Fotos von unserer Korrespondentin aus Brüssel - Marina Maksimovic 08. März 2011
Verhandlungen zwischen Serbien und dem KosovoFotografi: DW

"Kosova nuk është kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE"

Në Bruksel po qëndron edhe Tomisllav Nikoliq kryetari i Partisë Përparimtare të Serbisë (partisë më të madhe në opozitë), i cili u takua me komisionerin për zgjerimin e BE-së Stefan Füle. "Njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është kusht formal për anëtarësimin e Serbisë në BE. Serbia duhet të plotësojë disa kushte të tjera politike dhe ekonomike, të kryejë reformat, të realizojë bashkëpunimin me vendet e rajonit dhe të vazhdojë bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës", tha Nikoliq pas takimit. Nikoliq shpjegoi se në kuadër të bashkëpunimit rajonal, një vëmendje e posaçme duhet t'i kushtohet përparimit në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës dhe vendosjes së stabilitetit të plotë në rajon. Ndërsa Füle në një kumtesë për shtyp thekson se "Serbia duhet të vazhdojë me rrugën konstruktive dhe të përgjegjshme drejt integrimeve evropiane".

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi