1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

010610 Friedensjirga Afghanistan

2 Qershor 2010

Xhirga e paqës në Afganistan filloi të mërkurën (2.6.) në Kabul pasi ishte shtyrë dy herë deri tani. Rreth 1.600 delegatë gjatë takimit treditor do të diskutojnë mundësitë e pajtimit me talebanët.

https://p.dw.com/p/NfXv
Delagatët në xhirgën e paqes në Afganistan. 2.6.2010
Delagatët në xhirgën e paqes në Afganistan. 2.6.2010Fotografi: AP

Presidenti afgan Hamid Karzai qysh në fillim të vitit të kaluar vendosi prioritetin më të lartë të politikës së tij: pajtimin me talebanët dhe përfundimin e luftës në Afganistan. Për të arritur synimet e tij, thoshte presidenti, konform traditës afgane ai do të thërriste një xhirgë të paqës. Gati një vit e gjysëm iu deshën kreut të shtetit afgan për të bindur partnerët e tij si brenda ashtu dhe jashtë vendit për këtë plan. Po kush do të jetë pjesëmarrës në këtë asamble? Presidenti afgan Hamid Karzai:

Presidenti afgan mban fjalën e hapjes në xhirgën e paqes.
Presidenti afgan Hamid Karzai mban fjalën e hapjes në xhirgën e paqes.Fotografi: AP

"Shumë shpejt në Kabul do të mbahet xhirga e sigurisë kombëtare dhe në të do të marrin pjesë prijësit e fiseve, studiues të fesë, shkencëtarë, intelektualë dhe po ashtu shumë motra tona. Ata do të diskutojnë së bashku se si ne të zhvillojmë procesin e riintegrimit të vëllezërve tanë në shoqëri."

Megjithatë Karzai nuk përmendi hollësi të tjera mbi projektin e tij të rëndësishëm politik. Për detaje të tjera është përgjegjës kryeorganizatori i xhirgës, Faruk Vardak, një njeri i besueshëm i presidentit dhe i ngarkuar si ministër i Arsimit. Xhirga e paqës kombëtare thotë Vardak, është fillimi i një procesi i cili ka për qëllim pajtimin me të gjithë kundërshtarët.

"Kur flasim për pajtim me kundërshtarët atëherë në këtë mes duhet të sqarohet se për çfarë duam të pajtohemi, me kë duam të pajtohemi, ku dhe nga kush? Pritja e dytë që kemi nga kjo xhirgë e paqës është krijimi i mekanizmave të qartë për realizimin e planeve të pajtimit me kundërshtarët."

Vardak shton se në xhirgën e paqes nuk vendos qeveria por populli afgan. Megjithatë ai anashkalon faktin që ndërkohë është përpiluar një dokument 36 faqësh në të cilin janë përcaktuar propozimet e Kabulit për talebanët: luftëtarët e thjeshtë garantohen se nuk do të ndiqen penalisht, liderëve të talebanëve apo të grupit Hizbe Islami mund t'iu ofrohet shkuarja në mërgim po qe se heqin dorë nga Al-kaida. Por talebanët deri tani kanë refuzuar në mënyrë kategorike çdo bisedë me Kabulin. Megjithatë fakti që Karzai i qëndron besnik xhirgës së paqes ka arsye të qarta taktike, sqaron eksperti i sigurisë Vahid Mojda.

Nën masa të forta sigurie - pikë kontrolli e para tendës ku mbahet xhirga e paqes.
Nën masa të forta sigurie - pikë kontrolli e para tendës ku mbahet xhirga e paqes.Fotografi: AP

"Në politikën e brendshme ai mund të demonstrojë që e ka pas vetes pjesën më të madhe të shoqërisë. Përmes xhirgës së paqes ai sinjalizon partnerët të tij ndërkombëtarë, se populli afgan nuk do më luftë."

Në qoftë se kryengritësit nuk pranojnë propozimet e tij, atëherë ata do të bëhen përgjegjës për vazhdimin e luftës në Afganistan e jo Kabuli zyrtar. Në këtë mënyrë Karzai mund të paraqitet si politikan i paqes. Megjithatë vetëm kjo nuk do ta ndihmojë atë që të zgjidhë problemet e shumta që ka vendi, thotë Modja. Njerëzit presin propozime konkrete për zgjidhjen e problemeve siç janë siguria, korrupsioni dhe droga. Një "xhirgë e paqes e njëanshme" nuk do të kënaqë njerëzit në Afganistan, thekson Vahid Mojda.

Autor: Ratbil Shamel / Esat Ahmeti

Redaktoi: Eliana Xhani