1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Padi me përmbajtje eksplozive: Ukraina kundër Rusisë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nisi dëgjimin e palëve në rastin e Ukrainës kundër Rusisë. Kievi e akuzon Moskën për shkak të terrorit në Donbass dhe të diskriminimit të minoriteteve në Krime.

Ajo që nisi në 6 mars në Pallatin e paqes në Hagë mund të kthehet në një nga proceset më spektakulare  të viteve të fundit. Para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) nisi dëgjimi i palëve në rastin me përmbajtje eksplozive Ukraina kundër Rusisë. Për katër ditë me radhë, palët kanë mundësi që në seanca të veçanta të parashtrojnë qendrimin e tyre.

Si dëshmi merren raportet e OKB-së dhe të OSBE

Në aktpadijen shumë të detajuar me 45 faqe, bëhet fjalë për shkelje të dyshuara kundër dy konventave të OKB-së. Fillimisht pala ukrainase paraqet se si Rusia ka shkelur për mendimin e saj Konventën Ndërkombëtare për Luftimin e Financimit të Terrrorizmit duke mbështetur separatistët në Donbass të Ukrainës lindore. Kievi i përshkruan "republikat popullore" të vetëshpallura si "grupe të armatosura ilegale", që veprojnë "me mbështetje vendimtare ruse". Rusia nuk e pranon që u jep mbështetje ushtarake luftëtarëve të Donbassit.

Në pjesën e dytë të padisë trajtohet gjendja e tartarëve të Krimesë dhe të ukrainasve etnikë si minoritete, pas agresionit rus në Gadishullin e Krimesë në mars 2014. Sipas Ukrainës, Rusia ka shkelur këtu Konventën kundër Racizmit (CERD) për shembull përmes arrestimeve ose ndalimit të organizatës së tartarëve të Krimesë Mexhlis.

Si dëshmi, aktpadija përmban raporte të ndryshme: të OKB-së, të Organizatës Për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, të ekipit hetimor ndërkombëtar  në rastin e avionit të rrëzuar malazez Boeing si dhe pamje satelitore të NATO-s. Ukraina i bën thirrje gjykatës së OKB-së që "të konstatojë përgjegjësinë ndërkombëtare të Rusisë", midis të tjerash edhe për rrëzimin e avionit të fluturimit MH17 ose goditjen e civilëve në qytete të ndryshme ukrainase. Veç kësaj kërkohet dëmshpërblim.

Më pak shanse në gjykata të tjera?

Ukraina e paraqiti padinë vetëm në janar dhe në këtë mënyrë gati tri vjet pas ngjarjeve, për të cilat bëhet fjalë. Kievi i la vetes kohë me sa duket për t'u përgatitur mirë. Një shkak i mundshëm: shanset për ta nxjerrë Rusinë para gjykatave të tjera po pakësohen. Shembulli i parë: Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve, e cila ndodhet gjithashtu në Hagë dhe që është ngritur qëllimisht për trajtimin e krimeve të luftës. Presidenti Vladimir Putin deklaroi në fund të 2016-ës se vendi i tij nuk do të marrë pjesë në të ashtuquajturin Statut të Romës. Rusia vërtet e ka nënshkruar këtë statut, por nuk e ka ratifikuar kurrë. As Ukraina nuk e ka ratifikuar, por i dha kësaj gjykate një autorizim të kufizuar për të bërë hetime për ngjarjet që prej fundit të vitit 2013.

Para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg Ukraina ka paraqitur që prej vitit 2014 deri tani pesë padi, një e gjashtë është në përgatitje e sipër. Por Gjykata Kushtetuese Ruse vendosi se do të jetë ajo që do ta ketë fjalën e fundit në zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Kjo do të thotë se nga pikëpamja ruse veprimet do të mbeten të pazbatuara.

Paralele me rastin e Gjeorgjisë kundër Rusisë

Në rastin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë gjendja është ndryshe. Ajo është themeluar në vitin 1945 dhe është pranuar pa kufizime nga Rusia. Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, veç kësaj Rusia ka privilegjin që ndër 15 gjykatësit të ketë gjithmonë edhe një përfaqësues të vetin. Kurse Ukraina do të emërojë një gjykatës vetëm për këtë rast.

Profesori i Mynihut dhe eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Bruno Simma ishte midis viteve 2003 dhe 2012 gjykatës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Në periudhën e tij në post u paraqit padija e Gjeorgjisë kundër Rusisë pas luftës në Osetinë Jugore në gusht 2008. Si tani, Gjeorgjia e paditi Rusinë mbi bazën e Konventës kundër Racizmit.

"Ishte një rast shumë i debatueshëm", kujton Simma në bisedë me DW. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë votoi me vetëm një votë pro për një "aktgjykim provizor" dhe u bëri thirrje të dyja palëve që të heqin dorë nga shkeljet. Pas kësaj Rusia paraqiti një sërë kundërshtimesh kundër kompetencës së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për këtë rast dhe pati me këtë sukses, thotë Simma. Në vitin 2011 Gjykata e OKB-së u deklarua jokompetente për këtë rast.