1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Pacolli: AKR ka vetëm një identitet - zhvillimin ekonomik të Kosovës

Intervistë me kryetarin e partisë AKR, Behgjet Pacolli në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë më 8 qershor.

DW: Zoti Pacolli, Kosova po shkon në zgjedhje të parakohshme më 8 qershor. Sipas jush, cili është bilanci i kësaj qeverie ku ju ishit zv/kryeministër dhe bashkëqeverisës me PDK?

Behxhet Pacolli: Kemi pasur një bilanc pozitiv dhe unë do ta përsërisja kurdoherë një situatë të tillë. Jam shumë krenar që kam qenë në skenën politike gjatë këtyre viteve me bashkëpuntorët dhe mbështetësit e mi. Ne kemi qenë nënshkrues të dokumentit më madhështor të historisë së Kosovës, të pavarsisë së saj dhe hartues të dokumentave që kanë themeluar shtetin e Kosovës. Ne kemi qenë pjesë e krijimit të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Ne kemi qenë pjesë e pandashme e proceseve shtetëformuese dhe kemi luajtur një rol kyç në këtë drejtim. Ne nuk jemi si të tjerët që të shkojmë para qytetarit dhe të lusim për votën e tyre, por ne shkojmë me rezultate duke përshfaqur bagazhin tonë gjatë kësaj bashkëqeverisje, duke qenë shumë aktiv dhe shpirti i vetëm ekonomik i kësaj qeverie. Për këtë flasin rezultatet evidente.

DW: Por AKR në këto zgjedhje shkon jo më si zë bashkëqeverisëse para qytetarit, por thjesht si AKR? Pra vetëm me identitetin tuaj.

Pacolli: AKR ka pasur gjithmonë identitetin e vet, të cilin e ka krijuar me ndershmëri, identitet që e ka shprehur përmes punës dhe programit të saj. AKR asnjëherë nuk ka lëvizur prej idesë origjinale që nga viti 2007 dhe ajo ka theksuar qysh në themelimin e saj si parti se është e vetmja që e drejton dhe e përshpejton hapin e prosperitetit për Kosovën. AKR ka vetëm një identitet: Zhvillimin ekonomik të vendit. Ne kemi projektuar idenë tonë mjaft mirë që është reflektuar në programin tonë dhe është zbatuar pjesërisht në këtë afat të qeverisjes. Pra AKR ka identitetin e vet si partia e vetme e profilizuar në Kosovë që nga viti 2008. Jemi parti liberal-demokrate pjesë vendimarrëse dhe bashkëpunëtore e Aleancës Liberale të Evropës. Jemi përfaqësues legjitim të idesë së liberalëve për Evropën Juglindore.

DW: Zoti Pacolli, nuk ka vend për ndonjë korigjim të kësaj qeverisjeje që mund të përmirësohet në qeverisjen e ardhëshme?

Pacolli: Sigurisht që po. Ne kemi përshtypje të mira për këtë bashkëqeverisje me partinë e zotit Hashim Thaçi, por kemi dhe ato pika që janë dashur të implementohen. Partia në pushtet duhet të tregonte më shumë kujdes ndaj partnerit të koalicionit, të mbante premtimet, të krijonte hapsirë veprimi, pasi na ka munguar në këtë qeverisje. Ne ishim ata që i dhamë jetë idesë që bashkimi kombëtar duhet të fillojë nga ekonomia dhe jam shumë i lumtur që sot dy qeveritë projektojnë të ardhmen e përbashkët. Ne ishim ata që në këtë drejtim implementuam kontratën e parë mes dy qeverive për krijimin e tregut të përbashkët energjitik mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ne jemi duke planifikuar që në mandatin e ardhshëm të krijojmë kompaninë ajrore të përbashkët kombëtare dhe ndërtimin e një qëndre kërkimore spitalore të përbashkët me Shqipërinë, si dhe kemi investimin e përbashkët të hekurudhës dhe portit të Shëngjinit.

