1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Pajisja me pasaportat e reja vazhdon të mbetet e vështirë

Kthimi masiv i emigrantëve në Shqipëri për pushimet verore ka rritur dhe fluksin e aplikimeve të tyre për t'u pajisur me kartat e identitetit dhe pasaportat e reja biometrike.

default

Pajisja me pasaportat e reja vazhdon të mbetet e vështirë

Në minibashkinë 7 në Tiranë qysh herët në mëngjes ka një grumbull të madh qytetarësh që bëjnë aplikime ose tërheqin dokumentet e reja të identifikimit, kartat e pasaportat bimoterike. Nga rreth 40 vetë, të cilët kanë zënë rradhë qysh në orën 8 të mëngjesit, rreth 90 përqind e tyre janë emigrantë.

Taulanti, një ish futbollist i njohur i Sport Klub Tiranës, sapo ka mbërritur nga Italia ku jeton prej më shumë se 13 viteve si emigrant. Kthimi i tij në Shqipëri këtë herë ka vetëm një synim: marrjen e pasaportave te reja për gjithë familjen. Nga vështirësitë që po has me punësimin për shkak të krizës ekonomike, Taulanti mezi pret të kthehet sërish në Bari për të rinisur nga puna. “Dua të bëj pasaportat e reja, për të gjithë, për gruan, vajzën e nënën. Nuk e di sa do të qëndroj në pritje. Sa të bëhen pasaportat, sepse kam shumë probleme atje, është situatë e sforcuar për punën. Nuk është si më parë se ka rënë shumë”.

Rradhë të gjata në minibashki

Rradhë të gjata në minibashki

Të gjithë duan të mbarojnë punë sa më shpejt

Namiku, një tjetër banor i lagjes, që jeton prej 15 viteve në Itali, duket i nervozuar duke qëndruar në rradhë. “Këtu të duhet të vish të mbash rradhë edhe për ta tërhequr kartën. Ja tani që kam ardhur jam i 17-i. Kaq mbarojnë të paktën deri nga ora 2 ose 3 pasdite. Sepse një person shërben atje brenda, çfarë mund të bëjë ai më parë”

Ermira një student në Selanik thotë se po të punohet dhe në fundjavë nga personeli i aplikimit të dokumenteve atëhere nuk do të ketë rradhë kaq të gjata.

Hodo një emigrant që ka 19 vite në Dortmund të Gjermanisë ka ardhur në minibashkinë 7 për të bërë aplikimin, pasi në lagjen e tij të vjetër thotë se e ka të pamundur. “Në Kombinat nuk ka kushte. Mund të rrish gjithë ditën atje dhe të mos mbarosh punë. Nuk më pëlqeu se atje nuk ka as drita dhe njerëzit rrinë kot e presin”.

Rradhë të gjata

Rradhë të gjata

Të gjithë emigrantët që aplikojnë ose tërheqin dokumentet e identifikimit kanë dëshirë që të mbarojnë punë sa më shpejt. Që të vijojnë me pushimet dhe kontaktet me njerëzit e tyre të afërt e miqtë. Por procesi në një muaj si gushti kur është dhe piku i mbërritjes së emigrantëve i vështirëson gjërat. E njëjta skenë me rradhë aplikantësh është dhe në disa qëndra të tjera të kryeqytetit, apo në qytetet kryesore të vendit.

Namiku thotë se nuk do të ishte keq që ky shërbim për emigrantët që jetojnë e punojnë me dokumente të rregullta në Itali, Greqi a shtete të tjera evropiane mund të bëhet direkt atje. “Do të jetë më rehat për ne. Vijmë që andej, ka shpenzime por dhe mundime”, thotë ai, duke shtuar se në rast se një gjë të tillë do ta realizonte për të gjithë familjen në Itali kjo do t'ja thjeshtonte gjërat.

Do të punohet edhe në fundjavë

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha tha të enjten (ß5.08) për Deutsche Welle-n se institucioni i tij i ka kërkuar kompanisë koncesionare frënge “Aleat”, që merret me prodhimin e dokumenteve të reja të identifikimit, që të mbajë hapur zyrat e aplikimit më shumë se orari i zakonshëm. “Oraret janë zgjatur dhe në qendra të caktuara ku fluksi është i madh, do të fillojë operimi duke nisur nga kjo fundjavë edhe të shtunave e të dielave, që shpresojmë se do të ndihmojë në përballimin e fluksit të jashtëzakonshëm që përjetojnë këto zyra në sezonin veror për shkak të ardhjes së një numri shumë të madh të bashkëqytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit”.

Kthimi i emigrantëve në Shqipëri për pushimet verore ka rritur dhe fluksin.

Kthimi i emigrantëve në Shqipëri për pushimet verore ka rritur dhe fluksin.

Zyra edhe në vende të tjera

Ministri i Brendshëm shpjegon se ideja që aplikimet nga emigrantët të bëhen në vendet ku ata jetojnë e punojnë është duke u materializuar. “Në një perspektivë afatmesme ka përfunduar një marrëveshje mes Ministrisë së Brendshme dhe kompanisë koncesionare për hapjen e zyrave të aplikimit për pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit në Romë, Milano, Athinë e Selanik. Ndërkohë që është lënë hapur mundësia për të shqyrtuar hapjen e këtyre zyrave edhe në poste të tjera konsullore të vendeve të BE-së”.

Marrëveshja sipas ministrit është miratuar nga qeveria dhe pritet të diskutohet dhe të miratohet përfundimisht në parlament në sezonin e ri të vjeshtës. Pas votimit në parlament dhe botimit të saj në Fletoren Zyrtare gjithshka do të nisë nga funksionimi, “për t'ju ardhur në ndihmë bashkëqytetarëve që qëndrojnë në ato vende”.

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha

Pasaportat kusht për heqjen e vizave

Pajisja e qytetarëve me dokumente të reja identifikimi hyn tek kushtet e plotësuara nga Shqipëria për të përfituar nga procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e saj që udhëtojnë për në zonën Schengen të BE-së. Ministri Lulzim Basha deklaroi për Deutsche Welle-n se nga autoritetet është bërë një punë e jashtëzakonshme për plotësimin e kushteve të mbetura nga udhërëfyesi i procesit të liberalizmit të vizave. “Kanë sjellë rezultate të dukshme, rezultate të prekshme dhe të konstatuara qartë nga partnerët tanë, në veçanti nga Komisioni Europian dhe ekspertët e tij. Natyrisht janë këta ekspertë dhe Komisioni që do të thonë fjalën e fundit” –tha Basha për DW.

Ministri shprehu bindjen se në ato aspekte të mbetura, si riintegrimi i të riatdhesuarve, forcimi i kapaciteteve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në identifikimin e aseteve kriminale- Shqipëria ka ndërmarrë hapa të mëdhenj përpara. Ai ju referua hartimit të një kuadri ligjor të domosdoshëm, duke formuluar plane veprimi konkrete, si dhe duke i dhënë të gjitha institucioneve instrumentet e nevojshëm financiare, njerëzorë e materiale në zbatim të këtij kuadri ligjor.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 05.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Oceo
  • Data 05.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Oceo