1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

'Pa justifikime' - vështrim në Konferencën e Sigurisë së Mynihut

E ardhmja e Afganistanit, çarmatimi bërthamor, sigurimi i burimeve dhe gjendja në Lindjen e Mesme janë temat kryesore të konferencës së sigurisë së Mynihut, që zhvillohet nga e premtja deri të dielën (5. – 7.2.).

Kangjella para sallës së Konferencës së Sigurisë në Mynih, 3 shkurt 2010

Kangjella para sallës së Konferencës së Sigurisë në Mynih, 3 shkurt 2010

"Pranverë politike në dimrin e Mynihut", – kështu e përshkruan organizatori Wolfgang Ischinger konferencën e fundit të sigurisë para një viti. Kjo kishte të bënte edhe me marrjen e detyrës së presidentit të SHBA-së Barack Obama pak ditë para konferencës tradicionale dhe me shpresat që lidheshin me të. Obama dërgoi zëvendësin e tij Joe Biden në Mynih dhe e la atë që të skiconte politikën e re të jashtme amerikane: Më shumë dialog dhe bashkëpunim, iniciativa të reja për çarmatimin, përpjekje më të mëdha në Afganistan dhe në Lindjen e Mesme. Në këtë mënyrë amerikanët zgjuan shpresa të mëdha në konferencën, e cila tradicionalisht ka patur orientim transatlantik, thotë drejtuesi i konferencës Wolfgang Ischinger.

"Tani Security Community (aktorë dhe ekspertë të politikës së sigurisë) duan të dinë se kur dhe si do të vihet në jetë kjo konferencë. Çfarë ndodh me çarmatimin dhe kontrollin e sigurisë, çfarë do të ndodhë në Lindjen e Mesme? Këto janë pikat, që ne duam t'i vëmë në plan të parë në Mynih."

Një vit pas betimit të Obamës është koha për një bilanc, të cilit Ishingeri i vë titullin "No more excuses – nuk ka më justifikime". Ky titull i shkon padyshim politikës së Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj Afganistanit, për të cilën do të diskutohet në Mynih. Një javë pas konferencës së Londrës për Afganistanin presidenti afgan Hamid Karsai hedh një vështrim në konferencën e ardhshme për Afganistanin në pranverë në Kabul. Ky është hapi tjetër drejt marrjes së më shumë përgjegjësive nga afganët.

"Afganistani nuk do të jetë barrë mbi supet e aleatëve dhe miqve të tij! Afganistani dëshiron që të mund të mbrojë së shpejti territorin e tij shtetëror dhe popullin e tij."

Me Karsai-n diskutojnë Sekretari i Përgjithshëm i Nato-s, Anders Fogh Rasmussen, i ngarkuari i posaçëm i SHBA-së, Richard Holbrooke dhe Ministri gjerman i Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg. Ai vlerëson në radhë të parë karakterin jo zyrtar të konferencës, në të cilën nuk merren kurrfarë vendimesh. Prandaj aty mund të flitet shumë më hapur se gjetiu dhe me personalitete shumë të larta.

"Ajo që kërkohet janë argumentat. Kush nuk ka argumenta të mira, më mirë të distancohet apo të heshtë, ose të prezantohet me shumë siguri - edhe kjo ka ndodhur vitet e fundit. Në Mynih jo vetëm që diskutohet, këtu edhe dëgjohet. Dhe në këtë mënyrë secili, që merr fjalën, qoftë president apo vetëm minister, rrezikon të shihet me lupë nga publiku i mirëinformuar. Unë porosis edhe veten të kem kujdes!"

Karakteri i konferencës në hotelin luksoz "Bayerischer Hof", është një barometër për matjen e opinionit në politikën ndërkombëtare të sigurisë. Ai që ndjek diskutimet në Mynih, ai mund të parandiejë krizat, që po afrojnë dhe të ndjekë propozimet për zgjidhje nga dora e parë. Ky është shkaku se përse asnjë politikan i njohur i çështjeve të sigurisë nuk e lë t'i ikë kjo konferencë.

Disa pjesëmarrës të viteve të fundit nuk do të jenë kësaj radhe të pranishëm, ndër të tjera Ministri amerikan i Mbrojtjes dhe Kancelarja gjermane. Por për herë të parë në konferencën e sigurisë vjen një Ministër i Jashtëm kinez, që dëshmon rritjen e peshës së Azisë. Yang Jiechi do të flasë menjëherë pas hapjes, të premten pasdite (5.2.) Dhe nëse Ministri i Jashtëm kinez do të bëjë vërejtje kritike lidhur me bizneset amerikane të armatimit, atëherë përfaqësues të qeverisë amerikane nuk do të hezitojnë, t'i përgjigjen atij direkt.

Autor: Kathrin Schilling/ Ina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 08.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LtSI
  • Data 08.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LtSI