1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pack: vendimi për vizat pritet pozitiv

5 Nëntor 2010

Europarlamentarja Doris Pack u shpreh për DW se në fillim të javës që vjen BE do të japë një përgjigje pozitive për Shqipërinë në procesin e liberalizmit të vizave.Pack ka apeluar ka apeluar për rivendosjen e dialogut.

https://p.dw.com/p/PzeQ
Doris Pack flet për DW
Doris Pack flet për DWFotografi: DW

DW: Zonja Pack, në fillim të javës tjetër BE pritet që të marrë një vendim final për liberalizmin e vizave për qytetarët shqiptarë që do të udhëtojnë në zonën Shengen. Në Shqipëri ka një pritmëri të përgjithshme se vendimi do të jetë pozitiv. E ndani dhe ju këtë mendim?

Pack: Kështu mendoj se do të ndodhë. Sepse ju i keni plotësuar udhëzimet. Dua të them se ju keni bërë më shumë se të tjerët më parë. Është punuar mirë në përmbushjen e të gjithë kërkesave me karakter teknik, ndaj dhe përgjigja do të jetë pozitive.

DW: A ka ende dyshime a ngurime në radhët e vendeve anëtare se kjo lëvizje pa viza do të shfrytëzohet dhe për qëllime të kërkesave për azil apo për punësim, siç ka ndodhur me vëndet e rajonit më herët?

Pack: Qeveria është duke u përpjekur për ta evituar një gjë të tillë, për të bindur qytetarët se liberalizmi nuk është për të kërkuar punë, aq më tepër për të bërë kërkesa azili në vendet pritëse. Unë jam informuar nga shumë burime se përfaqësues të qeverisë, përfaqësues të jetës publike e politike janë duke zhvilluar takime me popullatën në terren. Duke shpjeguar qartë se nga procesi përfitohet vetëm lëvizje për qëllime turistike, për të takuar njerëz, të afërm a miq në vendet e BE-së etj., dhe kthim në atdhe brenda afateve kohore. Nuk e kam kuptuar vërtet që dikush nga Maqedonia a Serbia të bëjnë kërkesë për azil në vendin ku kanë mbërritur në një kohë që këto dy vende që mora si shembull janë në procesin e afrimit drejt BE-së. Ne presim një qëndrim korrekt nga ana e qytetarëve për këtë proces, ku monitorimi do të jetë i kujdesshëm hap pas hapi.

DW:Shqipëria pret një përgjigje dhe për kërkesën e fitimit të statusit të vendit kandidat për në BE. Nga ajo që është diskutuar gjatë ditës së parë të Takimit të dytë të Komitetit të Stabilizim Asociimit Shqipëri –BE ku ju ishit prezente pati shumë kritika për klimën e rënduar politike në vend. Kjo nënkupton se vendimi për këtë do të shtyhet?

Pack: Kështu mendoj, sepse popullata në Shqipëri nuk e meriton këtë lloj sjellje nga ana e politikanëve. Siç unë e kam ndjekur zhvillimin e Shqipërisë në këto 20 vite, së fundi ka përparime në mjaft fusha; në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, në rindërtimin e infrastrukturës, respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, konsolidimin e institucioneve etj., etj. Sigurisht që ka dhe shumë për të bërë dhe këto nuk mund të finalizohen pa një përpjekje të përbashkët nga i gjithë spektri politik, nga të gjithë aktorët e politikë dhe jo politikë të këtij vendi. Por me një parlament që nuk funksionon, ose nuk siguron vijueshmëri të punës, nuk ka debat dhe miratim të ligjeve, nuk mund të kryhen reformat. Shikoni, deputetët janë votuar nga qytetarët për të qënë në parlament, për të punuar, për të diskutuar, për të kundërshtuar, për të bërë amendime dhe sygjerime përmirësuese në komisionet parlamentare dhe në seancë plenare. Për këtë opozita duhet të reflektojë dhe të jetë sistematike në punimet e parlamentit. Kjo vlen në mënyrë të veçantë dhe për reformën zgjedhore, që duhet të kryet pa humbur kohë dhe me vullnet të përbashkët. Nëse qeveria është e gatshme për të pritur amendamentet dhe në fakt ne nuk do të kemi të tilla amendamente, atëhere dhe zgjedhjet e tjera do të ishin sërish të diskutueshme për opozitën. Kjo duhet të evitohet dhe “ilaçi” është bashkëpunimi e kompromisi ashtu siç ndodh në cilindo vend demokratik.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Auron Dodi