1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Pa para Shengeni u vlen pak qytetarëve të Ballkanit

Edhe pse heqja e detyrimit për vizë per qytetarët e Ballkanit nuk ka sjellë ndonjë ndryshim të madh në lëvizjen e qytetarëve, disa prej vendeve të BE-së ankohen për shtim të numrit të azilkërkuesve.

default

Me fishekzare dhe ceremoni të tjera festive e pritën shqiptarët dhe boshnjakët vendimin për heqjen e vizave. 20 vjet pas përmbysjes së socializimit për shqiptarët, sikurse tha kryeministri Sali Berisha, ra edhe muri i fundit, ai i Shengenit. Më tepër se një milionë shqiptarë dhe rreth 400.000 boshnjakë janë pajisur me pasaporta biometrike.

Heqja e vizave është lehtësi e madhe jo vetëm për biznesmenët, por edhe për ata që kanë të afërm në Evropën Perëndimore. Por edhe pse agjencitë e udhëtimeve në Bosnje bënë me këtë rast oferta duke i ofruar biletat e autobusëve për në Evropë me gjysmë çmimi, prej përvojës së Serbisë dhe të Maqedonisë ato e dinë se nuk pritet ndonjë vërshim klientësh. Për shkak të krizës ekonomike në të dy vendet vihet re një rënie e numrit të udhëtimeve jashtë vendit.

Megjithë heqjen e vizave, udhëtimet jashtë vendit mbeten për shumë qytetarë të vendeve të Ballkanit të papërballueshme nga ana financiare. Pas heqjes së detyrimit për viza shumë shoqëri të lira ajrore i kanë shtuar fluturimet për në vendet e Ballkanit. Vitin e kaluar shoqëritë ajrore regjistruan në Serbi p.sh. 300.000 pasagjerë më tepër. Por njëkohësisht me rritjen e kësaj shifre, u pakësua me 315.000 numri i atyre që deri tani kishin udhëtuar me rrugë tokësore. E pra për të udhëtuar vazhdojnë të udhëtojnë po të njëjtët persona. E vetmja që ka ndryshuar janë destinacionet. Ato që preferohen janë metropolet e vendeve të BE-së dhe plazhet e Spanjës dhe të Italisë në vend të atyre të vendeve fqinjë.

Flüchtlinge Kosovo Albanien UN Flüchtlingshilfswerk

Megjithëse valë turistësh nuk ka pasur, bilanci i vendimit për heqjen e vizave në vende të ndryshme të BE-së është i ndryshëm. Sipas Zyrës Federale Gjermane për Refugjatët vitin e kaluar është shtuar papritur numri i azilkërkuesve romë nga Serbia dhe Maqedonia. Vetëm në Gjermani ishin regjistruar në nëntor 2010 mbi 1.100 azilkërkues nga Serbia dhe mbi 500 nga Maqedonia – aq shumë sa nga asnjë vend tjetër i botës.

Azilkërkuesit në fjalë thuajse nuk kanë asnjë shans që t'u njihet azili për shkak të përndjekjes politike. Në Shkup dhe në Beograd po shtohet megjithatë shqetësimi se rritja e numrit të azilkërkuesve mund të verë në rrezik lirinë e udhëtimit pa viza. Në rastin e Shqipërisë dhe të Bosnje-Hercegovinës BE i ka rezervuar vetes të drejtën që ta rifusë detyrimin për vizë.

Autor: Thomas Roser (Die Presse)/ Dr. Pandeli Pani

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 18.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zyum
  • Data 18.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zyum