1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Përsëritja e zgjedhjeve në Austri - "Vendimi i duhur”

Përsëritja e balotazhit për zgjedhjen e presidentit të Austrisë e forcon besimin tek demokracia, ky është mendimi i konstitucionalistëve austriakë. Por gabimet në numërimin e votave i kanë shokuar ata.

„Përmasat më kanë habitur“, përmbledh gjykatësi kushtetues austriak, Heinz Mayer në bisedë me Deutschen Wellen procesin e numërimit të votave pas zgjedhjeve të balotazhit në Austri. Trajtimi juridik para Gjykatës Kushtetuese i numërimit të votave nxorri në pah gjithnjë e më shumë gabime. Ish-profesori i juridikut në Universitetin e Vjenës e përshëndet verdiktin e rreptë të gjykatësve. „Ata kanë forcuar besimin tek demokracia. Me një qëndrim të qartë dhe të vendim të prerë.“

Shkelje e rregulloreve

Gerhart Holzinger, presidenti i Gjykatës Kushtetuese në Austri bëri publik të premten (01.07) se „shfuqizohet procedura e votimit të dytë për zgjedhjen e presidentit më 22 maj 2016 nga momenti i publikimit të zyrtar të autoritetit zgjedhor më 2 maj 2016.“ Gjykata ka identifikuar parregullsi në 14 nga 20 rajone zgjedhore, të prekur janë 77.000 vota. Të Gjelbrit fituan me një mazhorancë prej 30.863 vota, dhe gjykatësit nuk mund të përjashtojnë se gabimet kanë sjellë edhe fallsifikim të të gjithë rezultatit zgjedhor.

Österreich Verfassungsrichter erklären die Bundespräsidentenwahl für ungültig Norbert Hofer

Kandidati i FPÖ-së Norbert Hofer

Megjithatë Holzinger theksoi se nuk ka pasur të dhëna për manipulim të votave, por gabime procesi, që në vetvete të çojnë në një përsëritje të zgjedhjeve. Për shembull Gjykata Kushtetuese e vlerësoi si një praktikë jo ligjore që pjesë e rezultatit iu ofrua gazetarëve para publikimit zyrtar. „Kjo bie ndesh me lirinë e zgjedhjes“, tha kreu i kushtetueses Holzinger. Por për gjykatësit më të rënda janë gabimet në numërimin e votave: Letërvotimet janë seleksinuar shumë herët, pjesërisht edhe në mungesë të anëtarëve të komisioneve, që në disa raste megjithatë kanë protokolluar një zhvillim procedurial të rregullt të votimeve.

„Injoranca e pakufishme e drejtuesve të lokaleve zgjedhore kundrejt kodit zgjedhor ka qenë e paimagjinueshme“, u shpreh Heinz Mayer. Ndërsa kolegu i tij, konstitucionalisti Klaus Poier nga Universiteti i Gracit vlerëson vendimin e gjykatës dhe thekson se “kështu i bëhet një shërbim më i mirë demokracisë, se sa të thuhej, këto ishin thjesht gabime shkel e shko.“

Norbert Hofer - një e treta president

Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, posti i presidentit austriak mbetet bosh nga 8 korriku, kur merr fund edhe mandati i presidentit aktual, Heinz Fischer. Kompetencat do të ushtrohen nga një komision trepalësh, ku krahas kryetares së parlamentit austriak, Doris Bures, politikanit konservator Karlheinz Kopf (ÖVP) bën pjesë edhe kandidati i FPÖ-së, Norbert Hofer. Hofer, kandidati presidencial është kështu me një të tretën president, por ai nuk do të heqë dorë nga detyra dhe ka pohuar so do të „vërtetojë që mund të ngrihet mbi partitë.”

Österreich Verfassungsrichter erklären die Bundespräsidentenwahl für ungültig Alexander Van der Bellen

Alexander Van der Bellen nuk është më president nga 8 korriku

Avantazh për FPÖ

Data për përsëritjen e zgjedhjeve përcaktohet nga qeveria austriake. Nuk ka një afat për këtë, por dihet që thjesht vënia në dispozicion e infrastrukturës zgjedhore në vend kërkon 11 javë. Ministri i Brendshëm austriak, Wolfgang Sobotka u shpreh se e pret një vendim brenda javës së ardhshme.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese si kandidati Alexander van der Bellen ashtu edhe rivali i tij, Norbert Hofer u shprehën me lëvdata për vendimin e gjykatës. „Unë e respektoj vendimin, kjo është e qartë“, tha van der Bellen. „Kam si qëllim që të fitoj edhe këtë përsëritje votimesh.“ Ndërsa kundërshtari i tij, Norbert Hofer u shpreh se ai sërish „ka dëshirë për fushatë zgjedhore.“ FPÖ kishte ankimuar rezultatin zgjedhor në Kushtetuese, dhe avokati i saj, Dieter Böhmdorfer e sheh këtë vendim të gjykatës si përfitim imazhi për partinë. „FPÖ del si kundërshtuesja e suksesshme e një rezultati, e që kërkon të vendoset rregull aty ku ka pasur shkelje.“ Megjithatë profesori i së drejtës, Klaus Poier thotë se „retorika politike është e kuptueshme, por njerëzit dinë të gjykojnë. Nuk u provua asnjë lloj manipulimi.“