1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

'Pa trafikantë nuk kemi asnjë shans'

Shumë refugjatë, që kanë shkuar deri në Greqi, duan të vazhdojnë rrugën për në Gjermani, sepse nuk shohin të ardhme atje. Ata ngecin në kufirin midis Maqedonisë dhe Greqisë.

Refugjatë nga Siria, nga Iraku, nga Afganistani ecin nëpër fshatin kufitar grek Idomeni. Lazaris Oulis ka këtu një fermë të vogël. Numri i njerëzve rritet përditë, thotë ai. "Cdo ditë këtu vijnë 100 ose 200 vetë. Duan të shkojnë matanë në Maqedoni dhe pastaj në Gjermani, kjo të paktën është ajo që thonë. Kur dal nga shtëpia, më dalin përpara familje të tëra që më thonë: na ndihmoni, kemi uri. Na jep një ose dy euro, na jep bukë dhe djathë."

Pylli i vogël pas fshatit vazhdon në vendin fqinj Maqedoni. Në këtë pyll vazhdojnë të qendrojnë refugjatët derisa bëhet errësirë, dhe pastaj duan të kalojnë përtej kufirit. "Natën kemi ftohtë. Nuk kemi batanije, kemi kaq shumë probleme", thotë Moez, një refugjat nga Afganistani. "Nuk kemi asgjë për të ngrënë, as ujë. Këtu nuk ka askënd që të na ndihmojë. Duam të shkojmë në vende të tjera, por policia maqedonase nuk na lë të kalojmë."

Nganjëherë dëgjohen të shtëna. Janë të shtëna paralajmëruese të policëve maqedonas të kufirit. Çdo natë, kufitarët maqedonas arrestojnë disa refugjatë dhe i kthejnë ata përmes kufirit për në Greqi.

Shumë refugjatë janë të rraskapitur. Organizata ndihmëse "mjekë pa kufij" ka ngritur në Axioupoli, në qytetin tjetër të madh një klinikë lëvizëse. "Shumë nga refugjatët janë të ftohur, sepse u duhet të flenë nën qiell të hapur dhe natën mund të bëhet shumë ftohtë këtu në Idomeni. Shumica e refugjatëve deri tani janë djem të rinj, por tani po vijnë gjithnjë e më tepër familje. Dhe unë mendoj se rrugën do ta marrin gjithmonë e më shumë të moshuar, të cilët akoma mund të ecin në këmbë", tregon infermierja australiane Danielle Ballantyne.

Para, refugjatët që kanë mbërritur këtu në Veri të Greqisë nuk kanë më. Shumica e tyre ka disa muaj që kanë marrë rrugën; përmes Lindjes së Afërme, Turqisë dhe Greqisë. Eurot e fundit atyre iu është dashur t'ua paguajnë trafikantëve, që i kanë trafikuar nga Turqia në Greqi. "Po edhe këtu të duhen trafikantë", thotë një refugjat, "në mënyrë që të kalosh nga Greqia për në Maqedoni - pa trafikantë nuk ke asnjë shans."

"Çdo natë ne shkojmë në kufi dhe përpiqemi ta kalojmë kufirin, por policia na kap. Policia më arrestoi dhe pastaj më tha: ik, ik që këtu!", tregon një i ri nga Afganistani. Megjithatë ai do të përpiqet edhe më tej, që ta kalojë dikur natën pa u diktuar kufirin për në Maqedoni. Ai do të ecë në këmbë nëpër Ballkan, nëpër Serbi dhe për në Hungari dhe të shkojë diku ku mund të gjejë punë dhe të mund të ndërtojë një jetë të re. Po hë për hë, arratia e tij është ndalur në Idoméni, në fshatin e vogël në kufirin greko-maqedonas.