1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Përplasje për pronësinë rreth manastirit në Deçan

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që të konfirmojë vendimin për ndarjen e 24 hektarëve tokë për Kishën Ortodokse serbe në Deçan. Vendimi ka shkaktuar protesta të shumta.

Pak pas orës 10, vetëm rreth 100 metra larg manastirit në Deçan, një grup bukur i madh policësh përgatitet për protesta eventuale. Disa qindra metra më larg është vendosur një chek-point, ku përfaqësuesit e KFOR-it përgatiten për shpërndarjen e protestave. Ndërsa në pronën e manastirit kullosin në qetësi disa lopë dhe dele.

Edhe në hyrje të manastirit përgatiten rreth 20 përfaqësues të KFOR-it për ndërhyrje. Në fillim lejojnë fotografimin e manastirit, por e ndalojnë pas reagimit të një serbi të ri. Oficeri slloven më thotë që fotografimi nuk lejohet. Ndërsa në largim, më përcjellin tre kilometra larg disa karabinjerë italianë - për çdo rast.

Vendimi politik i Gjykatës?

Disa kamionë ushtarakë pranë godinës së komunës zgjojnë vëmendjen e banorëve të kësaj qyteze. Kryetari i bashkisë me rreth 60 mijë banorë, Rasim Selmanaj i përgjigjet me dëshirë kërkesës së Deutsche Welles për bisedë. Ai që në fillim nënvizon se "protestat nuk janë të drejtuara kundër manastirit apo serbëve por kundër vendimit të Gjykatës Kushtuese për ndarjen ilegale të 24 hektarë tokë për kishën". Selmanaj shpjegon se manastiri ka rreth 50 hektarë pasuri, tani i janë ndarë edhe 24 hektarë, ndërkohë që ai kërkon edhe 23 hektarë të tjerë. „Ne nuk jemi kundër drejtësisë. Por në këtë rast Gjykata Kushtetuese e ka shkelur drejtësinë për shkaqe politike. Shkalla e dytë e Gjykatës Kushtetuese ka vendosur që lënda të kthehet në Gjykatën komunale të Deçanit. Ndaj kërkojmë rishikimin e vendimit dhe respektimin e drejtësisë“, thotë kryetari i bashkisë, i cili është anëtar i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kosovo Decani Bürgermeister Rasim Seljmanaj

Rasim Seljmanaj, kryetari i bashkisë në Deçan

Në pyetjen: a e respekton shtetin e Kosovës dhe pse nuk e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Selmanaj përgjigjet se ai dhe familja e tij kanë sakrifikuar shumë për Kosovën. Vetëm nga familja e tij ka pasur katër të burgosur politikë dhe shumë kushërinj të vrarë. "Askund në botë nuk ndodh që Gjykata Kushtetuese të merret me çështje që nuk i takojnë. Ky është vendim me sfond politik, ndaj kërkojmë të ndryshohet. E di që këtë vendim e ka mbështetur edhe presidenti Hashim Thaçi, por ai nuk e di të vërtetën e plotë për këto pasuri. E vërteta është që kjo tokë është pasuri publike dhe duhet t'i takojë qytetarëve të Kosovës, ashtu e gjithë pasuria tjetër shoqërore", pohon Selmanaj.

Protestat paqësore

Diku nga mesdita në sheshin para komunës mblidhen (sipas pohimeve të policisë) rreth 4000 protestues nga Deçani dhe komunat e tjera, më së shumti nga Peja. "Gjykata Kushtetuese po shkel drejtësinë", shkruhet në pankarta. Së pari shëtisin dhe më pas mblidhen në qendër. Kryetari Selmanaj në fjalimin e tij i bën thirrje igumenit të manastirit të Deçanit, Sava Janjiq dhe ambasadorëve të huaj në Kosovë që ta zgjidhin këtë "problem politik". "Gjykata Kushtetuese me këtë vendim e ka legjitimuar vendimin e qeverisë së Serbisë nga viti 1997, e cila i ka dhuruar Kishës Ortodokse këto prona. Jam i bindur thellë se me asnjë vendim nuk mund të legjitimohet dhurimi i pasurisë sonë“.

Selmanaj paralajmëroi edhe protesta të tjera, deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Fjalime të tjera nuk pati, ndërsa protesta përfundoi e qetë. Drejt manastirit nuk u nis askush. "E tmerrshme është ajo që po na bëjnë“, thotë Nuri Cacaj. „Ky është akti i fundit, sepse Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim kundër popullit të vet. E di që presidenti i Kosovës e ka pranuar këtë vendim, por ai nuk ka menduar fare për të mirën e popullit.“

„Sipas të dhënave kadastrale, kjo tokë i takon popullit. Millosheviqi ia ka falur manastirit në vitin 1997 dhe e ka krijuar këtë tollovi. Ndaj jemi kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, sepse vendimi është kundër popullit. Ne nuk jemi kundër manastirit, por kjo nuk është tokë e tyre", mendon 80-vjeçari Ali Kamaj.

„Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një vendim politik. Ndaj edhe mbështes kërkesat e popullit", thotë Time Kadrijaj, deputete në Kuvendin e Kosovës, por nuk përgjigjet në pyetjen time nëse e respekton Gjykatën Kushtetuese. „Kuvendi i Serbisë në vitin 1997 ia ka dhuruar këtë tokë manastirit. Pas luftës, në vitin 2002 është nënshkruar një marrëveshje me UNMIK-un. Mbi këtë dokument janë marrë edhe vendime të tjera, ndërsa tani ato konfirmohen nga Gjykata Kushtetuese. Vendimi është në kundërshtim me Planin e Ahtisarit, ndaj duhet të anulohet“, pohon Shkodran Imeraj, nënkryetar i Shoqatës së historianëve të Kosvës.

Manastiri kërkon më shumë tokë

Përfaqësuesit e manastirit nuk kanë dashur t'u përgjigjen pyetjeve tona. Zëdhënësi i manastirit Petar tha, se peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije ka lëshuar një kumtesë zyrtare lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese: „Gjykata Kushtetuese ka treguar pëgatitje dhe gatishmëri për një vendim të paanshëm, me të cilin ruhet pasuria e manastirit. Ky vendim ka një rëndësi shumë të madhe për ruajtjen e manastirit të Deçanit, i cili është në listën e pasurive kulturore të UNESCO-s. Njëkohësisht vendimi na inkurajon se në Kosovën dhe Metohinë e sotme mund të ruhen të drejtat dhe interesat vitale".

Zëvendëskryeministri i Kosovës Branimir Stojanoviq pohon se manastiri është dëmtuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse manastiri kërkon edhe disa parcela të tjera. "Këto gjëra nuk kanë lidhje me vendimet para vitit 1999, por me marrëveshjen e UNMIK-ut dhe Kishës Ortodokse nga viti 2012. Pohimet të tilla janë vetëm justifikim për destabilizimin e gjendjes", thotë Stojanoviq. Serbët në Kosovë thonë se ka dhe përpjekje të tjera për uzurpimin e pasurisë së kishës. Si shembull përmendin kishën në Prishtinë dhe manastirin në Deviç.