1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Përshkallëzohet gjendja në Ukrainën Lindore

Përshkallëzim në Ukrainën Lindore: separatistët prorusë qëlluan një avion luftarak ukrainas në Luhansk. Ministri i Jashtëm i Ukrainës Pavel Klimkin kërkon nga BE-ja dhe NATO ndihmë ushtarake.

Në Ukrainë lindore, separatistet prorusë qëlluan sërish një avion ushtarak të tipit Mig-29. Avioni luftarak u qëllua në rajonin e Luhanskut, që gjendet në kufi me Rusinë, tha një zëdhënës ushtarak në Kiev. Piloti arriti të shpëtojë duke përdorur katapultën. Ndërkohë ka nisur kërkimi i avionit.

Po ashtu nga rajoni njoftohet se forcat qeveritare ukrainase kanë marrë një stacion policie në Luhansk, i cili ishte nën kontrollin e separatistëve prorusë që nga prilli, dhe ngritën aty flamurin e Ukrainës. Ushtaria ukrainase njoftoi dhe se gjatë 24 orëve të fundit janë parë që në territorin e vendit kanë hyrë nga Rusia pajisje të reja ushtarake ruse, përfshirë edhe sisteme artilerie dhe raketash. Po ashtu njoftohet edhe se raketa ruse pa pilot kanë shkelur në dhjetë raste hapësirën ajrore të Ukrainës.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Pavlo Klimkin

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Pavlo Klimkin

MPJ ukrainas kërkon ndryshim në strategjinë e NATO-s

Ndërkohë ministri i Jashtëm i Ukrainës Pavlo Klimkin u ka kërkuar NATO-s dhe Bashkimit Evropian mbështetje ushtarake në luftën kundër separatistëve. "Në qoftë se vjen një ndihmë e tillë, atëherë për trupat tona do të jetë më e lehtë për të vepruar në nivel lokal", tha Klimkin në një intervistë me radion "Deutschlandfunk". Kërcënimi i një pushtimi rus është i gjithëpranishëm. Pothuajse çdo ditë, trupat ukrainase qëllohen nga territori rus. Përveç kësaj nga Rusia dërgohen në Ukrainë mercenarë dhe armë.

Klimkin i bëri thirrje NATO-s dhe që të ndryshojë strategjinë e saj ndaj Ukrainës. Vendi i tij krahas ndihmës për forcat e armatosura ka nevojë për më shumë mbështetje politike. Çështja e anëtarësimit në NATO nuk shtrohet për diskutim për momentin, shtoi ai, sepse për këtë gjë në Ukrainë aktualisht nuk ka një konsensus shoqëror.

Takim në Berlin

Në Berlin zhvillohet të dielën në mbrëmje një takim mes Pavlo Klimkin dhe homologun të tij rus Sergei Lavrov. Aty do të diskutohet për t'i dhënë fund dhunës në Ukrainlë. Në të do të marrin pjesë edhe ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe homologu i tij francez Laurent Fabius.

Këtij takimi kancelarja Merkel i parapriu me kërkesën që pala ruse të qartësojë nëse ka dërguar tek separatistët në Ukrainë tanke dhe luftëtarë të stërvitur. Këtë gjë ajo ia tha në një bisedë telefonike presidentit ukrainas Petro Poroshenko. Të dy politikanët ishin të një mendjeje që furnizimet me armatime nga ala ruse për kundërshtarët e qeverisë ukrainase duhet të marrin fund.Vetë separatistët kishin deklaruar se kishin marrë nga Rusia tanke dhe përforcime me luftëtarë të stërvitur në territorin e Rusisë.