1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Pa koncept të përgjithshëm - Luftë e vështirë kundër racizmit në Gjermani

Tek barazia para ligjit- mund të mbështeten të gjithë qytetarët në Gjermani, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, origjina dhe feja. Megjithatë, kjo nuk mjafton. Zbatimi në praktikë i vendimeve kërkon kohë në Gjermani.

Kundër racizmit në Gjermani

Kundër racizmit në Gjermani

Katër të rinj rreth 20 vjeçarë, pak të pirë ndodhen në një stacion metroje në një qytet jugor të Gjermanisë, në Nuremberg dhe kërkojnë një shishe birrë që është zhdukur. Dikur shohin Erikun, një të ri pak më të madh në moshë, me ngjyrë të zezë, me origjinë nga Burkina Faso. "Hej, neger“, thërrasin ata dhe e fajësojnë atë se u ka marrë shishen e birrës. Eriku kërcënon se do të thërrasë policinë nëse ata nuk pushojnë. Të rinjtë pushojnë dhe e lenë rehat.

Diskriminim i përditshëm

Raste si këto në Gjermani nuk përjetojnë vetëm afrikanët. Nuran Yigit nga rrjeti i shoqatave që luftojnë kundër diskriminimit në Berlin di dhe raste të tjera. Një neurolog nuk pranon të trajtojë një turke të moshuar, sepse ajo nuk flet gjermanisht, megjithëse shoqërohet nga e bija, që i përkthen të gjitha që thuhen. Një kolumbiane që jeton në Berlin nuk ftohet që të japë intervistën pasi ka aplikuar për vend pune sepse gjuha e saj amtare nuk është gjermanishtja. Një mjeke që mban perçe, nuk pranohet të aplikojë për një vend pune në një klinikë private sepse nuk pranon të heqë perçen. 

Kundër racizmit në Gjermani

Kundër racizmit në Gjermani

Të dish të mbrohesh

Kush gjen rrugën drejt rrjetit të shoqatave kundër diskriminimit në Berlin, ka fat dhe gjen mbështetje: "Diskriminimi racist shihet si fenomen i përditshëm, si normalitet, shpesh me ndjenjat e pafuqisë dhe mospatjes gjë në dorë. Të prekurit thonë shpesh "Nuk ke çfarë të bësh". Kështu ne punojmë me detyra të qarta, të motivojmë të prekurit dhe t`i sqarojmë, në mënyrë që ata të dinë të mbrohen."

Nuran Yigit, e lindur në Turqi, është pedagoge dhe drejtuese projekti në rrjetin e shoqatave kundër diskriminimit, një organizatë e shoqërisë civile, e cila mbështet viktimat me këshilltarë, avokatë dhe psikologë. Çdo vit ata ndihmojnë në 120 raste. Qyteti i Berlinit, që ka dhënë para në dispozicion për këtë punë, është shembull thotë Nuran Yigit. Në rajone të tjera të Gjermanisë mungojnë oferta të tilla, mungojnë konceptet sistematike.

Potsdam - Proces kundër Ermyas Mulugeta, sulmuar nga dy persona për arsye raciste

Potsdam - Proces kundër Ermyas Mulugeta, sulmuar nga dy persona për arsye raciste

Konferenca kundër racizmit e zhvilluar në vitin 2001 në Durban, i pati bërë thirrje shteteve nacionale të zhvillojnë plane aksionesh për të luftuar kundër shkeljes së të drejtave të njeriut. Në Gjermani, ky ka qenë një proces i gjatë, thotë Petra Follmar- Otto, nga Instituti gjerman për të drejtat e njeriut me qendër në Berlin.  "Ky plan aksionesh kombëtar është shumë i dobët dhe përmban masa që në Gjermani janë marrë prej kohësh, dhe është shumë pak i orientuar nga aksioni dhe e ardhmja."

Autor: Ulricke Mast- Kirschning/ Aida Cama

Redaktoi: Lindita Arapi