1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Përvjetori i masakrës së Srebrenicës - Kujtimet e dy helmetkaltërve hollandezë

Enklava e Srebrenicës gjatë luftës së Bosnjes ndodhej nën mbrojtjen e helmetkaltërve hollandezë. Trupat serbe e sulmuan atë me 11 korrik 1995 duke deportuar dhe vrarë 8 000 muslimanë boshnjakë.

Varrezat e viktimave të Srebrenicës

Varrezat e viktimave të Srebrenicës

Ish pjesëtari i njësisë „Dutchbat" nuk e ka parë vrasjen me sytë e tij – por Srebrenica e rëndon së tepërmi Henri van de Beltin ( Henry van de Belt): "Unë kam parë deportimet e njerëzve, spastrimet etnike. Ajo që më rëndon më së shumti, është mungesa e forcës për të ndërmarrë diçka. Por kur të janë lidhur duart nga të gjitha rregullat e mundshme dhe lejohesh vetëm të vështrosh dhe të njoftosh se çfarë ndodh... Kjo gjendje është përvoja më e keqe, që kam patur ndonjëherë."

Kujtimi i ushtarit hollandez: Nuk kishim mandat për të luftuar

Henri van de Belt, bënte pjesë në kontingjentin e helmetkaltërve hollandezë, që duhej të mbronin enklavën myslimane të Srebrenicës, vetëm përmes prezencës së tyre. Por serbët nuk u trazuan nga prania e misionit paqeruajtës të helmetkaltërve. Ata morën Srebrenicën me forcën e armëve dhe hollandezët, 450 ushtarët, vështronin duarlidhur. Të luftuarit, thotë Henri van de Belt, nuk ishte asnjëherë alternativë. Ushtarët kishin qenë të dobësuar. Nuk kishte ushqime, kishin pak karburant dhe batalioni ishte pakësuar. Dhe ata nuk kishin mandat për të luftuar, tregon Henri van de Belt.

Srebrenica, 13 Jahre nach dem Massaker

13 vjet pas masakrës

van de Belt: "Kampi ynë ishte i stërmbushur me refugjatë. Sikur të ishte marrë vendimi për të luftuar, atëherë për serbët do të kishte qenë e lehtë të na vrisnin të gjithë. Atëherë do të kishte patur më shumë viktima, shumë më tepër, se sa janë vrarë."

Srebrenica - një enigmë makabre

Srebrenica është genocidi më i madh ndaj civilëve, që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore. Pasi morën qytetin, serbët nën udheheqjen e Ratko Mladiçit i ndanë muslimanët boshnjakë. Gratë, fëmijët dhe pleqtë në njërën anë, burrat dhe djemtë në anën tjetër. Gratë i larguan me autobuzë të shoqëruar nga ushtarët helmetkaltër hollandezë. Por, këto thotë ish ushtari i helmetave blu Johan de Jonge, ishin të pafuqishëm. Johan de Jonge: "Ne nuk kishim armë më. Megjthatë ne jemi përpjekur t´i mbronim atje njerëzit, si të mundnim. Por në gjysmën e rrugës djemtë tanë i nxorën nga autobuzët, ata duhet të ktheheshin në këmbë në kamp. Në anën e majtë dhe të djathtë të rrugës u nxorën gratë më të bukura, nga mosha 14 deri 30 vjeçare. Ata i morën pastaj në pyll dhe pjesën tjetër mund ta marrësh me mend...."

Johan de Jonge ka qenë atëherë vetëm 20 vjeç. Srebrenica ishte për ushtarin profesionist angazhimi i parë jashtë shteti. Ashtu si shokët e tij ai nuk ishte i përgatitur për atë, që do t´i priste në Ballkan. Brutaliteti i serbëve dhe vrasja e tyre me plan.

8 000 djem dhe burra myslimanë u bënë pre e serbëve në ditët e para të korrikut të vitit 1995. Disa u përpoqën të iknin në pyje dhe u vranë nga minat. Por shumica e tyre u ekzekutuan dhe u futën pastaj në varreza masive. Vrasja ishte e planifikuar mirë. Për të humbur gjurmët, kufomave në muajt më pas iu ndërrua vendi disa herë. Përreth Srebrenicës, vitet e fundit janë gjetur më shumë se 20 varreza masive.

Bosnische Frauen protestieren in Tuzla

Të mbijetuar protestojnë duke mbajtur emrat e viktimave

Marshimi i paqes Tuzlë - Srebrenicë

Tmerrin e përkujton një marrshim paqeje 100 km, nga Tuzla në Srebrenicë, që u organizua vitin e kaluar. Në fund të tij u varrosen burrat, eshtrat e të cilëve janë mundur të identifikohen. Srebrenica vazhdon të jetë një enigmë makabre. Henry van de Belt dhe Johan de Jonge, morën pjesë në marrshimin e paqes. Kryetari i bashkisë së Srebrenicës, ftoi ushtarët e dikurshëm të OKB-së. Disa hollandezë e patën pranuar ftesën dhe shkuan në Bosnjë, për t´i treguar popullsisë respektin e tyre. Vetëm se reagime miqësore nuk pati ndaj këtij gjesti pajtimi. Shumë boshnjakë reaguan keq, kur hollandezët treguan se ishin helmetkaltër. Henri van de Belt e kupton psenë: "Lë të më urrejnë. Ata nuk munden ndryshe. Sepse deri tani asnjë gjeneral nuk ka thënë, unë jam përgjegjësi, unë e mora vendimin. Janë ushtarët dhe njësitë, që kthehen, jo oficerët dhe gjeneralët."

Srebrenica nuk harrohet. As për boshnjakët, që kanë humbur familjet e tyre dhe as për helmetkaltërit hollandezë, që janë kthyer të traumatizuar nga ky mision. Ajo që i bashkon është bindja, që shkaktarët e masakrës, Radko Mlladiç dhe Radovan Karadziç, të dalin sa më parë të jetë e mundur në gjygj në Tribunalin e krimeve të luftës. Edhe si fundament për paqen dhe stabilitetin e vazhdueshëm në Ballkan dhe për një të ardhme në Evropë.

Ish-ushtari hollandez, Johan de Jonge e formulon kështu: "Më duket shumë mirë që Serbia hyn në BE. Por atëherë duhet ta dorëzojnë Mlladiçin. Atëherë mund të mbyllim një kapitull dhe të vazhdojmë të jetojmë pjesën tjetër të jetës

Autor : Birgit Augustin / Esat Ahmeti

Redaktoi : Aida Cama