1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Pa rezultat : I ngarkuari i BE-së Cooper përfundoi bisedimet me përfaqësuesit e Serbisë dhe të Kosovës

Tendosjet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë e kanë bërë gati të pamundur dialogun. Për të lëvizur gjërat, Serbinë dhe Kosovën viziton i ngarkuari i BE-së, Robert Cooper. Takimet nuk dhanë ndonjë rezultat.

Robert Cooper

Robert Cooper

Ka përfunduar takimi disaorësh i ndërmjetësit të Bashkimit Evropian Robert Cooper dhe kryeministrit të Kosovës Hashim Thaci, në të cilin mori pjesë edhe Përfaqësuesi Special i BE-së për Kosovën, Fernando Gentilini. Takimi me Cooper, sikurse edhe ai i së hënës (01.08.2011)në Rashkë me përfaqësuesit e Serbisë, u zhvillua i mbyllur për media. Jozyrtarisht bëhet e ditur se përfaqësuesit e Kosovës nuk janë lëkundur nga qëndrimet e veta, megjithëse gjatë takimit është kërkuar një gjë e tillë.
Vizita e Cooper në Kosovë dhe Serbi vjen për shkak të tensionimit të situatës në veri të Kosovës pas aksionit të Policisë së Kosovës për të marrë nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31 në Jarinjë dhe Bernjak, të cilat ishin jashtë kontrollit të autoriteteve kosovare.

Nga takimi me përfaqësuesit e Serbisë

Protestat e serbëve

Protestat e serbëve

Takimi i përfaqësuesve të Serbisë me të ngarkuarin e Bashkimit Evropian për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper nuk u zhvilluan në Beograd por në Rashkë, në një qytet të vogël serb në afërsi të kufirit me Kosovën. Shefi i delegacionit serb në negociata me Prishtinën, Borisllav Stefanoviq dhe ministri serb për Kosovën Goran Bogdanoviq, para këtij takimi janë konsultuar në veri të Kosovës me përfaqësuesit e serbëve të atjeshëm, me të cilët kanë harmonizuar qëndrimet.

Takimi me dyer të mbyllura i Cooper-it me përfaqësuesit e Serbisë në godinën e kuvendit komunal të Rashkës, ka zgjatur gati tre orë. Dhjetëra gazetarë të mbledhur atje prisnin më kot, sepse pas takimit, i ngarkuari i ministres së Jashtme të BE-së, Chaterine Ashton, doli me nguti nga godina pa thënë asnjë fjalë. As shefi i delegacionit serb Borisllav Stefanoviq, nuk dha ndonjë shpjegim më të gjërë për përbërjen e takimit. Ai tha se konsultimet me të deleguarin e Bashkimit Evropian, Robert Cooper do të vazhdojnë së shpejti, por pa dhënë detaje se kur do të ndodhë kjo.

Dialogu gati i pamundur

Demonstratë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë

Demonstratë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë

Sa i përket mundësisë së vazhdimit të dialogut me palën kosovare ai nuk tha asgjë. Shefja e delegacionit të Prishtinës Edita Tahiri ka paralajmërur më parë edhe mundësinë e refuzimit të takimeve të tjera me Stefanoviqin, për shkak të zhvillimeve të fundit. Cooper gjendet në një mision shumë të vështirë, sepse më parë edhe presidenti i Serbisë Boris Tadiq ka theksuar se dialogu me palën kosovare nuk do të vazhdojë nëse nuk kthehet gjendja në atë si para ndërhyrjes së njësisë speciale kosovare në veri të vendit.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi