1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Pakënaqësi në prag të zgjedhjeve në Bosnje-Hercegovinë

Papunësia, sidomos e të rinjve është shumë e lartë, deri në 72 për qind - një rekord i trishtuar në Evropë.

Njerëzit në Bosnje-Hercegovinë janë të pakënaqur me politikanët e tyre. Në shkurt ata dolën në rrugë për të protestuar kundër varfërisë, korrupsionit dhe nepotizmit. Në veçanti raporti midis të ardhurave të popullsisë dhe elitave politike i ka zemëruar qytetarët edhe para zgjedhjeve. Sipas autoriteteve tatimore të vendit, ku paga mesatare është më pak se 400 euro, një pensionist merr vetëm rreth 150 euro në muaj. Por anëtarët e elitës politike mund të fitojnë deri 3.000-5.000 euro në muaj.

Edhe zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të dielën nuk pritet të sjellin ndonjë ndryshim të gjendjes së vështirë ekonomike të vendit në të cilin pothuajse një ndër çdo dy qytetarë nuk ka punë. Papunësia e të rinjve është shumë e lartë, deri në 72 për qind - një rekord i trishtuar në Evropë. Nga protestat sociale tani u shfaq një lëvizje e vogël politike- "Partia e parë" e cila thekson karakterin shumëetnik të saj. Në radhët e të rinjve është i preferuar edhe një grup popullor social-liberal "Partia jonë" - por suksesi i tyre në zgjedhjet e së dielës ndoshta nuk do të jetë shumë i madh. Nga protestat mund të përfitojnë edhe partia e qendrës së majtë "Fronti Demokratik" dhe "Partia për një të Ardhme më të Mirë," e manjatit të medias Fahrudin Radonçiç. Kjo e fundit u drejtohet në mënyrë të qartë të boshnjakëve myslimane të vendit. Anketat tregojnë se partitë me orientim etnik të boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve mund të fitojnë në zgjedhjet e ardhshme përsëri shumicën e votave. Shumë kritikë i akuzojnë ato se nxisin ndjenjat nacionaliste në mënyrë që të marrin sa më shumë vota nga radhët e etnisë së tyre.

Ndarja e pushtetit sipas parimit etnik

Bosnja dhe Hercegovina përbëhet nga dy të ashtuquajtura "etnitete", pra njësi administrative në të cilat që të tre "kombet konstituive" gëzojnë të njëjtat të drejta dhe do të vendosin për fatin e vendit. Këto struktura u krijuan në vitin 1995 me marrëveshjen e paqes së Dejtonit, e cila shënon fundin e luftës së përgjakshme të Bosnjës. Sot askush nuk është i kënaqur me Marrëveshjen e Dejtonit, sepse rezultati i ndarjes së pushtetit sipas parimit etnik pati pasoja shkatërruese për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Prej parimit të ndarjes së barabartë të pushtetit, është shkaktuar një paralizë e pushtetit.

Po ashtu të gjitha iniciativat për përmirësimin e këtij konstrukti të komplikuar shtetëror të vitit 1995 nuk kanë sjellë asgjë dhe paraliza politike dhe ekonomike të shtetit vazhdon. Korrupsioni është i shfrenuar dhe ka pak investime në infrastrukturë. Dhe me sa duket në këtë drejtim nuk do të sjellin asnjë ndryshim as zgjedhjet e tanishme.