1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pa zgjidhje për Kosovën

13 Gusht 2010

Vlerësimi i GJND-së për Kosovën është zhgënjyes mendon profesori i së drejtës ndërkombëtare dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare në Univeristetin e Zyrihut, Urs Saxer, në një artikull në gazetën „Neue Zürcher Zeitung“.

https://p.dw.com/p/Omsr
Logo e NZZ

NZZ: „Gjykata Ndërkombëtare është organi më i rëndësishëm i drejtësisë së bashkësisë ndërkombëtare. Gjykimi i saj është udhërrëfyes edhe për çështje delikate politike dhe ka influencë vendimtare ndaj zhvillimeve të mëtejshme të së drejtës ndërkombëtare. Tani kjo gjykatë në një vlerësim për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së konstatoi se pavarësia e Kosovës e shpallur në 2008 nuk përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Si duhet vlerësuar kjo? Mos vallë kjo gjykatë tani del në anën e të gjithë atyre që duan një shtet më vete? Vlerësimi është mjaft i matur. E drejta për vetëvendosje nuk luan asnjë rol në të. Gjykata më shumë konstaton, se vazhdimisht shpalljet e pavarësisë janë pranuar dhe se si rrjedhojë nuk ka ndalim të përgjithshëm ndaj të tilla deklarimeve. Megjithatë e veçanta tek Kosova konsiston në atë, që qysh nga viti 1999 ky territor ndonëse formalisht ishte serb, pushteti shtetëror i Serbisë nuk ekzistonte më si pasojë e administrimit ndërkombëtar. Vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së përcaktojnë në kuadër të menaxhimit të konflikteve edhe statusin dhe kushtetutën e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe vetadministrimin kosovar.

Mungojnë argumentat bindëse

Në përgjithësi në politikë mbizotëronte unanimiteti, se administrata ndërkombëtare duhej të ishte e përkoshme deri në vendimin përfundimtar për statusin e Kosovës. Bisedimet direkte për statusin mes kosovarëve dhe serbëve dështuan. I dërguari i posaçëm i OKB-së në sfondin e zhvillimeve historike dhe politike si rrjedhojë pa si të vetmen zgjidhje pavarësinë. Rusia ishte kundër kësaj në Këshillin e Sigurimit. Përderisa rruga konsensuale – qoftë bilaterale apo edhe ajo multilaterale në kuadrin e menaxhimit ndërkombëtar të konflikteve – dështoi, u arrit deri në shpalljen unilaterale të pavarësisë që u mbështet nga shtete të ndryshme.

Kjo përpjekje për ndryshimin e njëanshëm në të drejtën ndërkombëtare të statusit nuk përputhet me vendimet e Këshillit të Sigurimit. E pikërisht këtë do të duhej ta konstatonte Gjykata Ndërkombëtare duke shtruar pyetjen, nëse megjithatë ekzistojnë mundësitë e justifikimit, si p.sh. mbi bazën e garancive për vetëvdendosje brenda së drejtës ndërkombëtare. Në vend të kësaj shumica e gjykatës në mënyrë krejtësisht jorealiste konstatoi, se autorët e shpalljes së pavarësisë nuk ishin organet kushtetuese të vetëadministrimit, por ato ishin një forum që qëndron jashtë strukturave zyrtare, të përbëra nga presidenti dhe parlamenti. E ky forum nuk është i detyruar ndaj vendimeve të Këshillit të Sigurimit. Ky argumentim nuk është bindës për çështjen ndërkombëtare të statusit. …

Shumë formalist

Gjykimi në vlerësimin e GJND-së përcaktohet fort prej rastit konkret. Edhe për këtë arsye, efekti prejudikativ ndaj konflikteve për vetëvendosje në pjesë të tjera të botës është i parëndësishëm, e kjo është pozitive. Megjithatë vlerësimi është irritues me analizën tejet formaliste dhe me ngushticën përmbajtësore, gjë që kritikohet ashpër në disa vota të posaçme të gjyqtarëve të veçantë. Ky vendim nuk shprehet aspak për pasojat e shpalljes së lejueshme të pavarësië. Kësisoj, në vend të sigurisë juridike vlerësimi sjell paqartësi dhe i zhgënjen në fakt të gjithë: bashkësinë ndërkombëtare, Serbinë, por edhe kosovarët. Sepse në aspektin politik, çështja e statusit të Kosovës vazhdon të mbetet larg një zgjidhjeje.„

Marrë nga „Neue Zürcher Zeitung“, 13.08.2010

Autor: Urs Saxer/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi