1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Pa Gjermaninë - Britania e Madhe dhe Franca konsultohen për ndihmat në ekonomi

Të ulen tatimet apo të pritet? Evropa nuk ka një qëndrim unik për reagimin ndaj krizës financiare. Franca dhe Britania e Madhe mbajnë të hënën (08.12.) një takim në Londër. Gjermania nuk është ftuar fare.

Merkel, Sarkozy, Gordon Brown

Merkel, Sarkozy, Gordon Brown

Kur Gordon Brown dhe Nicolas Sarkozy do të pregatisin samitin e ardhshëm të BE-së, do të mungojë kryetarja e qeverisë së vendit më të madh të BE-së: Angela Merkel.

Kancelarja gjermane nuk është ftuar në Londër

Vërtet nga pala gjermane thuhet se takimet paraprake dypalëshe janë krejt normale dhe nuk mund të flitet aspak për zemërim të gjermanëve. Por takimi i Londrës është sigurisht një shenjë për kritikën në rritje ndaj Merkelit. Për më tepër që në takim është ftuar edhe presidenti i Komisionit të BE-së, Jose Manuel Barroso. Sërisht pra po përpiqet kryeministri britanik Gordon Brown të profilizohet si shpëtimtar i ekonomisë: "Ne duam të bëjmë atë që se ka bërë asnjë vend tjetër përpara nesh",

Fjali si këto dëgjohen vazhdimisht nga kryeministri Brown. Ai ka hartuar planin e shpëtimit për bankat, ka ulur taksën mbi vlerën e shtuar, ka paraqitur paketën më të madhe të ndihmës për ekonominë - ky është këndvështrimi i qeverisë në Londër. Në këto përpjekje, aleati më i ngushtë është presidenti francez dhe kryetari i Këshillit të BE-së, Sarkozy. Presidenti francez është distancuar nga kancelarja gjermane Merkel me vërejtjen e tij jo shumë diplomatike:

Nicolas Sarkozy dhe Gordon Brown

Nicolas Sarkozy dhe Gordon Brown

Franca vepron ndërkohë që Gjermania mendohet

Vërtet Merkel dhe Sarkozy kanë patur të djelën në mbrëmje një bisedë telefonike, të gjatë dhe miqësore siç thuhet, por një shije e hidhur mbetet megjithatë.

Brown dhe Sarkozy e shohin Merkelin si frenuese të ndihmave për ekonominë. Ata druhen se nga paketat e tyre në ndihmë të ekonomisë do të përfitojnë edhe konsumatorët gjermanë ndërkohë që Berlini nuk derdh sasinë e nevojshme të parave në sistemin kardio-vaskular të ekonomisë. Në fund të fundit ekonomitë evropiane janë të ndërthurura ngushtë me njëra-tjetrën.

Ngurrimi ka arsye

Ngurrimi i qeverisë gjermane për të hedhur më shumë para në ndihmë të ekonomisë, ka arsye të shumta. Së pari, ekonomia gjermane ka një tjetër strukturë, ajo mbështetet shumë më tepër në shtresën e mesme se sa ekonomia franceze. Britanikët nga ana tjetër janë shumë më të përqëndruar në sektorin financiar dhe të atë të pasurive të patundshme se Gjermania. Së dyti, dhe kjo theksohet vazhdimisht nga ministri gjerman i financave Peer Steinbrück, nëse përveç paketave kombëtare, do të hartohet një paketë për ekonominë edhe nga BE-ja, Gjermania do të paguante pjesën më të madhe. Së treti, Berlini nuk dëshëron të futet në borxhe si Londra . Borxhi britanik vitin e ardhshëm do të arrijë 8 për qind të produktit të brendshëm bruto.

Angela Merkel dhe Gordon Brown

Angela Merkel dhe Gordon Brown

Ndaj një rritjeje të tillë borxhi paralajmëron edhe opozita britanike: "Ne jetojmë në një vend me një borxh që po na çon në buzë të falimentimit financiar", u shpreh kryetari i Partisë Konservatore, David Cameron.

Kush ka të drejtë do ta tregojë e ardhmja

Se kush do të ketë të drejtë në fund, kancelarja e kujdesshme gjermane apo kryeministri dorëlëshuar britanik, këtë do ta tregojë e ardhmja. Nëse paketa e Brown-it në ndihmë të ekonomisë do të ketë sukses, ai në fund mund të thotë: borxhet e larta ia vlejtën. Nëse masat shtetërore dështojnë në masë të madhe, atëherë do të konfirmohet pozicioni i Merkel-it. E sigurtë është sot se distanca mes Brown-it dhe Merkelit është rritur ndjeshëm.

  • Data 08.12.2008
  • Autor Ralf Borcard / London
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GBRj
  • Data 08.12.2008
  • Autor Ralf Borcard / London
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GBRj