1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pa sukses: Fundi i misionit të OKB-së në Siri

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka urdhëruar të Enjten përfundimin e misionit vëzhgues në Siri, por prania e Kombeve të Bashkuara në Damask duhet të vazhdojë. Ndërkohë është gjetur një negociator i ri për Sirinë.

"Misioni Unsims do të përfundojë", tha presidenti i radhës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së i zgjedhur në gusht, ambasadori francez pranë Kombeve të Bashkuara, Gerard Araud pas konsultimeve të Këshillit të Sigurimit. Të gjithë anëtarët kishin ndjenjën se nuk janë plotësuar kushtet për zgjatjen e mandatit. Në një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon, ai ka mbështetur idenë për hapjen e një zyreje ndërlidhëse në Damask.

Mandati i misionit përfundon këtë të Dielë në mesnatë. Për vazhdimin e tij është dashur të plotësohen dy kushte: më pak dhunë dhe mos të ketë më përdorim të armëve të rënda. Vëzhguesit e fundit duhet të largohen nga Siria deri të Premten e javës së ardhshme.

Diplomati Lakhdar Brahimi

Diplomati Lakhdar Brahimi

Asnjë mbështetje nga qeveria dhe rebelët

Trupa e paarmatosur e vëzhguesve, e cila filloi punën e saj në Siri në Prill kishte hasur në rezistencë që në ditët e para madje është qëlluar disa herë. Në Qershor për shkak të shtimit të dhunës 300 vëzhguesit e OKB-së u kthyen në vendet, ku ishin vendosur të banojnë apo u larguan nga vendi. Në fillim të Gushtit tërheqjen e tij për në fund të muajit e kishte paralajmëruar edhe i dërguari special i OKB-së dhe Lidhjes Arabe, Kofi Annan.

Pasuesi i tij do të jetë diplomati algjerian Lakhdar Brahimi. Kështu njoftoi agjensia ruse e lajmeve Interfax, duke cituar burime diplomatike në Nju Jork. Diplomatët perëndimorë thonë se Brahimi ka rënë dakord në parim, por është duke diskutuar detajet e mandatit të tij me sekretariatin e OKB-së. Mandati i tij do të ndryshojë nga ai i Kofi Annanit. Ai nuk dëshiron të ndjekë për një kohë të gjatë planin gjashtëpikësh të Kofi Ananit. Brahimi ishte ministri i Jashtëm i Algjerisë dhe i angazhuar nga Kombet e Bashkuara edhe në Afganistan dhe Irak.

Keqardhje në Lindje dhe Perëndim

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle shprehu keqardhje për përfundimin e misionit Unsims. Tani është e rëndësishme që në Siri të vazhdojë prania e OKB-së, sqaroi politikani i FDP-së. Keqardhje ka shprehur edhe ambasadori rus në OKB Witali Çurkin. Për këtë të premte ai paralajmëroi një takim të grupit të veprimit për Sirinë, i cili përbëhet nga pesë fuqitë me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit - Kina, Franca, Britania e Madhe, Rusia dhe SHBA, si wdhe Turqia, Iraku, Kuvajti, Katari dhe Bashkimi Europian. Në diskutime pritet të marrin pjesë edhe Irani dhe Siria.

Rusia së bashku me Kinën kanë bllokuar deri tani disa rezoluta kundër regjimit të Asad-it. Megjithatë, Republika Popullore e Kinës kërkon reforma dhe dialog nga qeveria në Damask. Qeveria kineze është e shqetësuar për gjendjen në këtë vend të Lindjes së Mesme dhe pret që udhëheqja politike të respektojë dëshirën e popullit për ndryshime, tha ministri i Jashtëm kinez, Yang Jieçi në Pekin.