1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pajtim mbi varre - Varreza e ushtarëve të Luftës së Dytë Botërore "La Cambe"

6 Qershor 2009

Pas zbarkimit të aleatëve në fund të Luftës së II-të Botërore, Normandia u kthye në një fushë varresh. 65 vjet më pas kujtimi mbahet i gjallë me varrezën e ushtarëve të rënë "La Cambe".

https://p.dw.com/p/I4cu
Pllakë përkujtimore mbi një varr në "La Cambe"
Në varrezën e ushtarëve "La Cambe" prehen 21.000 ushtarë.Fotografi: DW

Mëngjesin e 6 qershorit 1944, brenda pak orësh, zbarkuan në brigjet e Normandisë rreth 160.000 ushtarë aleatë. E ashtuquajtura „D-Day“ hyri në histori si "dita më e gjatë". Ajo shënoi fillimin e fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe të çlirimit të Evropës prej sundimit nazist. 65 vjet më vonë në Normandi ka shumë vende që të kujtojnë angazhimin më të madh të zbarkimit në historinë botërore.

Vizitorë fotografojnë monumentin e "D-Day" në plazhin Utah në Normandi.
Monumenti i "D-Day" në plazhin Utah në Normandi.Fotografi: AP

Në varrezën „La Cambe“ prehen mbi 21 mijë ushtarë. Kjo është varreza më e madhe gjermane nga gjashtë të tilla gjithsej në Normandi. Varret e të rënëve dallohen nga tabelat e vendosura të tokë - në to janë shkruar emri, datëlindja dhe dita e vdekjes si dhe grada e shërbimit të të rënit. Tetëdhjetë për qind e tyre nuk kishin mbushur as njëzet vjeç, thotë administruesi i varrezës Tisserand nga Lidhja Popullore për Përkujdesjen e Varreve të të rënëve gjermanë.

„Pllakat në formë kryqi janë prej balte. Kjo është baltë gjermane. Asokohe ky ishte një material nga atdheu, në mënyrë që ata të mos prehen në dhe krejt të huaj. Kjo pasi disa vizitorë dhe të afërm të të rënëve, mbulonin varrin e tyre me dhe nga fshati prej nga vinte ushtari. Qëllimi ishte që t'i tregonin njeriut të tyre të rënë, se nuk ishte krejtësisht në vend të huaj. “

Në shumë vende hasim në pllaka varezash me grada shërbimi të nacinalsocialistëve (SS). Lucien Tisserand thotë, se jo të gjithë ushtarët e vdekur mund të konsiderohen si kriminelë lufte. Gjithsesi duhet përmendur se këtu është i varrosur edhe oficeri gjerman Adolf Dickemann, i cili dha urdhërin për masakrën në fshatin francez Oradur-syr-Glane (Oradour-sur-Glane), ku u mbyten 600 njerëz.

„Kjo është një çështje shume delikate. Për shoqatën e varrezave ushtarake „Volksbund“ nuk ka të vdekur të mirë apo të këqinj. Ne nuk u shprehim nderime të posaçme atyre që ishin kriminelë. Ne u japim atyre vetëm strehën e duhur. Çdo të vdekuri i takon një varr, pa marë parasysh sjelljen e tij në jetë“, thotë Tisserand.

Zbarkimi i ushtarëve amerikanë në Normandi në D-Day, 6 qershor 1944.
Zbarkimi i ushtarëve amerikanë në Normandi në D-Day, 6 qershor 1944.Fotografi: AP

Vetëm disa kilometra larg që këtu ndodhet fshati me 600 banorë „La Cambe“, emrin e të cilit e mban edhe vetë varreza. Atje na ka ftuar për një kafe, Auguste Vallet një kopshtar 84 vjeçar varrezash.

Auguste Vallet ndihmoi në vitet pesëdhjetë për ndërtimin e këtyre varezave, ku prehen ushtarët gjermanë. Ai rrëfen se si u shnëdrrua fusha provizore me varre në një varrezë lufte, në të cilën amerikanët gjatë invazionit të tyre, varrosën viktimat e veta si dhe ato të ushtrisë gjermane.

