1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Pablo më ka marrë gjithçka!" - 20 vjet pas vrasjes së bosit të drogës Escobar

Bos droge, terrorist, bamirës: Ky ishte Pablo Escobar, i cili u vra para 20 vitesh. Kolumbiani ishte krimineli më i kërkuar në kohën e tij. Danilo Jimenez ishte muzikanti tij, që më pas u kthye në viktimë.

Fundjavë në Medelin. Njerëzit janë mbledhur në një arenë për të parë ndeshjen e toreadorëve me demat. Për muzikën kujdeset Danilo Jimenez dhe grupi i tij Marco Fidel Suarez. Deri në këtë moment ishte një ditë e mirë për muzikantin.

Sapo Jimenez dhe kolegët e tij u larguan nga arena, u dëgjua një shpërthim i fuqishëm. Në ajër u ngrit një re tymi dhe më pas dëgjoheshin njerëz që ulërisnin për ndihmë. Kudo shiheshin trupa të coptuar dhe plagosur. Jimenez preku kokën e tij. Ishte me gjak dhe kishte një gropëz. Më pas humbi ndjenjat.

Danilo Jimenez

Danilo Jimenez

Truri i Jimenez ishte dëmtuar rëndë. Për disa vite ai qendroi në rehabilitim. 25 vetë humbën jetën nga atentati në shkurt të vitit 1991, mes të cilëve edhe tre muzikantë. Edhe bashkëshortja e Jimenez, Gabriela, u plagos rëndë dhe në vitin 2007 vdiq si pasojë e atyre plagëve. Fajtori për muzikantin Jimenez ka vetëm një emër: "Pablo Escobar. Pranë arenës kishte shumë policë që ai donte t'i vriste. Për viktimat e tjera ai nuk mendonte fare."

Ofensivë terroriste kundër shtetit

Baroni kolumbian i drogës, Pablo Escobar

Baroni kolumbian i drogës, Pablo Escobar

Në atë kohë Escobar i shpalli luftë shtetit."Ne do të bëjmë kaos total deri në luftë civile. Më pas ata do të na kërkojnë paqe", deklaroi Escobar gjatë një bisedë telefonike me kontrabandistë të tjerë droge, e cila u përgjua nga policia.

Qëllimi i ofensivës terroriste: ndalimi i ekstradimit. Asgjë nuk e frikësonte bosin e Kartelit të Medelinit, që në atë kohë kontrollonte 80% të tregut botëror të drogës. Escobar vrau politikanë, gjykatës dhe policë, rrëzoi një avion me pasagjerë dhe vuri bomba pranë ndërtesave qeveritare. Mijëra vetë vdiqën. Terrori dha efektet e tij.

Në qershor të vitit 1991 në një konferencë për shtyp ai deklaroi se do t'i dorëzohej drejtësisë. "Pas shtatë vitesh ndjekje, plagosje dhe lufte, unë tani do të shkoj në burg për aq kohë sa të jetë e nevojshme, që atdheu im Kolumbia të gjejë paqe."

Kolumbia mbajti frymën. Escobari mbyllet në një burg privat. Emri i tij: La Catedral, i ndërtuar sipas planeve të baronit të drogës. Gjithçka ishte në luks dhe ruhej nga të besuarit e tij. La Catedral do të kthehej në qendrën e re të kontrollit të Kartelit të Medelinit. Atje priteshin vizitorë dhe vriteshin kundërshtarët, derisa qeveria e Kolumbisë tha mjaft.

Ikja nga burgu privat

Në Medelin ka njerëz që e nderojnë si bamirës Pablo Escobarin

Në Medelin ka njerëz që e nderojnë si bamirës Pablo Escobarin

Por si gjithmonë Escobar ishte i mirë informuar. Në korrik 1992, pak para se të kryhej arrestimi i planifikuar, bosi i mafias arrin të ikë. Ky ishte fillimi i gjuetisë njerëzore. Përveç policisë kolumbiane në aksion u përfshi edhe DEA (Agjencia Anti-Drogë e SHBA) dhe CIA. Sa më shumë kalonte koha, aq më shumë afronte arrestimi i tij.

Një telefonatë nga gruaja dhe fëmijët e tij e zbuloi atë. Policia e lokalizoi në një ndërtesë në qendër të Medelinit. 44 vjeçari u qëllua për vdekje gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë. Ishte 2 dhjetori i vitit 1993.

Sidoqoftë, përveç gëzimit për kapjen e tij, pati edhe keqardhje. Mijëra vetë nga Medelini morën pjesë në varrimin e Escobar, për t'i bërë nderet e fundit heroit të tyre. Escobar u kishte dhënë para të varfërve, u kishte ndërtuar shtëpi dhe u kishte gjetur punë.

Muzikë për bosin e bosëve

Edhe muzikanti Danilo Jimenez për shumë vite përfitoi nga Escobar. Shumë herë së bashku me grupin e tij, kishte luajtur në festat private të bosit të mafias. "Nëse nuk do ta kishim bërë këtë gjë, mund ta kishim pësuar. Në atë kohë kishte shumë para. Të gjithë përfitonin nga Pablo. Të gjithë e dinin se çfarë bënte", thotë 75 vjeçari.

Muzikantët e oborrit të baronit të drogës Pablo Escobar

Muzikantët e oborrit të baronit të drogës Pablo Escobar

Baroni i drogës ishte një nga njerëzit më të pasur të botës. Paratë që vinin nga kontrabanda e drogës investoheshin edhe në biznese të ligjshme. "Pablo Escobar kishte në pronësi të gjithë qytetin dhe të infiltruar në gjithë vendin. Çdokush këtu, njihte dike që merrej me kontrabandë droge", thotë studiuesja sociale Alejandra Echeverri nga Universiteti i Medelinit. Edhe halla e Echeverrias ishte sekretare e një kushëriri të Pablos.

Lidhja mes mafias dhe ekonomisë e shoqërisë nuk u prekën asnjëherë seriozisht. Vetëm pas vdekjes së Escobarit filloi etapa e ndryshimit. Në pamje të parë Medelin ka ndryshuar. Qyteti është bërë më i sigurtë, ka investuar shumë në infrastrukturë, kanë ardhur kompani të huaja dhe turizimi po zhvillohet.

Por kultura e kontrabandës së drogës, thotë Echeverria, është ende prezente: "Historia përsëritet. Vrasësit e vegjël të Pablos, sot janë bërë bosë bandash. Kontrabandë droge, korrupsion dhe ideja e pasurimi të shpejtë, janë edhe sot prezente." Në veçanti në lagjet e varfra, Escobar është ende një mit për të rinjtë.

Po Kolumbia? Edhe pas 20 vitesh të vrasjes së Escobar vendi është eksportuesi më i madh i kokainës në botë. Një biznes shumë fitimprurës. Muzikanti Danilo Jimenez pendohet që në një farë mënyrë është bërë pjesë e botës së Pablo Escobar. "Ai praktikisht mori jetët tona. Por unë e kam faluar atë, nuk kam më urrejtje. Urrejtja të bën dëm. Zoti e gjykoi atë."