1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pa iluzione, por jo të dorëzuar

Çfarë ndodhi me lëvizjen e protestave në Hong-Kong, që e mbajti në ankth vjeshtën e kaluar për disa javë me radhë qytetin? Protestuesit donin ta detyronin qeverinë të bënte lëshime politike. Po si është gjendja sot?

Në çështjen qendrore, pra në mënyrën si duhet të zgjidhet kryetari i ardhshëm i qeverisë të Hongkongut, nuk ka ndryshuar asgjë. Hong-Kongu bën si zakonisht bizneset e tij të financave dhe të tregtisë. Dhe tri drejtuesit e lëvizjes studentore së shpejti duhet të përgjigjen para gjyqit për "nxitje të grumbullimit të paligjshëm".

Saktësisht një vit më parë nisën protestat masive dhe pushtimet e rrugëve në lagjen qeveritare të Hongkongut Central. Ndërhyrja e policisë me gaz lotsjellës në 28 shtator ishte një nga elementët që bëri që vala e protestave dhe uljeve demonstrative të përhapet edhe në pjesë të tjera të qytetit. Pati periudha kur në rrugë dolën rreth 100.000 vetë, mbi 70 ditë në qendrat e protestave pati gjendje të jashtëzakonshme. Qarkullimi në metropolin e financave, të turizmit dhe të tregtisë pjesërisht u ndal.

Pati përpjekje të veçuara të dhunshme të policisë dhe të huliganëve "civilë" për t'i larguar barrikadat. Por vetëm kur u bë e qartë se qeveria e Hongkongut nuk do të ishte e gatshme për asnjë kompromis në kërkesat politike dhe kur mendimi publik filloi të mos i mbështeste më protestat, sepse humbi durimi me pengimet e jetës së përditshme, pushtuesit u larguan vetë nga barrikadat.

Fjalën e fundit e thotë Pekini

A ja vlejti mundimi? Rrethanat politike janë të çimentuara pa dyshim. Zgjedhja e Kryeministrit të ardhshëm të Hong-Kongut (Chief Executive) në vitin 2017 do të kryhet njësoj si deri tani, një të drejtë më të madhe bashkëvendosëse demokratike nuk do të ketë.

Para pak kohësh Pekini e bëri edhe njëherë të qartë se nuk është i gatshëm që t'i ndikojë kompetencat e Chief Executive nga drejtësia dhe Parlamenti. Përfaqësuesi i përhershëm i Pekinit në Hong- Kong, Zhang Xiaoming, deklaroi në mes të qershorit 2015 se Chef Executive "ka një pozicion të posaçëm juridik, i cili është mbi organet e administratës, drejtësisë dhe ligjvënies" dhe se parimi i ndarjes së pushteteve nuk përshtatet me Hong-Kongun. Vërtet që kryeministri Leung Chun-ying tha pak më vonë se deklaratat e Zhangut janë "keqkuptuar", pavarësia e drejtësisë së Hong-Kongut nuk është në diskutim. Por megjithatë lëvizja e Zhangut përshtatet me linjën e Pekinit, për t'u kujtuar herë pas here hongkongasve se kush e thotë fjalën e fundit në "rajonin e administatës së posaçme".

Lëvizje të reja dhe inisiativa

Protagonistët e lëvizjes së protestës nuk duan të flasin për dorëzim. Nathan Law, zëdhënës i studentëve të Universitetit të Hong-Kongut thotë përballë DW: "Një rezultat i "lëvizjes së çadrave" është gjithsesi që opinioni publik në Hong-Kong tregon interes më të madh për politikën. Shumë grupe dhe lëvizje kanë lindur që atëherë. Ne të gjithë duam të bëjmë diçka të mirë për Hong-Kongun."

Edhe aktivistja e njohur e protestave Leticia Lee konfirmon që si rezultat i lëvizjes së protestave janë krijuar organizata të reja politike dhe lëvizje sociale. Thelbi i tyre është qëndrimi kundër: kundër qeverisë, kundër Ligjit Themelor të Hong-Kongut dhe kundër parimit "Një vend, dy sisteme". Law pranon se shumica e aktivistëve i janë kthyer jetës së mëparshme. Megjithatë, ndërgjegjia demokratike e qytetarëve është forcuar, njerëzit mendojnë më shumë për të ardhmen e demokracisë.

Por çfarë mendojnë qytetarët e Hong-Kongut përtej lëvizjeve pro dhe kundër? Një sondazh i Chinese Hong-Kong University, njërit prej tri shkollave të mëdha të larta të vendit ka nxjerrë këtë në pah: 60 përqind dëshirojnë që qeveria të kujdeset në tri vitet e ardhshme më shumë për ekonominë dhe për standardin e jetesës se sa për reforma politike. Megjithatë, 43 përqind u shprehen që qeveria duhet të ndërmarrë një përpjekje të re në procesin e reformave politike - çfarëdo kuptimi që të kenë reformat në praktikë.