1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Pajtimi ka nevojë për sinqeritet - Ftesa e Putinit për Tuskun në Katyn një gjest historik

Është një ngjarje historike: Kryeministri rus Vladimir Putin dhe homologu i tij polak Donald Tusk përkujtojnë për herë të parë së bashku këtë të mërkurë (07.04) masakrën e Katynit përpara 70 vjetësh.

default

Nëse do të njohësh plagët e së kaluarës së një vendi, duhet të vizitosh një varrezë. Pothuajse në çdo qytet polak mund të zbulosh gjurmët e përgjakshme të historisë së re. Nuk ka varrezë, në të cilën të mos gjesh varrezat simbolike të viktimave të sundimit gjerman të tmerrshëm nga Lufta e Dytë Botërore. Por mund të gjesh edhe mbishkrime e pllakata të tjera: pikërisht ato që të kujtojnë të vrarët në Katyn.

Krim i rëndë me pasoja afatgjata

Ishte një nga krimet më të rënda të luftës në histori me pasoja afatgjata. Viktimat ishin oficerë rezervistë të ushtrisë polake: mjekë, juristë, nëpunës, mësues, sipërmarrës, bankierë - shkurt: elita intelektuale dhe ekonomike e vendit. Oficerët ranë në duart sovjetike në shtator 1939, pasi Polonia u nda midis dy agresorëve, Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik. Më 5 mars 1940 Jozef Stalin urdhëroi ekzekutimin e mbi 20.000 oficerëve të internuar. Urdhëri u zbatua një muaj më vonë.

Logjika e agresorit: të shkatërrohet elita për të sunduar më lehtë

Logjika kriminale që qëndronte pas kësaj ishte e qartë: t' i rrëmbehej elita vendit të mundur për ta sunduar më lehtë atë. Të njëjtën logjikë përdori edhe ish-aleati i Stalinit asokohe Adolf Hitler. Ajo që të tërheq vëmendjen është se kampi i përqëndrimit Auzhvic fillimisht u krijua si një vend i asgjësimit të inteligjencës polake. Por Hitleri - edhe vetë një barbar - nuk guxoi, që t' i ekzekutonte oficerët e burgosur polakë. Stalini ia kaloi atij me mizorinë e vet.

Propaganda naziste dhe gënjeshtra e Stalinit

Nuk të habit fakti që zbulimi i varreve masive të Katynit pas marshimit të Vermahtit në Bjellorusi u dha në dorë nacionalsocialistëve një rast të mirë për propagandë. Hitleri me këtë donte të vendoste një pykë mes Polonisë dhe fuqive aleate perëndimore dhe të godiste Bashkimin Sovjetik. Sa për sy e faqe për qëllime propagandistike ai u demonstroi dhimbjen familjeve të të vrarëve. Stalini u kundërvu duke ua ngarkuar gjermanëve përgjegjësinë për këtë krim. Ky version u bë për dekada komponent i historisë që mësohej në Poloninë e qeverisur prej komunistëve. Familjet e viktimave u detyruan përmes presionit që të heshtnin lidhur me dorasit e vërtetë të masakrës. Opozita demokratike e kishte të qartë, që nuk mund të ketë marrëdhënie të mira me Rusinë, nëse nuk pranohet e vërteta.

Një gjest historik

Momenti historik erdhi, kur në vitin 1990 Mihail Gorbaçovi për herë të parë pranoi, që shërbimi sekret sovjetik NKWD ka qenë përgjegjës për vrasjet masive në Katyn. Por një gjest simbolik mungoi, gjë që e korrigjoi në vitin 1993 pasuesi i Gorbaçovit, Boris Jelcin. Presidenti rus gjatë vizitës në Poloni i kërkoi falje udhëheqjes polake dhe i dorëzoi dokumentat e krimit. Asnjëherë një president apo kryeministër rus nuk i ka nderuar të vrarët në vendin e krimit. Për këtë arsye 7 prilli 2010 dhe ftesa e Putinit drejtuar homologut polak Tusk për të ardhur në Katyn është një ngjarje historike me rëndësi të madhe për marrëdhëniet e rënduara ruso-polake.

Pas pajtimit me Gjermaninë, që u mundësua vetëm nga zbardhja e plotë e së shkuarës dhe pranimi i fajit, tani ka ardhur koha që edhe Rusia t'i afrohet fqinjit të traumatizuar. Historia e marrëdhënieve gjermano-polake ka treguar, se kjo është mënyra e vetme e drejtë. Sepse: plagët e së shkuarës, që i has në çdo hap në Poloni, shërohen vetëm nëse pranon fajin dhe përgjegjësinë historike.

Autor: Bartozs Dudek

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

DW.COM