1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

010709 Italien G8

1 Korrik 2009

Samiti i G-8 ishte planifikuar fillimisht për në Sardenjë, por për solidaritet me qytetin e prekur nga tërmeti i rëndë kryeministri italian, Silvio Berlusconi, shpalli zhvendosjen e takimit për në L'Aquila.

https://p.dw.com/p/Iew4
Çadra ne L'Aquila
Frika e banorëve të L´Aqulas për të ardhmen dhe shpresat për ndihma janë të mëdhaFotografi: picture-alliance/ dpa

Natën e 6 prillit 2009 në rajonin e Abrucos ra një tërmet. Përreth qytetit mesjetar L'Aquila u shkatërruan shtëpitë dhe 296 vetë gjetën vdekjen. Qendra e L'Aquilas u bë shkrumb e hi, dhe pikërisht në qytetin e shkatërruar presidentët e vendeve të G-8 do të konsultohen 8-10 korrik për krizat në mbarë botën: mbi financat, klimën, mungesën e energjisë dhe sigurinë e ushqimeve.


Kryeministri i Italisë Silvio Berlusconi e shpalli papritur idenë e tij të pazakontë që samiti i G-8, takimi i më të pushtetshmëve të botës, të mos zhvillohet sipas planit në Sardenjë, por në zonën e katastrofës pas tërmetit të tmerrshëm në Abruco. Dhe ajo që për pjesën tjetër të botës tingëlloi si absurde, ka kuptim për qytetarët e L'Aquilas.

A mund të organizohet një takim i tillë?

As sot e kësaj dite në qytetin e pasur me monumente kulture nuk është kthyer normaliteti. 54.000 njerëz janë evakuuar, 36.000 vazhdojnë të jetojnë nëpër çadra. Ashtu si shumë të tjerë edhe kryebashkiaku Massimo Cialente e ka humbur zyrën e tij. Detyrën e tij të vështirë ai e kryen në rrugë, nga shtëpia, apo nga makina: "Eshtë një qytet që duhet të riorganizohet. Ne ende po përpiqemi të gjejmë zyra për administratën tonë. Por duhet të kemi parasysh, që një qytet i tërë, madje kryeqyteti i një rajoni, është shkatërruar. Tani kemi shpresë, që vëmendja nga e gjithë bota do të përqëndrohet tek ne, sepse vërtetë është kuptuar, se sa e madhe është tragjedia që na ka prekur.''

Takim larg hoteve luksoze

Udhëheqësit e G-8 dhe të shteteve të tjera si Kina, Brazili, Egjipti dhe Koreja e Jugut, që bashkëpunojnë në varësi të temave, do të strehohen në një shkollë nënoficerësh të policisë financiare në L'Aquila. Të gjithë krerët e G-8 kanë konfirmuar pjesëmarrjen duke pranuar të strehohen në një territor kazerme, vë në dukje kryebashkiaku. Edhe presidenti i SHBA-së Obama. Një sërë shoqëruesish të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive do të vendosen në shkollën e policisë. Pjesa tjetër do të banojnë nëpër hotele përgjatë Adriatikut.

Shpresa të mëdha për përkrahje dhe ndihma konkrete

Frika e banorëve të L´Aqulas për të ardhmen është e madhe. Ata shpresojnë për përkrahje dhe mirëkuptim nga krerët e vendeve të G-8. Dhe natyrisht që ata presin edhe ndihma konkrete. Të njëjtën gjë presin edhe organizatorët e samitit në qytet, siç vë në dukje presidenti i lidhjes së gazetarëve të rajonit Stefano Pallotta.

"Më të fuqishmit e botës do të kenë në L'Aquila mundësinë të marrin përsipër partneritetin për ndonjë prej monumenteve të shkatërruara në qendrën historike. P.sh. Spanja ka sponsorizuar rindërtimin e kështjellës së shekullit të 15-të. Nuk duhet të harrojmë që L' Aquila është një ndër qendrat historike më me rëndësi të Italisë sa u përket monumenteve historike dhe pikave turistike. Ndaj prania e kryetarëve të shteteve dhe qeverive këtu është e rëndësishme për rindërtimin e qytetit."

Pamjet e trishtueshme ua bëjnë banorëve jetën edhe më të vështirë

13 miliardë euro janë të nevojshme për restaurimin e 1.800 ndërtesave historike. Të shumtë janë edhe ata që shtrojnë pyetjen, nëse takimi i G-8 do të mund t' ia kthejë vërtetë gjallërinë këtij qyteti?

Disa rrugë janë ende të zëna prej rrënojave të pallateve karakteristike të shembura nga tërmeti. Kjo pamje e trishtueshme ua bën edhe më të vështirë jetën banorëve. Sonia Alessini jeton prej disa muajsh në një çadër, bashkë me fëmijët dhe prindërit. Ajo nuk sheh më perspektivë në L'Aquila: ''Jeta këtu është bërë e padurueshme, ne vetëm vegjetojmë. Qeveria na ka premtuar deri në nëntor 3.000 shtëpi druri. Dimri këtu është shumë i ashpër, pa strehim nuk mund të mbijetojmë. Edhe nëse na japin shtëpi, si do të vazhdojë me ne, kush do të na e kthejë sërish qytetin tonë?''

Shumë familje jetojnë prej muajsh në çadra
Shumë familje jetojnë prej muajsh në çadraFotografi: picture-alliance/ dpa

Qyteti dhe jeta që e karakterizonte atë - ka frikë Sonia - nuk do të rikthehet më. Edhe sikur me ndihmat e shteteve të G-8 të arrihet të shpëtohen monumentet arkitektonike të qytetit në Abruco, deri sa të vijë ajo ditë gjithnjë e më shumë qytetarë të L' Aqulas do të përpiqen të gjejnë një të ardhme diku tjetër.

Autor: Andreina Bonanni/Vilma Filaj-Ballvora
Redaktoi: Pandeli Pani