1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Përvoja nuk mungon - Menaxhimi i integruar i kufirit Kosovë-Serbi

Intervistë me udhëheqësin e policisë kufitare të Kosovës, Shaban Guda, lidhur me marrëveshjen Kosovë-Serbi për menaxhimin e integruar të kufirit. Shaban Guda, ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në dialogun teknik.

Drejtuesi i policisë kufitare të Kosovës, Shaban Guda.

Drejtuesi i policisë kufitare të Kosovës, Shaban Guda.

DW: Zoti Guda, çfarë nënkupton menaxhimi i integruar i kufirit?

Guda: Menaxhimi i integruar i kufirit është një formë e avancuar e kontrollit dhe mbikëqyrjes së kufirit. Ky është një standard që zbatohet në shtetet evropiane, por edhe në SHBA. Unë personalisht e kam vizituar një pikë kufitare ndërmjet SHBA-së dhe Kandasë, ku zbatojnë një marrëveshje për menaxhim të integruar të kufirit. Është një bashkëkoordinim i agjencive, që merren me kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit dhe qëllim të vetëm lehtësimin e qarkullimit të njerëzve dhe mallrave përmes kufirit duke garantuar shkallë të lartë të sigurisë dhe kontrollit.

DW: Çfarë përvojash ka Kosova me vendet fqinjë të saj në menaxhimin e integruar të kufirit?

Guda: Menaxhimi i integruar i kufirit reflektohet në disa forma, në kontroll, në mbikëqyrje, në shkëmbim të informatave, në analizë të rrezikut dhe Kosova e ka një përvojë deri tani. Ne kemi menaxhim të integruar të kufirit me Republikën e Shqipërisë, bëjmë kontroll të përbashkët kufitar me procedura të përbashkëta në pikën e kalimit kufitar ne Vërmicë. Kemi menaxhim të integruar të kufirit me Maqedoninë, bëjnë kontroll të përbashkët të kufirit me patrulla të përbashkëta.

DW: Bazuar në këtë përvojë që thoni dhe bazuar në rrethanat që ka Kosova në raport me Serbinë, sa mund të zbatohet marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit me Serbinë?

Guda: Për të bërë një menaxhim të mirë të integruar të kufirit duhet të jetë vullneti i dyanshëm dhe nëse ka vullnet nga të dyja shtet ajo mund të realizohet shumë mirë dhe shumë lehtë, sepse gjithçka është reciproke. Çka vlen për njërën palë, vlen edhe për palën tjetër. Prandaj nëse palët janë të interesuara që ta ngrenë cilënë e kontrollit kufitar, kjo mund të realizohet.

DW: A ka pasur deri tani policia kufitare e Kosovës komunikim me policinë e Serbisë?

Guda: Jo, nuk ka pasur komunikim, nuk kemi bashkëpunim, nuk kemi bashkërendim të veprimeve. Policia e Serbisë çdo veprim dhe bashkëpunim e ka vetëm me policinë e misionit EULEX.

DW: Atëherë, a ka pasur policia e Kosovës qasje në informatat që ka shkëmbyer misioni EULEX me policinë e Serbisë?

Guda: Po. EULEX, çdo bashkëpunim që e bën me policinë e Serbisë, informatat ia përcjell policisë së Kosovës?

DW: Bazuar në këto që thoni, si parashihet të funksionojë në planin operativ, marrëveshja për menaxhimin e integruar të pikave kufitare Kosovë-Serbi?

Guda: Deri tani është arritur një marrëveshje me një deklaratë politike, ndërsa në planin operativ akoma duhet të punohet, duhet të bëhet një protokoll në të cilin duhet të përcaktohen të gjitha detajet teknike dhe operacionale sesi do të duket një menaxhim i integruar i kufirit. Prandaj duhet të punohet një plan shumë i detajuar, një protokoll teknik. Të tillë ne kemi me Shqipërinë ku e bëjmë kontrollin me procedura të përbashkëta në pikën kufitare në Vermicë, ku përcaktohen saktë të gjitha veprimet që duhet të kryhen nga autoritetet në atë pikë të përbashkët kufitare.

DW: Ka zëra që thonë që në dy pikat kufitare me Serbinë në veri të Kosovës në Jarinje dhe Bërnjak, do të ketë policë të Kosovës, por vetëm pjesëtar të komunitetit serb dhe jo të etnive tjera. Sa është e vërtetë kjo?

Guda: Përsëri po them se kjo përcaktohet në protokollin teknik që hartohet ndërmjet palëve, sepse në protokollin teknik duhet të përcaktohet edhe proporcioni teknik i personelit i burimeve që do ta bëjnë atë kontroll. Prandaj është çështje që përcaktohet saktë vetëm në protokoll. Por, nuk mund të ndodhë që të ketë vetëm pjesëtar policorë të një etnie, sepse ne edhe para kësaj marrëveshje në pikat e kalimit në Jarinje dhe Bërnjak kemi pasur oficerë policie nga të gjitha etnitë.

DW: Zoti Guda, në bazë të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit Kosovë-Serbi, a nënkupton që policia e Kosovës e kontrollon kufirin Kosovë-Serbi?

Guda: Me këtë marrëveshje ne i kontrollojmë pikat e kalimit të kufirit, ndërsa, pjesa kufitare pjesa e vijës së gjelbër edhe me tej kontrollohet dhe mbetet kompetencë e KFOR-it, e forcave paqeruajtëse të NATO-s.

Intervistoi: Bekim Shehu / Prishtinë

Redaktoi: E. Xhani