DW: Kur jemi tek zhvillimi ekonomik i Kosovës nuk mund të anashkalojmë Gjermaninë, e cila është një patner shumë i rëndësishëm ekonomik. Por kohëve të fundit sikur ka një lloj hezitimi nga Gjermania për investime, për shkak se është Turqia ajo që ka marrë më tepër rëndësi. Sa e vërtetë është kjo zoti Pacolli?

Pacolli: Vërtet turqit kanë qenë më „agresive“, më shumë aktive përsa i përket investimeve në Kosovë. Por megjithatë, unë besoj se Gjermania mbetet partneri kyç dhe më i besueshëm i Kosovës. Gjermania reflekton siguri dhe seriozitet dhe mbetet shpresa më e madhe e Kosovës përsa i përket investimeve. Ata janë të promovuar dhe të njohur këtu dhe unë besoj se, nëse ka pasur zhgënjime me investitorët gjermanë gjatë viteve 2004-2006, unë i bëj thirrje të kthehen përsëri, sepse sot ka ardhur koha e tyre që të investojnë në Kosovë. Ne mbetemi partneri i tyre që i mirëpresim dhe mirëkuptojmë dhe do ti mbështesim ata vazhdimisht. Çdo investim i tyre ka qenë i suksesshëm dhe ka qenë si një lajtmotiv për investitorët e tjerë vendorë.

DW: Ndërkohë ju si AKR po premtoni hapjen e vendeve të punës. Një premtim ky që është në fokus të të gjithë fushatës nga gati të gjitha partitë. Ju si mendoni ta zgjidhni papunësinë në Kosovë?

Pacolli: Përsa i përket papunësisë do të thoja që në Kosovë kemi një mungesë të statistikave reale. Shumë prej atyre që janë të akomoduar diku shprehen ndryshe, ndaj duhet të bëhet shumë punë me zbardhjen e statistikave të ekonomisë së Kosovës. Një pjesë e ekonomisë mbetet akoma si një ekonomi joformale që nuk e ka marrë formën e vet ligjore dhe aty është numri me i madh i njerëzve të punësuar që statistikat nuk i njohin. Nëse do ishte bërë një llogaritje më e drejtë numri i të papunëve nuk do i kalonte 25%, edhe pse edhe kjo shifër për Kosovën është shumë i madh. Pra qeveritë duhet ta kenë fokusin tek rinia, e cila nuk është një rini që fle, por shumë aktive dhe duhet ti krijohen hapsira që të lëvizë lirshëm.

DW: Zoti Pacolli jeni përgatitur që mbas këtyre zgjedhjeve mund të jeni dhe një zë opozitar?

Pacolli: Unë besoj dhe ju e keni kuptuar që AKR nuk vrapon mbas pozitave, sepse nuk i nevojitet vendi në politikë vetëm për të qenë pjesë e qeverisë. Nëse do të jemi në opozitë do të jemi një zë kostruktiv për Kosovën dhe shoqërinë. Ne jemi kozmopolit dhe nuk dijmë të ofendojmë. Ne jemi njerëz që në fund të ditës llogarisim se ku u shpenzua kjo kohë e vlefshme, e cila nuk kthehet më. Unë besoj që interesi i partnerëve tanë është aq i madh që me AKR së bashku të krijohet prespektiva qeveritare, për arsye se programi që ne kemi shkruar dhe rishkruar dhe ne 2010 dhe tani për 4 vitet e ardhëshme është program që i nevojitet qytetarëve të Kosovës. Ne jemi neutralë dhe kemi identitetin tonë, prandaj do të hyjmë në këto zgjedhje me shpresën se nuk do të keqtrajtohet vota e qytetarit.

DW: Pra ju nuk e keni problem që nesër të jeni edhe thjesht një deputet?

Pacolli: Jo, sepse edhe nga bankat e Parlamentit jepet kontributi për shoqërinë kosovare.

Intervistoi: Mimoza Cika - Kelmendi