1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

NRS-Import

Pa mundësi shkollimi dhe pa perspektivë punësimi - Rinia në Greqi në kohët e krizës financiare

Greqia ka nevojë për më shumë ndihma financiare që të mos bëhet e paaftë për të paguar, thonë komisioni i BE-së, Banka Qendrore Evropiane dhe FMN-ja. Pa perspektivë janë sidomos grekët e rinj.

Kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti i Francës Sarkozy

Kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti i Francës Sarkozy

Muzikë, internet, facebook, kështu e kalon kohën Eva. Jo gjithmonë, por gjithmonë e më shpesh. Për diskoteka, bare ose taverna 26 vjeçarja nuk ka të holla. Eva ka mbaruar shkollën e lartë për edukatore në vitin 2008, por deri tani ka punuar vetëm herë-herë dhe vazhdon të banojë në shtëpinë e prindërve në Selanik. «Nuk është ndjenjë e bukur. Gjithë atë shkollë që kam bërë, të hollat që kanë harxhuar prindërit e mi për mua – gjithçka më kot. Kur mbarova studimet mendova se kisha kohë të kërkoja me qetësi diçka që më pëlqen me të vërtetë. Ndërsa tani jam e gatshme të bëj çdo lloj pune. Kur rri në kafene me shoqërinë, secili nga ne shfleton shpalljet e gazetave. Por, për ata që kanë përfunduar shkollën e lartë nuk ka punë.»


Një kafene në periferi të Selanikut. Është pasdite vonë dhe këtu janë mbledhur disa të rinj që bisedojnë me njëri-tjetrin dhe luajnë me letra. Kështu ata i shmangen hapësirës së ngushtë nëpër shtëpia. Qendra të rinjsh, siç ka në çdo lagje të Gjermanisë, këtu nuk ka. Me orë të tëra ata rrinë ulur aty me nga një kafe apo limonadë përpara, për më shumë nuk u dalin paratë e xhepit. Maria shërben si kameriere. Studentja e politologjisë fiton 5 euro në orë. «Unë këtu punoj tre-katër ditë në javë. Atmosfera është e këndshme dhe ne themi shyqyr që kemi punë. Me paratë që marr këtu u heq një barrë prindërve. Ata nuk kanë nevojë të më dërgojnë më para shtesë për studimin. Unë e kuptoj gjendjen e tyre dhe dua t'u dëshmoj që mund të llogarisin me mua.»

Kuota aktuale e papunësisë në Greqi arrin deri në 16%

Tek të rinjtë deri në moshën 24 vjeçare kuota e papunësisë ajo është dyfish më e lartë. Asnjëherë në këtë vend rinia nuk ka qenë kaq e shkolluar dhe nga ana tjetër me kaq pak shanse sa sot.


Shoqja e Maries Aleksandra studion për infermieri. Në Greqi ky është një profesion që mësohet në shkollë të lartë profesionale. Prindërit e saj para disa vjetësh kishin bërë një sigurim, me të cilin tani ajo financon studimet. Fatmirësisht, sepse ajo studion në një qytet tjetër. Por edhe Aleksandra punon herë pas here. Dhe ajo nuk guxon të ëndërrojë për të ardhmen. «Prindërit tanë kishin mundësinë të ndërtonin ndonjë gjë. Ata mund të bënin diçka për fëmijët e tyre, t'u linin atyre diçka, një banesë, një makinë. Ata i kishin kushtet, kishin punë. Ne do të jemi të lumtur në se të ardhurat do të na dalin për t'u ushqyer."

Prindërit nuk janë më në gjendje t'i ndihmojnë fëmijët – por ata nuk janë të pakënaqur me ta. Përkundrazi. Ndërsa në familjen e njërës babai paguhet vetëm një herë në disa muaj, në familjen e tjetrës prindërit fitojnë aq para sa për të mbetur gjallë. Kështu që bijat kujdesen që të mos kenë shumë kërkesa. Kush do t'i paguajë të gjitha? Por as demonstratat nuk janë zgjidhje, shtojnë 20 vjeçaret Maria dhe Aleksandra.

Mos dalja në votime formë protetste kundrejt politikës

Presidenti Nicolas Sarkozy

Presidenti Nicolas Sarkozy


Maria: «Unë nuk dal në rrugë për të luftuar për të drejtat e mia, por unë nuk shkoj më në votime, kjo është protesta ime. Në rrugë dominon anarkia e këtë unë nuk e dua. Nuk jam unë nga ato që thyen vitrina e pengon njerëzit të shkojnë në punë, që ndezin shtëpi dhe vetura. Jo.»
Alexandra: «Edhe kur del të protestosh në mënyrë paqësore – gjithmonë ka njerëz të dhunshëm që përzihen me demonstruesit. Edhe gjithmonë ashtu përfundon.»

Ndërsa Eva, e cila e kalon kohën në shtëpi para kompjuterit, po mendohet të dalë në protesta. Ajo ende nuk iu është përgjigjur asnjërës prej mijëra thirrjeve të facebook-ut, por sheh se e vetmja rrugëdalje nga kjo gjendje është qëndresa e vetë-organizuar. «Unë dua ta shpreh hapur pakënaqësinë time me shpresën se do të më dëgjojnë. Së bashku me të tjerët, të riun dhe të vjetrin, të gjithë ata që nuk kanë parti në sfond dhe të gjithë së bashku. Se ne jemi në buzë të greminës. Ajo që mbetet është ose të bëjmë së bashku një hap pas, ose të marrim hov e të rrëzohemi.»

Emigracioni si rrugëdalje


Eva nuk ka besim tek partitë në vend. Ato veçse bëjnë premtime boshe që nuk i realizojnë dot, thotë ajo. Kështu për shembull, të gjitha partitë kishin deklaruar në të kaluarën me plot gojën se do të shohin punën e jo mikun. Ndërsa tani ata shërbejnë vetëm klientelën e tyre. Eva nuk shikon dritë në fund të tunelit. Tani ajo po përmirëson njohuritë e anglishtes se ku i dihet se për çfarë mund t'i duhen.

«Masat e marra nga qeveria deri tani nuk kanë sjellës sukses. Ajo nuk duket se ka ndonjë plan B. E tani unë duhet të mendoj për planin tim B. Unë po mendohem të shkoj jashtë shtetit. Më parë kisha frikë të largohesha nga shtëpia, larg shoqeve dhe rrethit tim. Por tani mund ta përfytyroj shumë mirë.»


Autor: Anna Koktsidou / Anila Shuka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora