1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Përqafimi i dragoit - Takimi BE-Kinë në Hamburg

Gjatë dy viteve të fundit Gjermanisë i është dashur t'i dorëzojë disa tituj Kinës: atë të kampionit botëror të eksporteve dhe titullin 'fuqia e tretë ekonomike në botë'.

Samiti i Hamburgut: Kina takon Evropën

Samiti i Hamburgut: Kina takon Evropën

Kina është pas SHBA-së partneri i dytë më i madh tregtar i BE-së. Në gjysmën e parë të vitit 2010 eksportet e të gjitha vendeve të BE-së në Republikën Popullore u rritën me rreth 40%. Por edhe deficiti tregtar me Kinën arriti 71 miliardë euro. Sipas evropianëve një nga arsyet është kursi i ulët i Juanit. Por temat e polemizuara mes ekonomisë ambicioze në rritje dhe vendeve tradicionale të industrializuara në Evropë nuk mbarojnë këtu. Ankesat e sipërmarrjeve evropiane për barrierat tregtare në Kinë dhe kufizimet kineze për eksportet e disa lëndëve të para të rëndësishme, janë vetëm dy prej temave të ndjeshme. Në takimin e katërt të nivelit të lartë "Hamburg Summit - China meets Europe" (25 dhe 26 nëntor), nuk do të mungojë lënda për bisedime. Samiti ekonomik jozyrtar zhvillohet çdo dy vjet në qytetin port të Hamburgut.

Pikërisht porti i Hamburgut ka përfituar në mënyrë të veçantë nga mrekullia ekonomike në Azi. Pra nuk është çudi që Frank Horch, presidenti i dhomës së tregtisë së Hamburgut dhe mikpritës i samitit, flet plot entuziasëm: "Ne këtu jemi boshti i Kinës në Evropë. Një në tre kontenierë në Hamburg ka të bëjë me Kinën."

Pjesëmarrës në samitin China meets Europe në Hamburg.

Pjesëmarrës në samitin "China meets Europe" në Hamburg.

Një vend komunist si shpëtimtar

Kriza financiare dhe ekonomike ka ndryshuar edhe marrëdhëniet mes Kinës dhe Evropës, mendon Eberhard Sandschneider nga Shoqata Gjermane për Politikë të Jashtme: "Evropianët konstatuan, se një sistem formalisht komunist papritur është i rëndësishëm për të shpëtuar kapitalizmin perëndimor jo vetëm në aspektin financiar." Kjo i ka zhvendosur dukshëm ekuilibrat.

Evropianët nuk janë patjetër të kënaqur, pasi partneri gjithnjë e më i rëndësishëm Kinë, shpesh është i vështirë. Kështu dhoma e tregtisë e BE-së në Pekin, kohët e fundit në një raport thotë, se Kina u vështirëson hyrjen në treg sipërmarrësve të huaj apo u krijon disavantazhe në krahasim me firmat vendase.

Specialisti për Kinën, Eberhard Sandschneider.

Specialisti për Kinën, Eberhard Sandschneider.

Veç kësaj, hyrja në tregun kinez shpesh shoqërohet me një transferim të detyruar teknologjie, që për firmat gjermane është një problem i madh, thotë Eberhard Sandschneider: "Dalja e teknologjisë është për shumë sipërmarrje një rrezik strategjik, për firmat e mëdha por në veçanti për ato të mesme." Në periudhë afatgjatë kjo shkakton zhvendosje të raporteve të konkurrencës.

Mungesa në mbrojtjen e pasurisë intelektuale

Firmat gjermane dhe ato evropiane në përgjithësi, ankohen për mangësi në mbrojtjen e pasurisë intelektuale në Kinë. Liu Haiyan, zëvendëspresident i shoqatës kineze të industrisë, i referohet përpjekjeve të qeverisë kineze në legjislacion dhe dënimeve të rënda në raste të vjedhjes së teknologjisë: "Mbrojtja e pasurisë intelektuale nuk është vetëm një premtim, të cilin Kina e ka dhënë kur u anëtarësua në OBT. Ai është edhe në interes të kompanive vendase." Qeveria kineze mbështet autonominë dhe novacionin. "Ne nuk do të lejojmë që novacioni të cënohet", thotë Liu më tej.

BdT Drachentaenzer in Hamburg vor dem chinesischen Teehaus

Kush përqafon dragoin, rrezikon të mbetet pa frymë!

Përqafimi i dragoit

Megjithë disa përvoja negative, thuajse asnjë kompani evropiane nuk dëshiron të tërhiqet nga tregu kinez. Pritjet për zhvillimet dinamike atje janë shumë joshëse. Veç kësaj firmat evropiane në Kinë prodhojnë para së gjithash për tregun kinez, rezulton nga një studim i dhomës së tregtisë së BE-së në Pekin. Në disa medie gjermane flitet për një "pakt me djallin". Kush përqafon dragoin, rrezikon të mbetet pa frymë. Eksperti për Kinën Sanschneider shpjegon:"Kështu ndodh me dragojtë: ata të lenë t'i përqafosh, por kur ta kthejnë përqafimin, të mbërthen frika."

Një përshkrim i mirë ky i diskutimit aktual për Kinën. Republika Popullore nuk kënaqet më me rolin e punishtes për gjithë botën. Ajo kërkon të ketë kampionët e saj dhe para së gjithash të blejë në kohën e krizës sipërmarrje të shkëlqyera evropiane me çmime të lira. Kjo e irriton perëndimin, por është një fenomen krejt i natyrshëm në kohën e globalizimit, thotë Sanschneider.

Ngjitja e Kinës, rrënimi i perëndimit?

Investuesit kinezë interesohen për marka të forta me emër në Itali dhe Francë. Në Gjermani interes për ta ngjallin kryesisht sipërmarrjet e mesme me pozicion lider në teknologji, thotë Guo Guangchang nga Fosun High Technology Group. Grupi nga Shangai është një "lojtar global", i cili ka investuar deri tani rreth 100 milionë euro në Evropë dhe kërkon mundësi të tjera investimi.

Deklarata të tilla u ngjallin frikën evropianëve: frikë se mos etja e Kinës për mirëqënie, lëndë të parë dhe tregje, mund të çojë në një garë shpërndarjeje, të cilën Evropa rrezikon ta humbasë. A është pra e vërtetë thënia që lexohet nganjëherë në medie se "ngjitja e Kinës është rënia e perëndimit"? Eksperti për Kinën Sandschneider preferon të flasë për rënie të suksesshme të Evropës: "Kjo ka të bëjë pak me heqjen dorë nga mirëqënia, me krijimin e hapësirave për të tjerët." Kjo nuk do të thotë se Evropa po rrënohet. Bëhet fjalë për një proces krejt normal, i cili ka ndodhur vazhdimisht gjatë shekujve. "Evropa është në majën e malit dhe ndoshta duhet të sjellë në mend metaforën e alpinistëve: vetëm pas zbritjes je i sigurt për fitoren. Më parë je në duart e malit."

Autor: Zhang Danhong / Eliana Xhani

Redaktoi: Esat Ahmeti

DW.COM

  • Data 27.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QJqH
  • Data 27.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QJqH