Amerikanët varrosën dëshmorët e vet në njërën anë, kurse ata gjermanë në anën tjetër të varrezës. Kështu kaluan gjashtë, shtatë vite deri kur ata ndërtuan varrezën e madhe të ushtarëve në Colleville-sur Mer pranë Omaha Beach. E gjithë Normandia ishte një fushë varresh. Çdo kund kishte të vdekur që duhet të identifikoheshin. Ishte një punë shumë e vështirë dhe që duhej të kryhej me korrektësi.

Gjatë kohës së pushtimi gjerman një vajzë e re, Charlotte Dubost, ishte e detyruar të lante rrobat e gjermanëve. Sot ajo rikujton pa inat atë kohë: "Një çift gjerman kishin humbur këtu në Normandi dy djemtë e tij. Ata vinin çdo vit për të vizituar varrezën e tyre. Një herë na pyetën se a mundeshim ne të kujdeseshim për zbukurimin e varrit. Ne pranuam, dhe u kujdesëm për të me vite. Nuk ishte e lehtë për ne. Por ne e dimë se çdo të thotë të jesh prind. Fundja, nuk ishte dëshira e ushtarëve të vdesin këtu."

August Vallet dhe Charlotte Dubost e kanë të freskët në kujtimin e festës së 50 –vjetorit të çlirimit në vitin 2004, ku ish-kancleri gjerman Gerhard Schröder la jashtë vëmendjes varrezën gjermane në „La Cambe." Kjo ndezi debat jo vetëm në mbarë Gjermaninë, edhe në fshatin e vogël u diskutua me zjarr. Shumë anëtarë të komunës çdo vit më 6 qershor marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore në varrezë. Ata mendojnë, se edhe dëshmorët gjermanë duhen nderuar, por jo ata që kanë kryer krime lufte.

Varrezat në „La Cambe“ i vizitojne tani vetëm rrallë veteranë gjermanë lufte. Pas mbarimit të luftës, 83 vjeçari nga Lajpcigu Johannes Börner vazhdoi të jetojë në Normandi. Ai luftoi nga qershori e deri në fund të korrikut të vitit 1944 në betejën shkatërrimtare për qytetin Saint-Lo. Ai përjetoi bombardime, luftime në rrugë, dhe vdekjen e mijërave ushtarëve. Shumë nga shokët e tij të rënë nuk u gjetën kurrë.

"Në fillim ishim në Saint-Lo me 120 ushtarë. Një muaj më vonë mbetëm vetem 9. Pas kësaj erdhi përforcim i ri nga Gjermania. Na u bashkangjitën djem shumë të rinj, të cilët ishin vetëm 16- vjeçarë. Ata kishin shumë frikë. Nganjëherë qanin. Kur nisnin luftimet thërrisnin „mami, mami“, tregon Börner.

Vite më vonë Johannes Börner u martua me një franceze. Gruaja e tij ende nuk i ka harruar shprehjet e gjyshit të saj, veteran nga Lufta e I-rë Botërore, në momentin kur ajo i prezantoi të fejuarin saj.

„ A nuk ka mjaft francezë këtu? A duhet patjetër që i fejuari yt të jetë gjerman?“

Sot qeshin të dy kur u kujtohet kjo thënie e gjyshit. Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë. Në vitin 1963 në Pallatin Elize u lidh Marrëveshja e Miqësisë gjermano-franceze. Lindën partneritete mes qyteteve të të dyja vendeve, dhe përfundimisht u arrit deri tek festimet e mëdha të 50 dhe 60 vjetorit të çlirimit, ku morën pjesë edhe veteranë nga Gjermania.

Johannes Börner thote se me kalimin e kohës, i është bërë gjithnjë e më qartë, se sa i „verbër“ kishte qenë në rini: "Më zë tmerri kur mendoj për këtë. Ajo që kam përjetuar unë s'duhet të përsëritet asnjëherë. Atëherë ishim të rinj dhe nuk mendonim sa duhej. Nuk mendonim për pasojat e asaj që po ndodhte. Është turp i madh për ne!"

Autor: Claudia Hennen /Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Eliana Xhani