1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pak reformë e NSA-së

Obama dëshiron të reduktojë maninë e përgjimit të NSA-së. Sadopak. Për aktivistët e të drejtave civile kjo nuk është e mjaftueshme. Sidoqoftë do të zgjasë edhe një kohë derisa diçka të ndryshojë në këtë drejtim.

Ai e ka të qartë se duhet të ndryshojë diçka. Ky është mesazhi i presidentit të SHBA-së. Ai do të frenojë në të ardhmen maninë e shërbimit të tij të fshehtë NSA për mbledhjen e të dhënave telefonike. Për këtë Barack Obama paralajmëroi edhe gjatë vizitës së tij tek evropianët.

Dashuria mes tyre kërcënohej të thyhej nga programi i NSA-së. Me pak fjalë, Obama deklaroi në kuadër të Samitit Bërthamor në Hagë, se ai do t'i propozojë Ministrisë së Drejtësisë një reformë adekuate për programin e NSA-së. "Unë jam i bindur se ajo do të na lejojë të bëjmë atë që është e nevojshme për të qenë të përgatitur për të shmangur rrezikun nga një sulm terrorist", tha Obama. "Por po ashtu na lejon që të trajtojmë shqetësimet që kanë shprehur qytetarët."

Kush i telefonoi kujt? Nga ku dhe sa kohë? Që prej sulmeve të 11 Shtatorit 2001, pas miratimit të ligjit "Patriot Act" asnjë klient i telefonisë nuk është më i sigurtë nga përgjimi i Big Brother. Një zë proteste u përhap nëpër SHBA kur Edward Snowden zbuloi të dhënat e programit NSA disa muaj më parë. Në janar, Obama premtoi një reformë. Në fund të kësaj jave kalon afati i planifikuar për të. Paralajmërimet e Obamës për reduktimin e mbledhjes së të dhënave u vlerësuan nga aktivistët për të drejtat e njeriut si një sukses i pjesërishëm. Si për shembull nga Brett Max Kaufman nga organizata për të drejtat civile "American Civil Liberties Union (ACLU). "Ne mendojmë se ky është hapi i parë me të vërtetë i rëndësishëm nga qeveria, drejt ardhjes në përfundim se është e panevojshme dhe në masë e papërgjegjshme mbledhja e të dhënave të telefonit e të gjithë amerikanëve", tha ai për DW.

Mbledhja e të dhënave me urdhër të gjykatës

Për aq sa dihet deri tani sipas propozimit të ri, shërbimet e fshehta nuk do të kenë më të drejtë që të mbledhin vetë të dhënat e tefonatave të amerikanëve. Në vend të kësaj, ato duhet të ruhen nga kompanitë e telekomit. NSA mund të ketë pastaj qasje në to vetëm me urdhër të gjykatës. Në të njëjtën kohë me reformën e Presidentit në pritje është edhe një plan i reformës i shërbimit të fshehtë të Dhomës së Përfaqësuesve. Zëdhënësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner e vlerësoi lart projektpropozimin:

"Projekti shënon fillimin e një debati ndërpartiak se si ne të ruajmë aftësinë tonë për të shmangur sulmet dhe në të njëjtën kohë të marrim seriozisht shqetësimet në lidhje me sferën private dhe liritë e njeriut, të cilat i kanë shumë amerikanë", tha Boehner në Uashington.

NSA Spionage China Hu Jintao Obama

Edhe Kina ka qenë në fokus të programeve të përgjimit të NSA

Por, aktivistët e të drejtave të njeriut e shohin atë krejt ndryshe. "Dallimi kryesor dhe dobësia më e madhe e planit të Dhomës së Përfaqësuesve është se ajo nuk parashikon urdhërin e gjykatës nëse qeveria do të marrë të dhënat nga kompania e telefonit," thotë Kaufmann. Megjithatë, kjo është një nga pikat më themelore që duhet të bëhen gjatë reformës.

Sipas mendimit të ekspertëve ligjorë të dy propozimet nuk janë të mjaftueshme sa duhet. Për shkak se ligji 'Patriot Act' i lejon shërbimeve të fshehta të SHBA-së shumë më tepër ndërhyrje në sferën private të amerikanëve nga sa janë të dhënat e telefonisë. "Ka mbledhje të tjera të të dhënave që janë ndoshta edhe më të këqija", thotë Kaufmann. "Ato japin informacione se ku shkojmë, kë njohim, cilës kishë apo cilës parti i përkasim, ku i shpenzojmë paratë tona, te cilët mjekë kontrollohemi apo nëqoftëse posedojmë një armë."

Sidoqoftë do të zgjasë edhe një kohë derisa diçka të ndryshojë në këtë drejtim. Sepse para se të fillojë zbatimi i ndonjë reforme, qeveria dëshiron të zgjasë programin e përgjimeve në formën e tij të vjetër edhe për 90 ditë të tjera.