1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Përse fshihen detajet për Kosovën?

Opinioni në Serbi mësoi indirekte se për çfarë është rënë vërtetë dakord mes Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është një shenjë që tregon se politikanët nuk e kanë kuptuar seriozisht mesazhin nga zgjedhjet e kaluara ...

Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës Robert Cooper vizitoi Beogradin, para së gjithash për të inkurajuar vazhdimin e dialogut teknik, vlerëson analisti politik Dushan Janjiq: "Një tjetër arsye që është specifike për Beogradin, sepse ajo nuk vlen për Prishtinën, është se autoritetet lokale, në veçanërisht presidenti serb dhe kabineti i tij duhet të njihen me të dhënat dhe bisedimet e deritanishme. Gjithashtu, ai dëshiron t'i informojë ata për detyrimet që kanë mbetur, si në nivelin e zbatimit ashtu dhe në çështjet që duhet të trajtohen. Pra, në tërësi unë mendoj që kjo së bashku me vizitën në Prishtinë është paralajmërim i vazhdimit të dialogut teknik".

Takimi i Nikoliqit me Jahjagën - Njohje e Kosovës?

Profesori i shkencave politike Predrag Simiq thotë për DW-në se vizita e Cooper-it është para së gjithash njohje me partnerët e rinj politik, kryesisht për arësye se Serbia ka një president të ri. Në këtë kontekst, vëren Simiq befasia më e madhe është ndoshta lajmi që Tomisllav Nikoliqi është i gatshëm të takohet me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga: "Por, siç më duket mua, ky takim mund të kryhet vetëm me intonimin e dy himneve shtetërore dhe kjo do të nënkuptonte njohjen formale të Kosovës nga ana e Beogradit. Kështu që ne kemi tani shumë konfuzion, dhe unë mendoj se të paktën në këtë pikë, autoritetet në Beograd nuk kanë përgjigje të mjaftueshme lidhur me çështjen se cila është politika e re, përkatësisht politika e ardhshme e Beogradit ndaj Kosovës. "

Kosovo Delegation Dialog Belgrad Prishtina

Delegacioni në dialogun Beograd - Prishtinë, Bruksel 0.09.2011

Informimi indirekt për Kosovën

Kur është fjala për atë se çfarë është rënë dakord mes Beogradit dhe Prishtinës në këtë dialog, rezulton se opinioni serb në mënyrë indirekte është informuar për detajet e këtyre marrëveshjeve. Vetëm kur u paraqitën pengesa për formimin e qeverisë, kreu i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq (SPS) njoftoi për hapjen e një zyre të Prishtinës në Beograd dhe anasjelltas, si dhe për një kod të ri telefonik për Kosovën. Dushan Janjiq beson se Daçiqi si anëtar i qeverisë do të duhej të ishte i informuar për këto çështje dhe se është abuzim politik që shfrytëzohet fakti se Borisllav Stefanoviq e ka kryer keq punën e tij: "Por që të jemi të qartë, ai e ka kryer keq punën e tij sepse ashtu e ka udhëhequr Boris Tadiq. Tadiqi e ka thënë qartë edhe në Kuvendin e Serbisë se ishte ai që duhej fajësuar, dhe se ai i udhëheq të gjitha këto negociata. Prandaj tani ekziston ideja e bashkësisë ndërkombëtare që bisedimet të zhvillohen në një nivel më të lartë në mënyrë që askush të mos të fshihet pas zyrtarëve më të ulët."

Blofi i ish - presidentit Tadiq

Problemi është se ky lloj i mostransparencës nuk e dëmton vetëm Boris Tadiqin dhe Borisllav Srefanoviqin por edhe interesat e Serbisë, paralajmëron Janjiq. Tani shtrohet pyetja përse ata vendosën për të fshehur disa gjëra dhe të manipulojnë me ato, thotë Janjiq: "Arsyeja e parë është kuptimi i tyre i përgjithshëm i politikës si marketing. Një tjetër arsye është diçka që Tadiqi në njëfarë mënyre kishte marrë për obligim para disa vitesh me deklaratat e tij se ai do të gjejë një zgjidhje për Kosovën që do t'i kënaqte të gjithë, duke përfshirë këtu edhe Brukselin dhe Uashingtonin. Ai nuk kishte një zgjidhje të tillë kështu që mund të thuhet se ka bërë blof e si rjedhojë zgjidhja e fundit duke e komplikuar çështjen është konsideruar të jetë gjëja më e mirë...".

DW.COM